“Dhuro ngrohtësi në fund vit”, nisma që ndihmoi familjet në nevojë
Të rinjtë ndihmuan familjet në nevojë në fshatrat e Durrësit, duke i dhuruar pako ushqimore dhe veshje në prag të ndërrimit të viteve. Nisma e tyre u shtri në fshatrat e Njësive Administrative Katund i Ri, Ishëm dhe Manëz.
Për rreth 30 familje në fshatrat Jubë, Rrushkull, Hamallaj, Ishëm dhe Manëz, pak ditë përpara natës së ndërrimit të viteve u shpërndanë disa pako me ushqime dhe veshje. Në fokus ishin edhe fëmijët, të cilëve ju dhuruan veshje dhe lodra të ndryshme.
“Nisma e jonë këtë vit synoi t’i vinte në ndihmë familjeve të fshatrave të Durrësit, të cilët përballen me një sërë problemesh social-ekonomike, duke synuar të përcjellim mesazhin se ata nuk janë vetëm dhe të gjithë se bashku do e përballojmë edhe situatën e krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor”, u shpreh për Amfora.al, Livia Kreko, një e re vullnetare.
Nisma e ndërmarrë për të tretin vit nga të rinjtë synonte ti vinte në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat u përballën edhe me pasojat shkatërrimtare të tërmetit të datës 26 nëntor, që goditi kryesisht Qarkun Durrës.
Klikoni në lidhjen më poshtë dhe ndiqni videon në rrjetin social “Facebook”
Nisma e bamirësisë u ndërmor nga grupimet rinore dhe Organizatat Jo-fitimprurëse, “Bicycle Durrës”, Qendra “Durrësi Aktiv”, CSDC Durrës (Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile) dhe media Amfora.al.
Të rinjtë falenderuan të gjithë qytetarët dhe bizneset që ju përgjigjën thirrjes së tyre, duke dhuruar tek familjet në nevojë shpresë dhe ngrohtësi. Një kontribut të veçantë dha qytetarja Gladiola Abazi, duke dhuruar 20 kuti me veshje dhe këpucë për meshkuj e femra të të gjitha moshave. Po ashtu kontributor ishte edhe “Furrë Buke Xhangoli”.