E diela ndryshe në Durrës, me turin kulturor mbi “qilimin lëvizës”
Mëngjesin e 11 shtatorit në kuadër të nismës “Qyteti që Rrëfen” do të organizohet në Durrës një tur kulturor dhe zbavitës, që rikthen “lojën me petëza”, si pjesë e memories kolektive. Ai do të nisë në orën 9:30 tek Muzeu Arkeologjik Kombëtar Durrës dhe vijon me vizita në pikat historike të qytetit.
Një tur kulturor do të zhvillohet nesër falas në Durrës, dedikuar trashëgimisë kulturore materiale dhe memories kolektive të qytetit, për familjet që ndikuan në transformimin e tij.
Ai synon të paraqesë për publikun rëndësinë e historisë, personazheve dhe ngjarjeve që lanë gjurmë në të, ndërthurur me një proces kreativ reflektimi.
Përgjatë tij do të zhvillohet loja e “Qilimit Lëvizës”, që i dedikohet fëmijëve. Ata do të formojnë imazhet e 3 mozaikëve të zbuluar në nëntokën e Durrësit, ato të: Bukuroshes së Durrësit, Orfeut dhe Mozaikut të Meandrit (me Kryq të Thyer). Ndërsa të rriturit do të kujtojnë fëmijërinë e tyre dhe do të luajnë me petëza mbi “Qilimat Lëvizës” (movable carpet – © MuZEH Lab).
Turi i ndërmarrë në kuadër të nismës “Qyteti që Rrëfen” nis në Muzeun Arkeologjik Kombëtar Durrës, në orën 9:30 të mëngjesit të 11 shtatorit, për të vijuar më pas në Amfiteatrin Romak Durrës dhe në Bulevardin Epidamn.
Gjithashtu do të ketë një ndalesë pranë Banesës së Familjes Tedeschini (Tedeskini), në të cilën do të referohet për nismën “Qyteti që Rrëfen”, që po realizohet nga grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” dhe synon të mbledhë rrëfenjat e pinjollëve të familjeve që ndikuan në historinë e qytetit të Durrësit.
Një grup të rinjsh të apasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe historisë së Durrësit, në bashkëpunim me ekipin e Medias Amfora, po dokumentojnë historitë përmes mbështetjes nga Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
Për më shumë njihuni edhe me agjendën e aktivitetit, të paraqitur më poshtë:
Foto në krye: Vizitorët në Muzeun Arkeologjik Kombëtar Durrës gjatë turit kulturor të organizuar nga Media Amfora, më 10 tetor 2022. Foto: Media Amfora.