Bashkia nuk e ka në plan: Qytetarët e Durrësit kërkojnë rikthimin e shatërvanit historik

Shatërvani historik në qendër të Durrësit vazhdon të jetë në memorien e qytetarëve në qytetin bregdetar, të cilët kërkojnë rikthimin e tij, por bashkia që e largoi nga sheshi në vitin 2015 u përgjigj zyrtarisht se nuk ka projekt për të.

Abdulla Deliallisi e kujton me nostalgji shatërvanin simbolik që ndodhej në sheshin “Liria”, rrethuar nga një lulishte në stilin neoklasik. 

Objekti që i takon viteve ’30 është ndërtuar në kohën e monarkisë dhe cilësohet si ndër më të vjetrit që kishte mbetur në Shqipëri nga kjo periudhë, por që sot nuk ekspozohet më aty ku u ndërtua.

Zhvendosja e tij në vitin 2015 nga Bashkia Durrës në kuadër të rivitalizimit të sheshit qendror të qytetit zgjoi një debat publik, i cili megjithëse gjeneroi një peticion me mbi 7 mijë firma, nuk arriti të ndalojë planin e pushtetit vendor.

8 vite pas ngjarjes Media Amfora pyeti qytetarët e Durrësit (që përbënin 91.3% të të pyeturve) përmes një pyetësori dhe mësoi se 91.3% “nuk ishin dakord” me heqjen e shatërvanit nga qendra e qytetit dhe vetëm 8.7% ishin “dakord”. 

Abdulla Deliallisi, kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”, u shpreh se shatërvani përfaqësonte pikën e referimit të qytetit dhe një nga veprat e arkitektit të njohur, Kristo Sotiri.

“Nuk thoshte njeri takohemi tek bashkia apo dikur Komiteti i Partisë, por të gjithë thonin takohemi tek shatërvani, duke qënë se në atë kohë nuk kishte as telefon, pika e takimit, pika e referimit për qytetin ishte shatërvani”, kujtoi Deliallisi.

Që prej janarit të vitit 2015 pjesa kryesore monumentale e shatërvanit u zhvendos gjatë natës për në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit dhe bashkia nuk ka asnjë projekt për integrimin e tij në një hapësirë funksionale të qytetit, megjithëse interesi i qytetarëve është i lartë.

“Bashkia Durrës nuk ka ndonjë projekt për rikthimin e tij në hapësiart e qytetit”, u shpreh Bashkia Durrës në përgjigjen e saj zyrtare. 

Shatërvani në ambientet e Portit të Durrësit, në vitin 2017. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Përveç 46 personave që u përgjigjën përmes pyetësorit të Medias Amfora, në postimin në median sociale “Facebook”, deri në publikimin e këtij lajmi 114 komente ishin me përmbajtje “kundër zhvendosjes” së shatërvanit dhe vetëm 4 komente ishin “pro zhvendosjes” në vitin 2015. 

Projekti kontrovers që largoi shatërvanin

Bashkia e Durrësit në vitin 2008 ideoi projektin për “Rivitalizimin e Sheshit Iiria” dhe hapi një konkurs ndërkombëtar. Faza e parë e punimeve të projektit përfundoi në vitin 2011 dhe me nisjen e fazës së dytë të punimeve në vitin 2015, u vendos në lojë fati i monumentit arkitektonik, me funksion dekorativ dhe hidrik.

36 studiot konkurruese paraqitën projektet përpara një jurie ndërkombëtare të ngritur nga bashkia, ku u përzgjodhën për në fazën finale 5 prej tyre dhe fitues u shpall projekti italian “Folding”, i studios romane “Michele Cro”, që ishte i vetmi projekt që nuk e përfshinte shatërvanin ekzistues.

“Ndër projektet e këtyre studiove nuk është projekti që u bë, fitoi projekti anglez dhe nuk e di përse bashkia ja dha pasatj projektit italian”, kujtoi dhe pyeti njëkohësisht i habitur Abdulla Deliallisi.

“Gjoja se nuk kishte të ardhura për të realizuar projektin anglez, por nuk ka rëndësi ke apo nuk ke të ardhura, projekti mund të rrinte dhe në momentin që sajoheshin të ardhurat bëhej ai projekt që ishte jashtëzakonisht më i bukur”, shtoi ai.

Për 46 qytetarët që u shprehën për Median Amfora, bashkia kishte mundësi që ta integronte shatërvanin me sheshin e ri. 

52.2% e personave që u përgjigjën thanë se “bashkia mund ta kishte integruar me sheshin e ri”, 41.3% thanë se bëri “veprim të nxituar” dhe 6.3% u shprehën se heqja e tij ndihmoi në “zhvillimin e qendrës”. 

Me nisjen e punimeve në vitin 2015 çështja e shatërvanit u kthye në mollë sherri midis bashkisë dhe shoqërisë civile, e cila e kundërshtoi heqjen nga sheshi të objektit mbi 80 vjeçar. 

“U grumbulluan mbi 7 mijë firma qytetarësh, me kartë identiteti e me të gjitha, por megjithatë bashkia me atë despotizmin e vet jo vetëm që nuk deshi të dite për ‘Shoqatën Durrësi’, por nuk deshi të dinte as për trasparencën e qytetarëve durrsak”, shtoi Deliallisi.

Foto e Sheshit Liria në kohën kur ishte i integruar shtaërvani. Burimi: Fotografi e ekspozuar në Rajonin nr. 1, Bashkia Durrës. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Kur kërkohet në internet për Durrësin dhe sidomos për historinë e tij, janë të shumta pamjet që kanë fiksuar në foto apo në video shatërvanin historik në Sheshin Liria. 

87% e qytetarëve që u shprehën në pyetësorin e Medias Amfora pohuan se ata vetë apo familjarët e tyre kishin kujtime apo foto nga shatërvani dhe  vetëm 13% u shprehën se nuk kishin kujtime apo foto. 

Për kryetarin e Shoqatës “Durrësi Autokton” vendimi i bashkisë për shatërvanin duhet të korrigjohet. 

“Gjithmonë ka vend për të korrigjuar gabimet që janë bërë, pra këtu korrigjohet një gabim shumë i madh që është bërë, por njëkohësisht shprehet dhe dëshira e qytetarëve për tu rikthyer ky shatërvan në vendin që i takon”, komentoi kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi. 

Për qytetarët pjesë e zgjidhjes është edhe rikthimi në një tjetër shesh të qytetit.  82.6% e atyre që u shprehën përmes pyetësorit ishin dakort që shatërvani të kthehet në një shesh tjetër, 10.9% u shprehën kundër dhe 6.5% u shprehën se nuk kishin mendim.

Për Deliallisin është detyrë urgjente e bashkisë që ta rikthejë shatërvanin, ta meremetojë aty ku është dëmtuar dhe ta vendosi në qendër të sheshit të Durrësit, pasi sipas tij heqja ishte e kundraligjshme dhe u bë pa transparencë. 

“Heqja e shatërvanit është një veprim arbitrar sepse s’kishte transparencë fare, bashkia nuk deshi t’ia dijë për trasparencën e qytetarëve durrsakë”, përfundoi Abdulla Delialisi, kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109