Dhunimi i gazetarëve Gjençaj dhe Lala gjatë operacionit antidrogë, prokuroria nuk e filloi procedimin penal

Dhunimi i gazetarëve të Televizionit “News 24” Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala nga një skuadër operacionale e Policisë së Shtetit, përfundoi pa hetimin e personave përgjegjës. Megjithëse u dhunuan pasi filmuan dështimin e një operacioni antidrogë, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos fillonte procedim penal pas kallëzimit që regjistroi.

Për dhunën e ushtruar nga një skuadër operacionale e Policisë së Shtetit ndaj gazetarit Ergys Gjençaj, nuk do të ketë persona që do të përballen me ligjin, pasi Prokuroria e Tiranës vendosi të mos niste procedim penal ndaj efektivëve që neutralizuan gazetarin dhe e sulmuan së bashku me kolegen, Klodiana Lala.

Gjençaj, Lala dhe ekipi i xhirimit të Televizionit “News 24” rastësisht u gjendën me automjetin e redaksisë përballë një operacioni policor tek zona e “Varrit të Bamit” në Tiranë. 2 efektivë të maskuar dhe 3 të tjerë me veshje civile po tentonin të nxirrnin nga makina një të dyshuar për trafik droge, i cili u largua letësisht duke shtuar shpejtësinë e makinës.

Me të dështuar operacioni policor i 27 korrikut 2021, i pari që u shtri barkazi ishte gazetari Ergys Gjençaj, i cili filmoi ngjarjen me celularin e tij. Megjithëse kërkoi falje dhe u identifikua si gazetar, efektivët e skuadrës operacionale e mbajtën të neutralizuar në tokë.

“O zotëri është gazetar ai djali”, u dëgjua në videon e regjistruar, kolegia e tij Klodiana Lala.

“Hajde-hajde këtu ti, me këto. Kush je ti që filmon”, ju vërsul një oficer Lalës, në videon ku dëgjohet përplasja fizike me gazetaren, teksa ajo vijoi të përsëriste që së bashku me kolegun ishin gazetarë. 

“Doni të hani plumba kot”, dëgjohen të tjerë efektivë, në operacionin që dështoi të ndalonte një të dyshuar për trafik droge dhe ku në vendngjarje nuk u identifikua asnjë agresor pas largimit të personit që synohej të arrestohej.

Menjëherë pas ngjarjes Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nisi hetimet. Por në përgjigjen zyrtare për Median Amfora, ajo njoftoi se ka vendosur “mos fillimin e procedimit penal”. 

“Në lidhje me rastin e shtetasit Ergys Gjençaj, rezulton të jetë regjistruar kallëzimi penal me nr.10273, i vitit 2021”, sqaroi Prokuroria e Tiranës në një përgjigje për Median Amfora. 

Megjithatë autorët e kësaj ngjarje që ishin punonjës të Policisë së Shtetit, nuk do të kenë përballje me ligjin, pasi çështja është vendosur që të mbyllet. 

“Në lidhje me rastin është vendosur ‘mosfillim i procedimit penal'”, shtoi organi i akuzës, duke mos dhënë arsyet e mos fillimit të hetimit. 

Media Amfora kontaktoi me gazetarin Ergys Gjençaj, i cili u shpreh shkurtimisht se nuk ishte ai që kishte hequr dorë nga çështja. 

Atij ju mor edhe celulari nga policia ditën e ngjarjes, e cila dëshmoi për sjellje jo profesionale të në zhvillimin e operacionit dhe cënoi më tej sigurinë e punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës.   

Pas ngjarjes reaguan organizatat e medias në vend, si Këshilli Shqiptar i Medias, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias, si “Reporterët Pa Kufij (RSF)”, të cilët e dënuan aktin dhe kërkuan marrjen e masave. 

Vitet e fundit janë shtuar rastet e dhunës ndaj gazetarëve, shoqëruar me presione dhe largime të padrejta nga puna, duke e rënduar më tej situatën e punonjësve të medias në vend. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109