Shtyhet Panairi i Librit në Tiranë, situata e tensionuar zhvendos organizimin në dhjetor

Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” është shtyrë për në dhjetor, për shkak të situatës së tensionuar në kryeqytet. Organizatorët shprehen të shqetësuar se zhvillimet e fundit në kryeqytet mund të pengojnë pjesëmarrjen e lexuesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve.

Këtë vit, të apasionuarit pas librit do të duhet të presin edhe një muaj për të zbuluar botimet e reja dhe për të takuar shkrimtarët e tyre të preferuar, pasi Panairi i 29-të i Librit i parashikuar për 11-15 nëntor, është shtyrë. Vendimi u bë publik më 3 nëntor nga organizatorët, të cilët e lidhën me situatën e tensionuar në kryeqytet dhe shqetësimin për pjesëmarrjen e lexuesve.

“Për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve”, shkruhej në njoftimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptar.  

Organizatorët sqaruan se panairi nuk është anuluar dhe se do të mbahet brenda këtij viti, megjithëse ende nuk ka një datë të re për zhvillimin e tij. 

“Ju njoftojmë se Panairi i 29 i Librit ‘Tirana 2026’ do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti. Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt”, njoftuan organizatorët.

Organizatorët shpjeguan se vendimi ishte marrë pas këshillimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues, duke vlerësuar se kushtet aktuale nuk do të garantonin pjesëmarrjen e duhur në panair.

Vendimi për shtyrjen e panairit vjen në një periudhë kur Tirana është përfshirë nga protestat e studentëve dhe të rinjve, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestat, të nisura në tetor, janë shoqëruar me tubime të vazhdueshme në kryeqytet, ndërsa në disa raste ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë, persona të lënduar dhe arrestime.

Gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit në Tiranë, 23 persona morën trajtim mjekësor, ndërsa policia njoftoi arrestimin e 23 personave. Përplasjet dhe ndërhyrjet e policisë kanë nxitur reagime të organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat kanë kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës dhe mbrojtjen e së drejtës për tubim paqësor.

Më 28 tetor, qeveria miratoi ndryshime në ligjin për tubimet, duke vendosur kufizime të reja dhe duke rritur gjobat për shkelje të caktuara. Masat u kundërshtuan nga 13 organizata të shoqërisë civile, të cilat paralajmëruan për ndikimin e tyre mbi të drejtën e protestës.

Në këtë situatë, organizatorët e Panairit të Librit kanë zgjedhur ta zhvendosin aktivitetin në dhjetor, me synimin që të sigurojnë pjesëmarrje më të gjerë të lexuesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve.

Datat e reja të panairit pritet të bëhen publike nga grupi organizator.