Cilësia e plazheve, zonat publike mbeten pa standarde dhe të pasigurta

Plazhet publike vijojnë të jenë larg standardeve minimale për frekuentuesit e tyre që përballen me hapësira të pamirëmbajtura dhe të pasigurta. Nga një pyetësor i Medias Amfora plazhet private preferohen për shërbimet që ofrojnë, por megjithatë siguria e jetës në to vijon të jetë e ulët.

Ditët e para të nëntorit nisën më të ngrohta se zakonisht në Durrës, qytetin që zë një vend të rëndësishëm në turizmin detar dhe ku qytetarët e shijuan plazhin buzë Adriatikut deri në nisjen e reshjeve të para të shiut.

Ferdinand Trungun e gjetëm deri sa pa ftohur mirë në fund të Shëtitores Taulantia. Së bashku me durrsakë të tjerë ata e frekuentojnë përgjatë verës zonës që njihet si “Bërryli”. Plazhi publik duket se është përshtatur fiks si një bërryl, që zë aq pak njerëz sa që shumica e pensionistëve i kanë përshtatur shkallët e “Sfinksit” në shezlongë.

“Koha është ende shumë e ngrohtë, ndaj e shfrytëzojmë sa të mundemi ashtu siç e kemi traditë ne durrsakët e vjetër”, tregoi për Median Amfora sa pa ftohur mirë, Ferdinand Trungu. 

Përbri detit, mbështetur në shkallët e “Sfinksit”, burri kishte vendosur biçikletën ku mbante rrobat, ujin dhe ato pak ushqime që zgjedh të konsumojë gjatë paradites, duke u rikthyer për drekë në familje. 

“Këta i kanë zaptuar të gjitha hapësirat publike. Ja vetëm kjo zona mes shkallëve dhe çadrave të plazhit privat është hapësira që ka ngelur publike”, tregoi i irrituar 73 vjeçari.

“Sfinksi” është kthyer në “plazh publik” në mungesë të hapësirës së nevojshme. Foto: Media Amfora

Media Amfora zhvilloi një pyetësor më të gjerë me 20 qytetarë, të cilët treguan eksperiencën e tyre në bregdetin shqiptar këtë sezon turistik. Hapësirat publike nuk mungojnë, por ato janë lënë si zona të shkretuara, të pa mirëmbajtura dhe pa shërbimet bazë.

Ndërsa shumica e atyre që kanë zgjedhur plazhin privat evidentojnë si arsye kryesore shërbimet që ofrohen, duke nisur nga shezongët, dushet, deri tek parkimi. Megjithatë çështjet që lidhen me sigurinë në plazh, vrojtuesit dhe ndotja mjedisore, evidentohen si faktorët kryesorë që i penalizojnë plazhet e vendit.

Plazhe publike pa standarde 

Bashkitë bregdetare dhe të tjerat ku zhvillohet plazh përgjatë stinës së verës kanë detyrimin që të sigurojnë një territor për plazh publik pa pagesë dhe rrjedhimisht të ofrojnë në to standardet minimale të shërbimit dhe të sigurisë.

Situata nis të përmbyset në terren fillimisht me parashikimin e hapësirës së vogël që zë sipërfaqja publike në plazhet e vendit. Legjislacioni parashikon një raport 80% të plazhit për operatorët privatë dhe vetëm 20% për plazhin publik.

“Ligji në shumicën e vendeve të Mesdheut, përfshirë Francën, Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, thotë se bregdeti është pronë publike dhe çdokush ka të drejtë të hyjë në det dhe në bregdetin e tij”, evidentoi Nevila Popa, eksperte e turizmit në vend.

“Pavarësisht zonave ku janë hotelet dhe që përdorin zonën e plazhit për pushuesit e tyre, një pjesë e konsiderueshme e plazhit është publik, duke i dhënë mundësinë shumë pushuesve që të kenë akses në det dhe bregdet, nuk janë në raportin 80% me 20%, në favor të privatit”, komentoi ajo.

Hapësirat për përdorim publik në plazh duket se në shumicën e rasteve janë formalitet, në rripa rëre në zonat më pak të mirëmbajtura apo të ndotura. Nga 20 persona që u përgjigjën në pyetësorin e Medias Amfora, 13 treguan se kishin pushuar një një plazh “privat”, 2 në një plazh “publik” dhe 5 prej tyre i kishin kombinuar të dyja tipet e plazheve.

Grafikë me përgjigjet e 20 të anketuarve, për pyetjen “Keni pushuar në plazh me menaxhim privat apo publik?”

Hapësira duket të jetë edhe më e vogël në zonat e lakmuara të bregdetit, sidomos ato në brendësi të zonave urbane. “Sfinksi” është një objekt bashkëkohor i ndërtuar si një hapësirë e re turistike për vizitorët që ecin buzë shëtitores në Durrës, por shkallarja prej betoni kthehet një “plazh publik” përgjatë verës.

“Ne durrsakët e nisim që në mars plazhin, sa ngrohet koha. Por ‘Plazhi madh’ është i mbipopulluar, këtu [Bërryli’] çdo vit e më pak mundësi kemi sepse privati ka shtuar hapësirat e tij, ndaj rrimë këtu [tek ‘Sfinksi’], në të vetmin vend që na ka ngelur”, tregoi pensionisti Ferdinand Trungu.

Në përgjigjet e 20 personave për Median Amfora, gjysma e tyre kishin identifikuar hapësira publike pranë plazhit ku pushuan, por të cilat ishin larg standardeve minimale. Në tërësi cilësinë e plazheve ku pushuan, 6 prej tyre e vlerësuan si “shumë të mirë”, 8 e vlerësuan si “të mirë”, 6 të “pranueshme” dhe 1 si të “keqe”.

Grafikë me përgjigjet e 20 të anketuarve, për pyetjen “Si do ta përcaktoni në tërësi cilësinë e plazheve ku keni pushuar këtë vit?”

Cilësia e ujit është një tjetër faktor i rëndësishëm që dikton plazhin e zgjedhur nga pushuesit, që lidhet shpesh herë me nivelin e kujdesit të pushtetit vendor për mos shkarkimin e ujërave të përdorura në det apo të aktiviteteve që cenojnë hapësirën ujore.

“Nëse do t’i referohemi ujit të detit, ka shumë nevojë për përmirësime te cilësisë, pasi në dijeninë time deri më tani kemi vetëm një plazh ‘Blue Flag’, të certifikuar, ndërkohë që vendet fqinje, si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Italia, kanë shumë më tepër, respektivisht 29, 100, 617 dhe 458”, analizoi Nevila Popa.

Ujërat e përdorura të shumicës së banorëve dhe të bizneseve në zonat më të populluara në Durrës, Shkozeti, Ish-Këneta dhe Porto-Romano, përmes kanaleve që dikur i shërbenin bujqësisë mblidhen dhe shkarkohen më tej në Detin Adriatik, duke ndikuar në uljen e cilësisë së larjes.

Të pyetur nëse kishin konstatuar ndotje në ujërat e larjes, një prej të anketuarve u përgjigj se, “Përgjithesisht jo, por ndotja e ujit ishte mëse e dukshme në disa plazhe afër porteve apo lumenjeve”.

10 prej personave që u pyetën kishin konstatuar papastërti në rërë, ndërsa vetëm 7 kishin vërejtur papastërti në det dhe 4 persona u shprehën se kishin parë kanalizime që derdhnin ujërat e patrajtuara në det, që rëndom njihen si “ujërat e zeza”. 

“Uji ishte shumë i pastër, por herë pas here kishte mbetje ose nuk e di se çfarë, nga anijet mendoj. Uji në sipërfaqe bëhej gjithë flluska si ngjyrë si kafe”, komentoi eksperiencën e tij në plazhin e “Drymades”, në fshatin Gjilekë, një i anketuar që zgjodhi të mos identifikohej.

“Përsa i takon plazhit publik, në Dhërmi kishte nja dy vende, por janë shumë të vogla dhe jo komode, gjithashtu nuk ka facilitete për këto plazhe (dushe, banja, dhoma ndërrimi)”, shtoi ai. 

Cilësia e rërës në një plazh privat në “Plazhin e Livadhit”, Himarë. Foto: Media Amfora

“Siç duket nga përgjigjet e pyetësorit, ka një tendencë në zgjedhjen e plazheve private krahasuar me ato publikët për shkak të cilësisë që ofron ai privat në raport me plazhin publik dhe është e natyrshme që të zgjedhin plazhin privat, pasi ai ofron çadra, tualete, si edhe parkim”, analizoi për Median Amfora, ekspertja e turizmit, Nevila Popa. 

Në përgjigjet e të anketuarve rezulton se 6 prej tyre kishin zgjedhur të pushonin në një plazh privat për shkak të shezlongëve dhe çadrave, 2 për shërbimet, 2 sepse nuk kishte hapësira publike, 1 sepse kishte parkim, 1 për veçoritë e plazhit dhe 5 për të gjitha këto arsye.

Gjysma e të pyeturve rezultuan banorë dhe se kishin pushuar me familjen. 10 prej tyre kishin frekuentuar plazhet e jugut të vendit, 6 të rajonit qendror dhe 4 kishin vizituar plazhe të ndryshme në të gjithë vendin.

Nëse trendi i të moshuarve është nevoja e pasjes së një hapësire me rërë të dedikuar, për të rinjtë dhe familjarët plazhi publik duhet të ofrojë më shumë standarde, që nuk janë asgjë më shumë se minimumi i asaj që duhet të ketë çdo plazh.

“Në të vërtetë një plazh publik jo domosdoshmërisht duhet të ofrojë të gjithë gamën e faciliteteve që ofron edhe plazhi privat, si për shembull çadrat apo ‘lifeguard’ [roje plazhi]”, evidentoi ekspertja e turizmit, Nevila Popa.

“Por duhet të ketë tabela me sinjalistikë, njoftimi se çfarë ofron plazhi dhe kujdesin që duhet të ketë çdo pushues si për shembull në rastin e mospasjes së ‘lifeguard’, duhet të jenë të afishuara numrat e emergjencës dhe të policisë në rast rreziku”, shtoi Popa.

Hapësirat e plazheve private duket se shpesh herë krijojnë edhe ndotje akustike, pasi shumica e personave që u përgjigjën deklaruan se volumi i muzikës ishte shqetësues. Ndërsa për distancat midis shezlongëve në plazhet private, 7 persona u shprehën se hapësira ishte “normale”, 5 u shprehën ishte “shumë e afër”, 5 u shprehën se hapësira ishte “e afërt” dhe 1 person u shpreh se hapësira ishte “e largët”. 

Nga ana tjetër informaliteti duket një faktor shoqërues në shërbimin e privatit, pasi 14 persona deklaruan se nuk kishin marrë kupton tatimor për shërbimin e shezlongut.

Shumë kulla, pak roje!

Shqipëria duket se ka bërë hapa përpara lidhur me sigurinë në plazhe, por është ende larg pasjes së burimeve njerëzore në shërbim të infrastrukturës së sigurisë në plazhe. Këtë verë në plazhin e Vilë Bashtovës në Kavajë, 3 pushues, babai dhe dy djemtë e tij humbën jetën gjatë një të diele teksa u mbytën njëri pas tjetrit, në përpjekje për t’i shpëtuar dallgëve.

9 persona që plotësuan pyetësorin u shprehën se kishin parë kullë vrojtimi në plazhet ku pushuan këtë sezon, 8 thanë se nuk e kishin parë dhe 3 nuk e dinin nëse plazhi ku pushuan e kishte atë. Legjislacioni përcakton se për çdo 80 metra plazh duhet të ketë një kullë vrojtimi, por në shumë prej rasteve kur kulla është, mungon vrojtuesi i plazhit.

Kullë pa vrojtues në plazhin e Gjirit të Lalzit, Durrës. Foto: Media Amfora

11 persona nuk e kishin parë vrojtuesin, që njihet edhe si “roja i plazhit”, 4 të tjerë u shprehën në pyetësor se e kishin parë dhe 3 nuk e dinin nëse kishte vrojtues në plazhin ku kishin pushuar. 

“Nga viti 2018 e në vazhdim është rritur siguria në plazhet e vijës bregdetare të qytetit të Durrësit, por mendoj që ka ende nevojë për përmirësim në këtë çështje”, tregoi për Median Amfora, Ejona Kaltani, instruktore e vrojtuesve të plazhit në Durrës.

“…që nga vendosja e sinjalistikës në pikat e vrojtimit, tek vrojtuesit e plazhit, të cilët nuk janë persona të licensuar”, shtoi ajo.

Deti me dallgë të forta kthehet shpesh herë në faktorin e humbjes së jetës për shumë pushues. Ngjyra e flamurit në pikën e vrojtimit është sinjalizuesi për rrezikun gjatë larjes, por të anketuarit nga Media Amfora u shprehën se ai nuk ndryshonte në varësi të motit. 

8 persona treguan se nuk ishte ndryshuar ngjyra e flaumrit në përputhje me rrezikun, 6 të tjerë thanë se ishte ndryshuar flamuri në përputhje me rrezikun dhe 6 persona nuk e kishin vënë re. 

Sinjalistika në një plazh me menaxhim privat në Sektorin Rinia, Durrës. Foto: Media Amfora

Shumica e pushuesve në plazhet private pohuan se kishin parë bova që kufizojnë territorin e sigurt për të notuar, ndërsa në plazhet publike ku nuk ka vrojtues, së paku duhet të vendoset tabela me mbishkrimin, “Kujdes! Ky plazh nuk ka vrojtues plazhi!?”. Frekuentuesit e plazhit publik në pyetësor konfirmuan se nuk e kishin parë një tabelë të ngjashme.

Interesi për tu licensuar si vrojtues plazhi nuk duket të jetë i lartë, përballë faktorëve që lidhen me përgjegjësinë e ushtrimit të këtij aktiviteti dhe nga ana tjetër të faktit që megjithëse subjektet private e kanë detyrim të pajtojnë një vrojtues të licensuar, jo të gjithë e zbatojnë.

“Interesim ka pasur, por është një profesion me përgjegjësi mjaft të lartë dhe kjo i frenon pak për të patur prurje në kurset që ne zhvillojmë”, konstatoi Ejona Kaltani, instruktore e vrojtuesve të plazhit në Durrës.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109