Arrestohen tek Gjiri i Lalzit 7 anëtarë të krimit të organizuar dhe të shpallur në kërkim

Policia e Durrësit arrestoi 7 persona, ndër ta disa eksponentë të krimit të organizuar në vend dhe që ishin shpallur në kërkim prej kohësh nga autoritetet italiane dhe ato vendase, përfshirë Xhevdet Plakun, i njohur si “Akili”.

Pamje nga operacioni policor. "Screenshot" nga video e Policisë së Shtetit

Policia e Durrësit arrestoi 7 persona të armatosur pas informacioneve se ata po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit, 3 prej të vilëve të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, që përfshijnë trafik droge, organizatë kriminale dhe sigurim kushtesh për vrasje.

“Personat e ndaluar dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të strukturual kriminal nga qytete të ndryshme të vendit”, tha drejtuesi i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, në konferencën për shtyp.   Xhevdet Plaku, alias “Kiss” ishte një prej të arrestuarve. 45 vjeçari banues në Durrës ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias në Itali ka lëshuar urdhër arresti për “Trafikimi i narkotikëve”. 

Në janar të 2025-ës ai është arratisur nga Burgu i Ankonës dhe gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë, me fishekë në fole dhe gati për qitje. Ai njihet për përplasjet me grupe të tjera kriminale në zonën e Sukthit.

Flobens Mecia, alias Gega dhe Drini, është një 43 vjeç banues në Shkodër, i shpallur në kërkim më herët nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe gati për qitje.

Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet dhe rezident në Holandë, në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje.

Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, dyshohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Oltion Hasanu, 38 vjeç është banues në Mamurras dhe i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Fatjon Qesja, 36 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Alfred Hasanaj, 45 vjeç është banues në Mamurras dhe i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”  

Po gjatë operacionit të koduar “Enigma”, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit po vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.