Algoritmet ndryshojnë mënyrën si shpërndahen lajmet, sfidë për mediat e pavarura
Rrjetet sociale janë kthyer në një nga burimet kryesore të informacionit për qytetarët, por janë vetë këto platforma që ndikojnë se cilat lajme shfaqen më shumë dhe cilat marrin më pak vëmendje. Sfidat që kjo varësi krijon për gazetarinë e pavarur u diskutuan në një konferencë rajonale, ku morën pjesë përfaqësues të mediave nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Pjesëmarrësit në panelin mbi ndikimin e platformave digjitale në shpërndarjen e lajmeve, gjatë Konferencës BE-Ballkani Perëndimor për Edukimin Mediatik në Beograd. Foto: Organizatorët e konferencës.
Më 7 tetor gjatë Konferencës BE-Ballkani Perëndimor për Edukimin Mediatik, zhvilluar në Beograd, gazetarë dhe studiues diskutuan ndikimin e rrjeteve sociale në mënyrën se si njerëzit informohen. Në panelin kushtuar platformave digjitale, ata folën për vështirësitë që hasin mediat e vogla për të arritur te lexuesit, ndërsa përpiqen të ruajnë standardet e gazetarisë.
Gjithnjë e më pak njerëz hyjnë drejtpërdrejt në faqet e internetit të mediave për të lexuar lajme. Në vend të kësaj, shumë prej tyre informohen nga publikimet që u shfaqen në Facebook, Instagram, TikTok dhe rrjete të tjera sociale.
Kjo do të thotë se redaksitë vendosin çfarë lajmesh publikojnë, por mënyra se si ato shpërndahen te përdoruesit varet në masë të madhe nga algoritmet e platformave.
“Sot përballemi me algoritme dhe me një rrjedhë postimesh që ndryshon çdo ditë, çdo javë apo çdo muaj, dhe ne duhet të ecim me këto ndryshime. Por për mediat jofitimprurëse dhe alternative, e rëndësishme është që ne nuk jemi influencues apo faqe argëtimi; duhet të ndjekim publikun, por nuk duhet të ndryshojmë atë që jemi”, tha Geri Emiri, nga Media Amfora.
Sipas tij, mediat duhet të përshtatin mënyrën e paraqitjes së lajmeve për publikun që përdor rrjetet sociale, pa hequr dorë nga verifikimi i fakteve dhe raportimi investigativ. Kjo kërkon më shumë punë nga redaksitë e vogla, të cilave u duhet të përgatisin jo vetëm artikuj, por edhe video të shkurtra, materiale zanore dhe infografika.

Përvoja e ngjashme u soll edhe nga Marko Miletić, përfaqësues i medias Mašina në Serbi, i cili tregoi se redaksia e tij ka ndryshuar mënyrën e paraqitjes së lajmeve për t’iu përshtatur platformave të ndryshme.
“Ne jemi redaktorët e përmbajtjes sonë, por përpiqemi ta përshtatim dhe ta paraqesim në mënyra të ndryshme për publikë të ndryshëm në rrjetet sociale. Ne mbajmë përgjegjësi për atë që publikojmë, por problemi është se nuk i kontrollojmë vetë platformat”, tha Miletić.
Ai solli si shembull raportimin e protestave në Serbi, ku kufizimet e TikTok-ut për pamjet e dhunshme e shtynë redaksinë të mos publikonte video të caktuara në këtë rrjet, për të shmangur rrezikun e mbylljes së llogarisë. Të njëjtat pamje u publikuan në platforma të tjera.
Vështirësitë bëhen edhe më të mëdha për mediat e vendeve të vogla, të cilat e kanë të vështirë të komunikojnë drejtpërdrejt me kompanitë që drejtojnë rrjetet sociale.
Filip Stojanovski, nga Fondacioni Metamorphosis në Maqedoninë e Veriut, theksoi se këto kompani i marrin vendimet duke u mbështetur te fitimi dhe madhësia e tregut. Sipas tij, përafrimi i legjislacionit të vendeve të rajonit me atë të Bashkimit Evropian mund të ndihmojë që platformat të mbajnë më shumë përgjegjësi për mënyrën se si veprojnë.
Gjatë diskutimit u ngrit edhe shqetësimi se përmbajtjet që nxisin reagime të forta shpërndahen më lehtë në rrjetet sociale, ndërsa artikujt që verifikojnë informacionet e pasakta nuk marrin domosdoshmërisht të njëjtën vëmendje.
Pavarësisht këtyre vështirësive, pjesëmarrësit theksuan se përpjekja për të arritur më shumë lexues nuk duhet të ndikojë në saktësinë e raportimit. Miletić tregoi se gjatë protestave studentore në Serbi, redaksia e Mašina kishte vendosur të mos publikonte emra të pakonfirmuar, edhe pse kishte presion për t’i bërë publikë.
Ky shembull u soll për të theksuar se, pavarësisht shpejtësisë me të cilën shpërndahen lajmet në rrjetet sociale, përgjegjësia për verifikimin e informacionit mbetet te gazetarët.