Drejtuesi i Qendrës Amfora, Geri Emiri, pjesë e konferencës ndërkombëtare për gazetarinë lokale në Sarajevë

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Pse na nevojitet gazetaria lokale”, të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në Sarajevë. Pavarësia editoriale, presionet ndaj gazetarëve lokalë dhe qëndrueshmëria financiare e mediave ishin ndër temat kryesore të diskutimeve mes profesionistëve të medias nga Evropa Juglindore, Gjermania dhe Franca.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare kushtuar gazetarisë lokale, që u zhvillua më 4 dhe 5 nëntor në Sarajevë, në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Konferenca me temë “Pse na nevojitet gazetaria lokale” u organizua nga Programi i Medias për Evropën Juglindore i Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), duke mbledhur gazetarë, drejtues mediash dhe ekspertë nga tetë vende evropiane.

Emiri ishte pjesë e panelit kushtuar sfidave të gazetarëve që raportojnë për pushtetin vendor dhe për personat me të cilët jetojnë në të njëjtin komunitet.

Marrëdhëniet e gazetarëve me drejtuesit e pushtetit vendor, vështirësitë e raportimit për çështjet me interes publik dhe ruajtja e pavarësisë editoriale ishin në fokus të këtij diskutimi.

Përmes pjesëmarrjes në panel, Media Amfora pati mundësinë të ndante përvojën e saj si një media e pavarur, që ushtron veprimtarinë në Durrës dhe ka në fokus raportimin e thelluar për çështjet që lidhen me transparencën, demokracinë, korrupsionin dhe dezinformimin. 

Konferenca përfshiu edhe diskutime mbi besimin e qytetarëve te mediat lokale, mundësitë për sigurimin e të ardhurave dhe përshtatjen e mediave me nevojat e lexuesve dhe zhvillimet teknologjike.

Një pjesë e programit iu kushtua rolit të UNESCO-s në mbështetjen e gazetarisë lokale, me pjesëmarrjen e Sylvie Coudray, drejtuese e programeve për lirinë e shprehjes dhe zhvillimin e medias në këtë organizatë.

Nga Shqipëria, në konferencë mori pjesë edhe Bepin Kolvataj, kryeredaktor i TV1 Channel në Shkodër, në panelin kushtuar përfshirjes së lajmeve lokale në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Drejtuesi i Media Amfora, Geri Emiri, gjatë diskutimeve në konferencën ndërkombëtare për gazetarinë lokale në Sarajevë.
Drejtuesi i Media Amfora, Geri Emiri, gjatë diskutimeve në konferencën ndërkombëtare për gazetarinë lokale në Sarajevë.

Sipas organizatorëve, pavarësisht dallimeve mes vendeve, mediat lokale në rajon përballen me probleme të ngjashme, që lidhen kryesisht me mungesën e burimeve financiare, presionet nga pushteti vendor dhe vështirësitë për të arritur te publiku.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të mediave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Serbia, si dhe nga Gjermania dhe Franca.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar i dha Amforës mundësinë të shkëmbejë përvoja me profesionistë të medias që përballen me sfida të ngjashme, të njihet me praktikat e mediave lokale në vende të tjera dhe të zgjerojë kontaktet për bashkëpunime në të ardhmen.