Durrësi nderon “babain” e arkeologjisë së tij. Bashkëpunëtorët kujtojnë punën e Vangjel Toçit

Dita Ndёrkombёtare e Monumenteve tё Kulturёs dhe Siteve Arkeologjike, që u shënua më 18 prill, këtë vit la gjurmë në një prej rrugëve të qytetit të Durrësit.

Këshilli Bashkiak pak muaj më parë vendosi që rrugën nga bulevardi “Epidamn”, drejt amfiteatrit romak, t’i vendos emrin e arkeologut te shquar të nëntokës së Durrësit, Vangjel Toçi.

Pikërisht në monumentin e zbuluar dekada më parë nga Toçi, në arenën e amfiteatrit, përfaqësuesit e institucioneve të kulturës dhe pushtetit vendor, kujtuan kontributin e çmuar të arkeologut dhe zbuluan pllakatën e rrugës me emrin e tij. Një ekspozitë e vendosur në amfiteatër shpalosi punën e kryer nga arkeologu Toçi ndër vite.

Por 18 prilli riktheu në memorien e shumë durrsakëve, arkeologëve dhe dashamirësve të kulturës, punën e palodhur të Toçit dhe ekipit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që me fanatizëm nxorrën nga nëntoka thesare, si mozaiku i quajtur “Bukuroshja e Durrësit”, termat romake pas teatrit “Aleksandër Moisiu”, e shumë zbulime të tjera.

Arkeologu dhe bashkëpunëtori i tij, Fatos Tartari, rendit në intervistën e mësipërme audiovizive, tre arritje të mëdha të arkeologut Vangjel Toçi;

  1. Zbulimi i amfiteatrit romak;
  2. Vërtetimi i iliricitetit të Durrësit antik, përmes emrave të vendosur në gurët e varreve, si Teuta, Agron etj.
  3. Krijimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ku u depozituan dhe ekspozuan gjetjet arkeologjike me vlera të çmuara, nxjerrë në dritë në pjesë të ndryshme të qytetit.