AKU bllokon 54 tonë mish pule nga Brazili në Portin e Durrësit
Mospërputhjet në dokumentacionin shoqërues të dy ngarkesave me mish pule nga Brazili kanë çuar në bllokimin e tyre nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës, ndërsa një ngarkesë me 25 tonë miell dhe hime gruri është refuzuar në pikën kufitare të Morinës.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës. Foto ilustruese Media Amfora
Dy ngarkesa me 54 tonë mish pule, të importuara nga Brazili nga kompania “ZICO” sh.a., nuk janë lejuar të hyjnë në tregun shqiptar, pas kontrolleve të ushtruara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në pikën e inspektimit kufitar në Durrës.
Përmes një njoftimi publik, AKU bëri të ditur se kishte vendosur kthimin e ngarkesave në vendin e origjinës, pasi gjatë kontrollit ishin konstatuar mospërputhje në dokumentacion.
“Të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem”, njoftoi AKU, pa specifikuar se cilat të dhëna nuk përputheshin.
Probleme me dokumentacionin dhe etiketimin e produkteve ushqimore janë konstatuar edhe në pikën kufitare të Morinës, ku është refuzuar një ngarkesë me 7 tonë miell gruri dhe 18 tonë hime gruri, e importuar nga Kosova nga subjekti “Mirela Bërdufi”.
Në pjesën më të madhe të ngarkesës me miell nuk lexoheshin datat e prodhimit dhe të skadencës, ndërsa të dhënat për nivelin e proteinave të shënuara në ambalazh nuk përputheshin me ato në dokumentacionin shoqërues.
Mungonte gjithashtu fleta e analizës për aflatoksinën, ndërsa në të dyja produktet nuk ishte shënuar numri i lotit, përmes të cilit mund të identifikohej lidhja e produktit me dokumentacionin shoqërues.
Për shkak të këtyre problematikave, ngarkesa është kthyer në Kosovë.
Gjatë muajit nëntor, sipas të dhënave të AKU-së, në pikat e inspektimit kufitar në Shqipëri janë importuar 5.277 ngarkesa, prej të cilave 1.276 me produkte me origjinë shtazore 2.834 me origjinë joshtazore dhe 1.167 me produkte për mbrojtjen e bimëve dhe inpute bujqësore.
AKU raportoi se gjatë kësaj periudhe janë marrë 167 mostra, nga analizimi i të cilave deri më tani nuk janë konstatuar raste të mospërputhjes me standardet e kërkuara.