Sulmi ndaj anijes luftarake ruse në Libi i faturohet Shqipërisë pa prova

Pretendimet se dronët që goditën një anije luftarake ruse në Libi ishin nisur nga Shqipëria u përhapën në mediat në internet dhe rrjetet sociale, pa u shoqëruar me prova të verifikueshme. Ministria e Jashtme mohoi përfshirjen e Shqipërisë, ndërsa presidenti ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi se sulmi ishte kryer nga forcat ukrainase.

Të dielën e 22 nëntorit, një anije luftarake ruse u godit nga dronë detarë në portin e Bengazit, në Libinë lindore, ndërsa publikimet në mediat në internet dhe rrjetet sociale pretenduan se mjetet ishin nisur nga Shqipëria, pa paraqitur prova të verifikueshme, akuza që u hodhën poshtë zyrtarisht nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ndërkohë që Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin.

“Goditet anija ruse në Libi, raportohet se droni u nis nga Shqipëria”, shkroi faqja në Instagram, “Ilirialajme”, ku shfaqej një hartë me itinerarin e pretenduar të dronit nga Vlora drejt Bengazit, krahas fotografive të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Por Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e mohoi zyrtarisht përfshirjen e Shqipërisë në sulmin ndaj anijes luftarake ruse në Libi, duke i cilësuar të pasakta raportimet se dronët ishin nisur nga territori shqiptar.

“Shqipëria nuk u përfshi në këtë incident dhe territori i saj as nuk u përdor dhe as nuk u vu në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, shkruhet në deklaratën e ministrisë.

Ky nuk ishte i vetmi publikim që e lidhi Shqipërinë me sulmin ndaj anijes ruse në Libi, teksa të tjera kanale e ndanë informacionin megjithëse të pakonfirmuar. Teksa në gjuhën angleze apo edhe gjuhë të tjera u përhapën gjerësisht, një artikull i medias turke “Haberler” përfundoi edhe në hapësirën mediatike vendase.

“Sulmohet anija luftarake ruse në Libi, 10 të plagosur! Mediat turke: Dronët u nisën nga Shqipëria”, ishte titulli i një postimi të medias në internet “Vatani News”. Më tej, duke iu referuar medias turke, ai përcolli pretendimin se dronët mund të ishin nisur nga Shqipëria, duke përmendur edhe anëtarësimin e vendit në NATO, por sqaroi se ky informacion mbetej ende i pakonfirmuar.

Ndërsa kanalet informuese shqiptare përcollën pretendimet për nisjen e mundshme të dronëve nga Shqipëria, në platformën “X” u përhapën publikime që shkonin më tej, duke pretenduar se autoritetet e Libisë lindore kishin zbuluar vendnisjen e tyre dhe se informacionet për një sulm nga Libia perëndimore synonin të largonin vëmendjen nga territori shqiptar.

“Dronët u nisën nga Shqipëria, jo nga Libia perëndimore”, pretendoi fillimisht “Clash Report”, një platformë informative me bazë në Turqi, që publikon kryesisht lajme dhe zhvillime mbi konfliktet ushtarake, sigurinë dhe gjeopolitikën ndërkombëtare. 

Sipas saj, një burim i paidentifikuar kishte pohuar se autoritetet e Libisë lindore kishin zbuluar vendnisjen e dronëve dhe se versioni për nisjen nga Libia perëndimore ishte përhapur për të larguar vëmendjen nga Shqipëria – megjithëse ajo nuk paraqiti prova që të mbështesnin këto pretendime.

Një llogari tjetër në platformën X, “Visioner”, që publikon informacione për zhvillimet ushtarake, pretendoi se dronët mund të ishin nisur nga brigjet shqiptare dhe të kishin përshkuar më shumë se 800 kilometra në Detin Mesdhe përpara se të arrinin në Bengazi. Por publikimi nuk paraqiti prova për vendnisjen e dronëve apo rrugën që kishin ndjekur.

Teksa pretendimet për nisjen e dronëve nga Shqipëria po merrnin jehonë në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, nga Kievi erdhën fakte të reja për autorët dhe mënyrën e kryerjes së sulmit ndaj anijes luftarake ruse në Libi.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, mori përgjegjësinë për sulmin ndaj anijes ruse “Merkury”, duke deklaruar se forcat ukrainase kishin përdorur 7 dronë detarë të prodhuar në Ukrainë.

“Gjithçka ndodhi pranë brigjeve të Libisë. Ushtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të armikut për ta penguar sulmin, anija luftarake ruse ‘Merkury’ u fundos”, shkroi Zelenski në platformën X.

Narrativa që e paraqiste Shqipërinë si vendnisjen e dronëve u mbështet në disa pretendime të ndryshme, nga pohimet se autoritetet e Libisë lindore kishin zbuluar origjinën e sulmit, te përllogaritjet për distancën që mund të kishin përshkuar dronët, lëvizjet e anijeve tregtare dhe ekzistenca e një baze të supozuar të mjeteve detare pa ekuipazh në territorin shqiptar.

“Një dron detar sulmues, i cili raportohet se ka goditur një korvetë ruse pranë bregdetit të Libisë, thuhet se është nisur nga Shqipëria, duke përshkuar më shumë se 800 kilometra përmes Detit Mesdhe përpara se të arrinte në objektivin e tij”, shkroi llogaria “Luka Дунав Intel” në platformën X, e cila fokusohet në zhvillimet ushtarake dhe gjeopolitike, veçanërisht në Serbi, Kosovë dhe Republikën Srpska, me një këndvështrim të orientuar drejt interesave serbe.

Një tjetër publikim, nga “Epirote Report”, një llogari në platformën X, përcolli të njëjtin pretendim për nisjen nga Shqipëria dhe udhëtimin e gjatë në Mesdhe, pa paraqitur të dhëna që të vërtetonin itinerarin e dronëve.

Një tjetër pistë që u përmend në publikimet për sulmin ndaj anijes ruse lidhej me lëvizjet e anijeve tregtare mes Libisë dhe Shqipërisë. Në këtë rast, të dhënat për udhëtimet detare u përdorën për të ngritur pyetje mbi një lidhje të mundshme me sulmin, megjithëse nuk tregonin se dronët ishin nisur nga territori shqiptar.

Narrativat çorientuese lidhën Shqipërinë me anijet e sulmuara

Një tjetër përpjekje për ta lidhur Shqipërinë me sulmin ndaj anijes luftarake ruse “Merkury” në Bengazi u shfaq në publikimin e llogarisë “DD Geopolitics”, e cila shpërndau të dhëna nga “Dunav Intel” mbi lëvizjet e anijes tregtare “Queen Vivian”. 

Por sipas regjistrave të gjurmimit detar, anija me flamur liberian ishte nisur nga Misrata e Libisë më 11 nëntor, kishte qëndruar në Shqipëri nga 14 deri më 16 nëntor dhe kishte mbërritur në Aleksandri të Egjiptit më 19 nëntor, tri ditë përpara sulmit në Bengazi. 

Ajo ndau pjesë të një videoje që mbanin logon e televizionit të libanit “Almasar TV” dhe që publikoi më 22 nëntor pamje që pretendonte se tregonin goditjen e një anijeje tregtare nga një dron detar ukrainas pranë Bengazit. 

Sulmi ishte i veçuar nga goditja ndaj korvetës luftarake ruse “Merkury”, teksa këtë të hënë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski konfirmoi se forcat ukrainase kishin goditur dy objektiva detarë në Libi, duke identifikuar anijen tregtare si “MV Angara”. 

Megjithatë, burime të ndryshme raportuan identitete të tjera për këtë anije, përfshirë pretendimin fillestar se mbante flamurin maltez, por deri më tani asnjë nga këto raportime nuk provon përfshirjen e anijes tregtare “Queen Vivian”, e cila kishte lundruar drejt Shqipërisë disa ditë përpara sulmit, apo pretendimin se dronët ukrainas ishin nisur nga territori shqiptar.

Nga ana tjetër, pretendimet për lidhjen e Shqipërisë me sulmin ndaj anijes ruse shkuan deri te pohimet për ekzistencën e një baze dronësh detarë në territorin shqiptar, të lidhur me NATO-n dhe Ukrainën. 

“Peshkatarët grekë kanë raportuar se kanë gjetur një dron detar në rrjetat e tyre. Ushtria e NATO-s dhe Ukrainës ka një bazë dronësh detarë në Shqipëri”, shkroi në gjuhën frënge llogaria “Philiponet” në platformën X.

Nga verifikimi i kryer nga “Observatori i Reziliencës” në Median Amfora, krahas pretendimeve për përfshirjen e Shqipërisë, në platformën X u publikuan edhe informacione që e lidhnin sulmin ndaj anijes ruse me zhvillimet ushtarake brenda Libisë, ku pushteti ndahet mes administratave rivale në lindje dhe perëndim të vendit.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press” (AP), duke cituar dy zyrtarë ushtarakë libianë që folën në kushte anonimiteti, raportoi se hetimet paraprake tregonin që dronët ishin nisur nga një bazë e përdorur nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore. Sipas zyrtarëve, katër dronë u kapën dhe u shkatërruan, ndërsa dy të tjerë goditën anijen ruse “Merkury”.

Anija luftarake e sulmuar, “Merkury”, ishte pjesë e Flotës Ruse të Detit të Zi dhe kishte ndaluar në këtë port për t’u furnizuar me karburant dhe ushqime, ndërsa po kthehej drejt Rusisë. Ajo ishte një “korvetë”, një lloj anijeje luftarake relativisht e vogël, e pajisur me armë dhe raketa, që përdoret për të patrulluar në det, për të mbrojtur anije të tjera dhe për të sulmuar objektiva të caktuara.

Sipas faqes ndërkombëtare të lajmeve “Naval News”, e cila raporton për anijet dhe forcat ushtarake detare, “Merkury” kishte hyrë në shërbim më 15 maj 2023. Ajo ishte pjesë e Flotës Ruse të Detit të Zi, grupit të anijeve luftarake që Rusia ka në këtë rajon.

Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, institucioni që merret me mbrojtjen e vendit nga kërcënimet ndaj sigurisë, anija ruse “Merkury” përdorej edhe për të shoqëruar dhe mbrojtur anije të tjera që transportonin armë, pajisje dhe furnizime për ushtrinë ruse, siç raportoi edhe agjencia ukrainase e lajmeve “Ukrinform”.

Sa i përket mënyrës se si u krye sulmi, ndaj anijes ruse u përdorën dronë detarë, mjete që lundrojnë pa njerëz në bord dhe drejtohen nga distanca. Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, e cila raportoi mbi pamjet satelitore, pjesa më e madhe e anijes ishte përmbysur dhe kishte përfunduar nën ujë. Nga sulmi u raportuan edhe dhjetë persona të plagosur.

Pas sulmit, autoritetet e Libisë lindore e dënuan ngjarjen dhe njoftuan se do të hetonin së bashku me Rusinë për të zbuluar se nga ishin nisur dronët dhe si ishte kryer. Sipas publikimit të agjencisë ruse “Interfax”, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i pyetur për përgjigjen e mundshme ndaj sulmeve ukrainase në Libi dhe Detin Baltik, deklaroi se sulmet ruse ndaj infrastrukturës ushtarake ukrainase do të vazhdojnë dhe do të kenë pasoja të dhimbshme për Kievin.