Dëmtohet vepra “Gladiatori” në Shëtitoren Taulantia
Kompleksi i gladiatorëve ilir që ndodhet në Shëtitoren Taulantia në Durrës është dëmtuar sërish. Nuk është hera e parë që veprat e artit dhe trashëgimisë kulturore bihen pre e dëmtimeve, por autoritetet nuk kanë mundur në asnjë rast të gjejnë përgjegjësit.

“Gladiatori” i dëmtuar në Shëtitoren Taulantia. Foto: Media Amfora
Një prej statujave që paraqet gladiatorin ilir është thyer së fundmi, duke u dëmtuar sërish pas thyerjeve të qëllimta që ka pësuar herë pas here.
Amfora fotografoi kompleksin gjatë të martës, ku shihet se shpata në dorën e një prej gladiatorëve mungon dhe veprës i kanë dalë hekurat që mbanin strukturën prej allçie.
Nuk është hera e parë që Kompleksi i Gladiatorëve Ilir që ndodhet në një nga sheshet më të rëndësishme të qytetit dëmtohet, ndërkohë që askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Veprat e skulptorit të njohur Janq Paço u vendosën në këtë shesh në vitit 2015 dhe më pas nuk është marrë asnjë masë për sigurinë e tyre. Pak ditë më parë pak metra larg nga aty, u dëmtua edhe skulptura në bronz e Tina Turner.

Bustet dhe monumentet përkujtimore në kryeqytet disa herë kanë rënë pre e akteve vandale dhe janë dëmtuar. Rasti i fundit ishte në dhjetor 2022, kur u dhunua busti dhe varri i Mid’hat Frashërit, por policia dhe prokuroria ka dështuar të identifikojë përgjegjësit.
Ndërsa për dëmtimin e Monumentit të Nimfeut – një çezmë monumentale e periudhës antike në Parkun Arkeologjik të Apolonisë – askush nuk do të mbajë përgjegjësi, pasi Prokuroria e Fierit e pezulloi hetimin 2 vite më parë.
Ky fenomen duket se mbetet i pazbuluar dhe i pandëshkuar nga drejtësia shqiptare, por gjithashtu autoritetet dhe sidomos bashkitë, nuk kanë marrë masa për monitorimin e këtyre hapësirave publike me kamera sigurie apo me masa të tjere që do të mundësonin mbrojtjen e tyre.