Afrimi i të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe angazhimi për qytetin, ekspertët diskutojnë për Durrësin

Ekspertë, aktivistë dhe banorë të qytetit të Durrësit u mblodhën për të bashkëbiseduar për trashëgiminë kulturore më 25 shtator dhe kontributit të tyre për qytetin.

Forcimi i bashkëpunimit midis profesionistëve, medias dhe qytetarëve ishte në fokus të bashkëbisedimit që bashkoi ekspertë të trashëgimisë kulturore, aktivistë, profesionistë, gazetarë dhe banorë.

Video e plotë e takimit. Prodhoi: Media Amfora

“Është një takim i bukur, ku takohen të rinjtë, brezat, bashkë me arkeologët tanë, që japin një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë kam pasur fatin që të bashkëpunoj me të gjithë grupin e arkeologëve”, rrëfeu përshtypjet e tij restauratori Qazim Kërtusha.

Sipas tij duhet një fokusim më i madh për statusin që ka nëntoka e Durrësit, e cila është shpallur me një ligj të posaçëm si muze dhe duhet intensifikuar puna për njohjen dhe ruajtjen e saj.

Arkeologia Brikena Shkodra në kuadër të një projekti kërkimor me karakter shkencor prej pak javësh është përqendruar në lulishten pranë Sheshit Pranvera në Durrës, së bashku me studentë, për të njohur qytetin e Durrësit përgjatë periudhës së Antikitetit të Vonë.

“Njerëzit në pjesën më të madhe janë shumë të interesuar, japin përshtypje pozitive, kanë një lloj pasigurie me idenë se mos jemi duke gërmuar se duan të bëjnë një pallat edhe kjo është një nga frikërat e mëdha që i është krijuar njerëzve”, rrëfeu ajo për përshtypjet e qytetarëve.

Arkeologia e Institutit të Arkeologjisë, Brikena Shkodra duke folur gjatë aktivitetit. Foto: Klaudio Hyseni – Media Amfora

“Kënaqen kur mësojnë se ky është një gërmim që nuk bëhet për të njëjtin qëllim që janë mësuar të shohin zakonisht, por ka qëllime të tjera, kërkon të njohë historinë e qytetit”, përfundoi arkeologia e Institutit të Arkeologjisë, Brikena Shkodra.

Të pranishmit theksuan nevojën që brezat e rinj të njohin trashëgiminë kulturore të qytetit, të nxitet reflektimi i tyre për vlerat që ato përfaqësojnë dhe reagimi për ruajtjen e tyre, duke menduar fillimisht që të krijohej një tur i hapur për të rinjtë në qytetet, ku profesionistët t’i prezantojnë monumentet.

“Të gjitha historitë për qytetin ne nuk duhet t’i harrojmë dhe është pikërisht metodologjia, vëzhgimi kronologjik”, theksoi në bashkëbisedim planifikuesi i territorit, Artan Kacani.

Planifikuesi i territorit, Artan Kacani, duke folur gjatë aktivitetit. Foto: Klaudio Hyseni – Media Amfora

Nevoja e trajtimit të kujdesshëm nga ana e medias të problematikave që lidhen me historinë dhe trashëgiminë kulturore në qytetit ishte një kërkesë e profesionistëve, si edhe rritja e bashkëpunimit me të.

Përgjatë takimit u ftuan qytetarët, ekspertët dhe aktivistët që përmes platformës së quajtur “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” – të sjellin opinione, denoncime dhe sugjerime për tema që Media Amfora mund t’i raportojë.

Pjesëmarrësve ju prezantua platforma Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar. Foto: Klaudio Hyseni – Media Amfora

Takimi ishte një iniciativë e Medias Amfora, që mblodhi 30 ekspertë dhe qytetarë për të diskutuar mbi angazhimin e tyre të mëtejshëm në raport me qytetin.

“Trashëgimia është një nga pikat më të brishta, e cila duhet marrë në konsideratë për tu trajtuar jo vetëm sot, por për tu trajtuar në vazhdimësi. Duhet që komuniteti të edukohet përmes vlerave të trashëgimisë”, u shpreh Dorina Xheraj-Subashi, bashkë-themeluese e MuZEH Lab dhe lektore në fushën e turizmit.

_________

Foto në krye: Pamje nga aktiviteti i zhvilluar. Foto: Klaudio Hyseni Media Amfora


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109