Gjykata shpall fajtore Fatime Kryemadhin për pastrim parash

Fatime Kryemadhi, nëna e ish-deputetes Monika Kryemadhi, u shpall fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 5 vjet burg, me pezullim të pjesës së mbetur të dënimit. Gjykata shpalli të pafajshëm Piro Xhixhon për akuzën e korrupsionit, ndërsa dënoi Ema Çokun për pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dha të enjten, më 26 nëntor, vendimin për tre të pandehurit që po gjykoheshin veçmas në kuadër të dosjes penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.

Gjyqtarët Etleva Deda, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka shpallën fajtore për pastrim parash Fatime Kryemadhin, nënën e ish-deputetes Monika Kryemadhi dhe ish-vjehrrën e ish-presidentit Ilir Meta.

Gjykata e dënoi Kryemadhin me 7 vjet e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ajo përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar me 5 vjet burg.

Në vendimin e saj, gjykata përcaktoi “pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur”, duke e vendosur Kryemadhin në provë për dy vjet.

Gjatë kësaj periudhe, ajo nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale, duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës dhe nuk i lejohet të mbajë kontakte me persona të dënuar, me përjashtim të familjarëve.

Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për konfiskimin e vilës në pronësi të Fatime Kryemadhit.

Sipas vendimit të gjykatës, ndërtesa në pronësi të Fatime Kryemadhit ka një kat nëntokësor prej 139 metrash katrorë dhe një kat përdhe prej 152 metrash katrorë, nga të cilat 82 metra katrorë janë banesë dhe 70 metra katrorë verandë.

Kati i parë ka një sipërfaqe prej 79 metrash katrorë, ndërsa kati i dytë ka një sipërfaqe prej 51 metrash katrorë dhe një verandë prej 27.9 metrash katrorë.

Ndryshe nga Fatime Kryemadhi, ish-kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho, u shpall i pafajshëm.

SPAK e akuzonte Xhixhon për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim, por gjykata arriti në përfundimin se “nuk provohet që e ka kryer këtë vepër penale”.

Xhixhos iu hoq edhe detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, një masë sigurie që ishte caktuar ndaj tij më 23 tetor të vitit 2024.

Ema Çoku ishte dërguar në gjyq nga SPAK me akuzën e pastrimit të parave në bashkëpunim, por gjykata e shpalli fajtore për një tjetër vepër penale, atë të pengimit të zbulimit të së vërtetës.

Ajo u dënua me 2 vjet burg, që pas gjykimit të shkurtuar u ulën në 1 vit e 4 muaj. Gjykata pezulloi vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit dhe e vendosi Çokun në provë për 2 vjet e 8 muaj.

Ashtu si Fatime Kryemadhi, edhe Çoku nuk duhet të kryejë vepra të tjera penale gjatë periudhës së provës, duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës dhe nuk i lejohet të mbajë kontakte me persona të dënuar, përveç familjarëve.

Asaj iu hoq gjithashtu masa e detyrimit për paraqitje, e vendosur më 20 tetor të vitit 2024.

Dy gratë duhet të paguajnë bashkërisht edhe 450 mijë lekë për shpenzimet e hetimeve paraprake, krahas shpenzimeve të tjera të procesit gjyqësor.

Ndërsa procesi ndaj Fatime Kryemadhit, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, vijojnë të gjykohen me procedurën e zakonshme.

Akuzat e SPAK-ut ndaj Metës lidhen me çështjen CEZ-DIA dhe kontratën e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen gjithashtu se kanë ushtruar ndikim në favor të biznesmenëve Samir Mane dhe Adrian Shatku, në këmbim të favoreve.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-çifti nuk kishte mundësi financiare për blerjen e dy apartamenteve në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe nuk kishte deklaruar shpenzime.

Meta dhe Kryemadhi i kanë kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të motivuara politikisht.