AZHBR nuk bën transparencë për ankesat dhe kontrollet e brendshme
Agjencia për Bujqësinë po zbaton “Programin IPARD II” me vlerë 94.6 milionë euro, përmes fondeve të BE-së dhe të qeverisë, por ajo nuk bën transparente dokumentet publike. Përveçse ligjit Agjencia shkeli edhe një vendim të Zyrës së Komisionerit për Informimin, që e urdhëroi t’i jepte Medias Amfora dokumentet e kërkuara.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri u akreditua në vitin 2018 për zbatimin e Programit IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Europian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut nga qeveria shqiptare.
Programi i iniciuar nga BE-ja synon ardhjen në ndihmë të fermerit shqiptar, duke kontribuar në zhvillimin e disa sektorëve të bujqësisë dhe të blegtorisë në vend. Dhënia e granteve për fermerët me vlerë 94.6 milionë euro është realizuar nga AZHBR-ja, pasi projektet e dorëzuara nga fermerët u klasifikuan si të suksesshme.
Megjithëse Agjencia është një institucion publik, që shpërndan edhe paratë e buxhetit të shtetit, ajo është tërësisht hermetike ndaj bërjes së transparencës për median dhe publikun, për të mësuar mbi pretendimet e aplikantëve që nuk janë kualifikuar, përfshirë kontrollet e brendshme të Agjencisë.
Media Amfora ju drejtua më 13 prill të këtij viti Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duke i kërkuar disa informacione dhe dokumente publike, të cilat Agjencia i dha pjesërisht dhe përmes zvarritjeve të përgjigjeve.
Por Agjencia në asnjë rast nuk pranoi të jepte rezultatet e kontrolleve dhe verifikimeve për subjektet fituese, ankesat e depozituara dhe auditimet e brendshme apo të jashtme për Programin “IPARD”.
Këto dokumente publike u cilësuan nga Media Amfora si të rëndësishme për të analizuar procesin e trajtimit të fituesve, të skualifikuarve dhe zhvillimeve që mund të kenë ndodhur gjatë zbatimit të programit.
Nga të dhënat krahasimore që analizoi më herët Amfora për IPARD II në Maqedoninë e Veriut, për 1726 aplikime të refuzuara në 8 thirrjet publike të viteve 2017-2022, ishin bërë vetëm 34 ankesa. Një situatë krejt e përmbysur me Shqipërinë, ku sipas AZHBR-së për të njëjtën periudhë të zbatimit të programit janë skualifikuar 616 aplikantë dhe janë depozituar 280 ankesa.
Bazuar në “Ligjin për të Drejtën e Informimit”, AZHBR-ja si autoritet publik që administron paratë e buxhetit të shtetit dhe bazuar në frymën e transparencës dhe të llogaridhënies së donatorit, Bashkimi Europian, duhej të vendoste në dispozicion dokumentet publike.
Në një argumentim të gjatë dhe kontrovers, Agjencia tregoi se përmbajtja e të dhënave personale ishte kryesisht shkaku që të kufizohej dhënia e këtyre dokumenteve. Pavarësisht se në argumentim citoi disa herë detyrimet e saj, që burojnë nga ligji dhe nga marrëdhënia me BE-në për të bërë transparencë.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit më 16 qershor ftoi gazetarët e Medias Amfora dhe përfaqësuesit e AZHBR-së, të cilët paraqitën pretendimet e tyre dhe megjithatë Agjencia nuk ndryshoi qëndrim për të dhënë dokumentet publike.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit në përfundim të procesit të ankimit të Medias Amfora, doli me një vendim 6 muaj pas dorëzimit të Kërkesës për Informacion dhe gjeti se pretendimet e AZHBR-së ishin të kundraligjshme.
“…Komisioneri vlerëson se, qëndrimi i mbajtur nga ana e Autoritetit Publik nuk është në përputhje me dispozitat dhe parimet e LDI [Ligji për të Drejtën e Inforimimit]”, ishte konkluzioni i Zyrës së Komisionerit, pasi shqyrtoi ankesën e Amforës.
“Për më tepër që edhe vetë BE ka qasje maksimale transparence për sa i përket projekteve të financuara me fonde publike”, shtoi vendimi i Zyrës së Komisionerit në vijim të analizës.
AZHBR-ja u fsheh pas “të dhënave personale” referuar subjekteve që kanë aplikuar për të përfituar fonde dhe atyre që janë skualifikuar, duke depozituar ankesa. Por këto pretendime u gjetën nga Komisioneri si të pa bazuara në ligj.
“Në këtë kuadër, të dhënat e subjekteve tregtare të regjistruar si person fizik ose juridik në bazë të legjislacionit përkatës tregtar, nuk konsiderohen si të dhëna personale dhe si të tilla nuk gëzojnë mbrojtje nga ligji i sipërcituar”, gjeti Zyra e Komisionerit.
Pas një argumentimi dhe analize të gjatë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit përmes vendimit me numër 50, të 8 nentorit, e urdhëroi AZHBR-në që të vendoste në dispozicion rezultatet e kontrolleve dhe verifikimeve për subjektet fituese, ankesat e depozituara dhe auditimet e brendshme apo të jashtme për Programin “IPARD”.
Komisioneri i vendosi afat AZHBR-së për sjelljen e këtyre dokumenteve 15 nëntorin 2023, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi Agjencia nuk i solli dokumentet publike, duke shkelur Ligjin për të Drejtën e Informimit dhe vendimin e Zyrës së Komisionerit.
Situata e krijuar që më herët vonoi publikimin për 4 muaj të një artikulli investigativ, që u publikua vetëm më 15 gusht 2023, pasi u ndërpre nga 13 prilli deri më 28 korrik, në pritje të dokumenteve publike nga AZHBR-ja, të cilat nuk u sollën kurrë edhe pas vendimit të Komisionerit.
Ekipi i Qendrës Amfora në bashkëpunim me Qendrëm “Res Publica” ka nisur plotësimin e dokumentacionit për ta referuar rastin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim marrjen e dokumenteve me karakter publik.