Shtatë vite pas tërmetit, KLSH zbulon abuzime në procesin e rindërtimit në Durrës

Kompani që kanë fituar tendera pa plotësuar kriteret, pagesa për punime të pakryera dhe riforcimi i një pallati pa leje ndërtimi janë disa nga gjetjet e auditimit të Bashkisë Durrës. Shtatë vite pas tërmetit të vitit 2019, KLSH ka konstatuar miliona lekë dëm ekonomik në procesin e rindërtimit.

Procesi i rindërtimit në Durrës, që për mijëra familje të prekura nga tërmeti përfaqësonte shpresën për t’u rikthyer në banesa të sigurta, rezulton të jetë shoqëruar me një sërë shkeljesh të dokumentuara në auditimin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Në raport evidentohen problematika që nga hartimi i kushteve për pjesëmarrjen e kompanive në tenderat e rindërtimit deri te zbatimi i kontratave dhe mbikëqyrja e punimeve.

Në një kontratë për riforcimin e 13 pallateve, audituesit zbuluan se kompanitë kishin marrë pagesa për vendosjen e kangjellave në shkallë dhe ballkone, suvatimin e mureve dhe veshjen e shkallëve me mermer, ndërsa nga verifikimet në terren rezultoi se një pjesë e këtyre punimeve nuk ishin kryer ose ishin përdorur materiale të tjera.

Ndonëse qeveria kishte premtuar përmbylljen e procesit të rindërtimit gjatë vitit 2022, Bashkia Durrës vijoi të zhvillonte tendera për riforcimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti edhe dy vite më vonë, ndërsa një pjesë e problematikave të shkaktuara nga tërmeti mbeten ende të pazgjidhura.

Mënyra se si ishin llogaritur punimet ngre pikëpyetje edhe për kontrollin e ndërhyrjeve që lidheshin me vetë riforcimin e ndërtesave, pasi në njërin prej pallateve punimet për përforcimin e murit ishin llogaritur dy herë, duke i mundësuar kompanisë përfitimin e padrejtë të parave publike.

“Ky situacion nuk është i konfirmuar nga mbikëqyrësi i punimeve”, evidenton KLSH, referuar dokumentacionit përfundimtar ku kompania kishte pasqyruar punimet e kryera dhe vlerën e tyre.

Vetëm në kontratën për riforcimin e këtyre 13 pallateve, KLSH ka konstatuar afro 7 milionë lekë dëm ekonomik në buxhetin e Bashkisë Durrës, pa përfshirë TVSH-në.

Një dëm ekonomik prej mbi 7.1 milionë lekësh është konstatuar edhe në kontratën për riforcimin e 12 pallateve dhe një banese individuale në Manëz, ku vetëm për transportin e materialeve të ndërtimit, që ishte përfshirë në çmimin e punimeve të prishjes, kompania kishte përfituar padrejtësisht mbi 4.2 milionë lekë.

Në një tjetër kontratë për riforcimin e shtatë pallateve, ku dëmi ekonomik arrinte në afro 5 milionë lekë, audituesit zbuluan se në njërën prej ndërtesave ishte paguar për veshjen me mermer të 216 metrave katrorë të sipërfaqes së shkallëve, punime që nga verifikimet në terren rezultuan të pakryera.

Ndërsa në disa pallate audituesit zbuluan mospërputhje mes punimeve të deklaruara dhe atyre të kryera, në një tjetër kontratë për riparimin e mjediseve të përbashkëta të 65 pallateve në Durrës, Sukth dhe Manëz, KLSH konstatoi se pesë ndërtesa ishin lënë jashtë punimeve. 

“Është ndërhyrë në 60 objekte, me të njëjtën vlerë dhe pa bërë një miratim sërish nga investitori, Bashkia Durrës”, shkruhet në raportin e auditimit.

Në të njëjtën kontratë, për parregullsitë në llogaritjen e transportit të materialeve dhe sipërfaqeve të lyera të ndërtesave, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej afro 483 mijë lekësh.

Probleme me pagesat për punimet janë evidentuar edhe në kontratën për riparimin e mjediseve të përbashkëta të pallateve në njësinë administrative nr. 5 të Durrësit, Sukth dhe Rrashbull, ku dëmi ekonomik i konstatuar nga audituesit arrinte në afro 2.4 milionë lekë.

Krahas mënyrës se si janë përdorur paratë për riparimin e pallateve, një tjetër problematikë e evidentuar nga KLSH lidhet me kohën që ka marrë riforcimi i tyre dhe zgjidhjet teknike të dhëna gjatë punimeve.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4, u mori jetën 51 personave në Shqipëri dhe la qindra të tjerë të plagosur, ndërsa për mijëra familje që mbetën jashtë banesave të tyre, përfundimi i punimeve të riforcimit përcaktonte edhe mundësinë e rikthimit në shtëpi.

Në një pallat 12-13 kate në rrugën “Jahja Ballhysa” në Durrës, ndërhyrja që ishte parashikuar të zgjaste më pak se gjashtë muaj u shtri në një periudhë prej afro dy vitesh, për shkak të problemeve teknike që dolën në pah gjatë punimeve.

Në nëntor të vitit 2021, vetëm disa muaj pas nisjes së riforcimit, Bashkia Durrës i ishte drejtuar projektuesit për problematikat e hasura “në lidhje me plasaritjet dhe çarjet në strukturat mbajtëse”, duke pezulluar punimet deri në dhënien e një zgjidhjeje teknike.

“Pas ndryshimeve në projekt, nuk është kërkuar dhe nuk ka oponencë për projektin e rishikuar, i cili ka ndryshime thelbësore nga projekti bazë në strukturat mbajtëse të objektit”, shkruhet në raportin e KLSH-së.

Krahas mangësive në dokumentacionin teknik, në kontratën për riforcimin e këtij pallati audituesit konstatuan edhe afro 4.7 milionë lekë dëm ekonomik për punime të paguara, por të pakryera ose të llogaritura në mënyrë të pasaktë.

Oponenca teknike, përmes së cilës specialistët shqyrtojnë zgjidhjet e dhëna nga projektuesit për ndërhyrjen në ndërtesë, mungonte edhe në dokumentacionin për riforcimin e pallatit “Big Kristi” në rrugën “Neki Libohova”, ku kompania kishte nisur punimet pa marrë as lejen e ndërtimit.

Vonesat në përfundimin e punimeve kanë shoqëruar edhe riforcimin e pallateve të tjera, ku krahas problemeve të hasura në zbatimin e projekteve dhe vështirësive për lirimin e ambienteve nga banorët, janë dokumentuar edhe vonesa në kryerjen e pagesave ndaj kompanive.

Mangësi në kontrollin e ndërtimeve në territorin e bashkisë KLSH ka konstatuar edhe në veprimtarinë e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Në 200 raste, kryeinspektori nuk kishte nxjerrë urdhrat për zbatimin e vendimeve të prishjes së ndërtimeve të paligjshme, ndërsa në 23 raste, ku audituesit konstatuan elemente të veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, inspektorati nuk kishte njoftuar organet ligjzbatuese.

Audituesit kanë evidentuar trajtim të ndryshëm të rasteve të ngjashme, ndërsa në 65 raste gjobat për ndërtimet pa leje nuk ishin llogaritur sipas përcaktimeve të ligjit.

Nga afro 79.5 milionë lekë gjoba të vendosura gjatë viteve 2023 dhe 2024, ishin arkëtuar vullnetarisht vetëm 9.6 milionë lekë, ndërsa në 252 raste mungonte konfirmimi se personat apo kompanitë e gjobitura ishin njoftuar.

Auditimi i KLSH-së, i zhvilluar nga 14 nëntori 2024 deri më 27 janar 2026, përfshiu veprimtarinë e Bashkisë Durrës gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të pasqyruara në raportin përfundimtar të tetorit 2026.

Në rastin e rindërtimit, problematikat nisnin që me përzgjedhjen e kompanive të cilave bashkia u besonte riforcimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti.

Për pallatin “Big Kristi” dhe dy pallatet në rrugën “Pelikan” ishte përzgjedhur i njëjti bashkim kompanish ndërtimi, ndonëse për të dyja kontratat ishin deklaruar të njëjtat makineri, punonjës dhe drejtues teknikë, çka, sipas audituesve, duhej të kishte çuar në përjashtimin e kompanive nga njëra prej garave.

Në tenderat për riforcimin e pallateve në rrugët “Iljaz Reka” dhe “Abaz Elkupa”, nga shtatë pjesëmarrës në secilën garë ishte kualifikuar vetëm një, ndërkohë që audituesit zbuluan mangësi edhe në dokumentacionin e fituesve, lidhur me makineritë, licencat dhe dokumentet e kërkuara për kryerjen e punimeve.

Një trajtim i pabarabartë i kompanive është evidentuar edhe në tenderin për pallatin “Big Kristi”, ku një mospërputhje në dokumentacionin e pagave të punonjësve kishte shërbyer si arsye për përjashtimin e një konkurrenti, por e njëjta mangësi ishte toleruar për fituesin.

Krahas mënyrës se si ishin përzgjedhur kompanitë, audituesit konstatuan se disa prej punonjësve të bashkisë nuk kishin nënshkruar deklaratat përmes të cilave duhej të konfirmonin se nuk kishin interesa personale që mund të ndikonin në vendimmarrjen e tyre.

Nga programi i rindërtimit pritej që, përveç familjeve, edhe nxënësit të riktheheshin në godina të sigurta, por shkelje në zhvillimin e tenderave KLSH ka konstatuar edhe për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Vadardh të Sukthit dhe gjimnazit në Manëz, ku bashkia kishte vendosur kushte të paargumentuara për kompanitë pjesëmarrëse.

Për parregullsitë në përzgjedhjen e kompanive, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik marrjen e masave disiplinore dhe administrative ndaj punonjësve përgjegjës, ndërsa për dëmin ekonomik të konstatuar në kontratat e riforcimit dhe riparimit të pallateve ka rekomanduar masa administrative ndaj mbikëqyrësve të punimeve.

Marrjen e masave administrative KLSH e ka rekomanduar edhe ndaj bashkimit të kompanive që kishte nisur riforcimin e pallatit “Big Kristi” pa leje ndërtimi. Në prag të përvjetorit të shtatë të tërmetit të 26 nëntorit, gjetjet e KLSH-së rikthejnë në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mënyrën se si u përdorën fondet publike dhe u garantua siguria e banesave të dëmtuara.