Arkeologu Vangjel Toçin vlerësohet me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

Arkeologu Vangjel Toçi u nderua pas vdekjes pasditen e së mërkurës përmes vlerësimit nga presidenti i republikës, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

“Babai i arkeologjisë” në Durrës zbuloi amfiteatrin 1900-vjeçar, mozaikun e njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit”, termat (banjat) e periudhës romake në themelet e Teatrit Aleksandër Moisiu, mozaikun me kalë deti, si edhe zbulime të tjera.

Kryesia e shoqatës “Durrësi Autokton” i propozoi më herët presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, që të vlerësonte figurën e shquar të arkeologut Vangjel Toçi, duke e dekoruar atë me titullin e lartë “Nderi Kombit”.

“Puna shkencore dhe vepra e këtij personaliteti të madh tingëllojnë këmbanë alarmi për zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare, veçanërisht kur betonizimi i pasurisë arkeologjike po vret botën antike të Durrësit dhe jo vetëm”, shkroi presidenti Meta në një postim në “Facebook”.

Edhe më 12 tetor të vitit 2020, në ditën e lindjes duket se institucionet hodhën një sy ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të arkeologut Vangjel Toçi. Bashkia e Durrësit e nderoi atë me titullin “Qytetar Nderi”, duke ja dorëzuar titullin të birit të tij, Plarentit.

Vangjel Toçi e nisi kontributin për qytetin duke themeluar bibliotekën në vitin 1945, ku dhuroi 1000 libra dhe e drejtoi me sukses këtë institucion. Në vitin 1951 ai ngriti muzeun e parë arkeologjik të Durrësit dhe e drejtoi atë paralel me zbulimin e monumenteve madhështore të qytetit.

Ai njihet edhe si “nuni i shqiptarëve”! Zbulimi prej tij i mbi 300 emrave ilirë në shtyllëzat funerale provoi praninë e elementit ilir në Durrës, emra me të cilët i janë vendosur mijëra shqiptarëve.

Arkeologu Vangjel Toçi është lënë në hijen e harresës dhe vetëm vitet e fundit pas shumë përpjekjeve të personaliteteve të qytetit ai ka mundur të nderohet nga institucionet shtetërore, të cilat duket se kanë bërë shumë pak në krahasim me kontributin e Vangjel Toçit për arkeologjinë.

______

*Foto në krye: Nga një ekspozitë që pasqyronte punën e arkeologut Vangjel Toçi ndër vite. Foto: Geri Emiri


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109