Bllokohet anija me karburant në Durrës, rikthehen dyshimet për kontrabandë në port

Një anije është bllokuar në Portin e Durrësit, pasi gjatë një kontrolli doganor u zbuluan rreth 16.8 tonë karburant që dyshohet se nuk ishin deklaruar. Ky nuk është rasti i parë i dyshimeve për kontrabandë karburanti në zonën portuale të Durrësit, ku edhe në vitet 2023 dhe 2025 janë zbuluar raste të ngjashme, që kanë çuar në bllokimin e anijeve dhe hetimin e personave të përfshirë.

Një anije që ndodhej në Portin e Durrësit është bllokuar nga dogana, pasi gjatë një kontrolli u zbuluan sasi karburanti që dyshohet se ishin të padeklaruara.  

“Gjatë kontrollit të punonjësve të doganës u evidentuan rreth 16.8 tonë karburant të dyshuara si të padeklaruara dhe të nxjerrë kontrabandë nga anija”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave më 19 nëntor.

Anija ndodhej e ankoruar në një nga kalatat e portit kur u kontrollua nga punonjësit e Doganës së Durrësit. Kontrolli u krye pas informacioneve për mospërputhje në sasinë e karburantit që ishte deklaruar.

Pas zbulimit të sasisë së dyshuar të padeklaruar, autoritetet doganore mbajtën procesverbalin e kontrollit dhe vendosën bllokimin e anijes për të vijuar verifikimet.

Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk bëhet i ditur emri i anijes, flamuri që mbante apo kompania që e administron. Autoritetet nuk kanë sqaruar as llojin dhe origjinën e karburantit, vlerën e tij apo mënyrën se si dyshohet se është nxjerrë kontrabandë.

Deklarimi i karburantit që mbahet në anije është pjesë e kontrolleve doganore, të cilat shërbejnë për të verifikuar sasinë dhe respektimin e detyrimeve ligjore. Mospërputhja mes sasisë së deklaruar dhe asaj të konstatuar mund të sjellë kontrolle të mëtejshme për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje.

Doganat nuk kanë njoftuar nëse për këtë rast janë marrë masa ndaj personave përgjegjës apo nëse materialet i janë referuar Prokurorisë. Deri tani, bëhet fjalë për një rast të dyshuar kontrabande, për të cilin vijojnë verifikimet.

Porti i Durrësit është përfshirë edhe më parë në hetime për kontrabandë karburanti. Në shkurt 2023, gjatë operacionit “Embargo”, Policia e Shtetit bllokoi një anije me flamur liberian që transportonte 22 mijë e 500 tonë naftë, e dyshuar si kontrabandë. Sipas policisë, anija kishte dokumentacion të falsifikuar, ndërsa kapiteni i saj u arrestua gjatë hetimeve.

Një tjetër rast u zbulua në janar 2025 në Porto Romano, ku hetimet përfshinë kontrabandimin e 200 tonëve naftë nga një anije me flamur tunizian. Siç ka raportuar Media Amfora, në tetor 2025 SPAK dërgoi për gjykim 11 persona, mes tyre edhe një punonjës policie, të akuzuar për kontrabandë, korrupsion dhe vjedhje në lidhje me këtë çështje.