SMS mashtruese në emër të bankave, qytetarëve u kërkohen të dhënat personale

Mesazhe të rreme në emër të bankave po përdoren për t’u kërkuar qytetarëve të dhënat personale dhe bankare, duke rrezikuar paratë në llogaritë e tyre. Policia e Shtetit paralajmëron se këto SMS përmbajnë lidhje drejt faqeve të falsifikuara dhe u bën thirrje qytetarëve të mos japin fjalëkalimet apo kodet e sigurisë.

Qytetarët po përballen me një formë mashtrimi përmes mesazheve telefonike, të cilat duken sikur dërgohen nga bankat. Policia e Shtetit ka paralajmëruar se persona të paidentifikuar po përdorin emrat e institucioneve bankare për t’i drejtuar qytetarët drejt faqeve të rreme në internet, me qëllim marrjen e të dhënave të tyre dhe vjedhjen e parave nga llogaritë.

Sipas njoftimit të strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik, mesazhet u kërkojnë qytetarëve të verifikojnë identitetin brenda një afati të shkurtër, zakonisht prej 24 ose 31 orësh. Brenda tyre vendoset një lidhje që duket sikur të çon në faqen e bankës.

“Në përmbajtje të këtyre mesazheve vendosen lidhje elektronike (linke), të cilat nuk u përkasin faqeve zyrtare të bankave, por synojnë t’i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara për të përvetësuar të dhënat e tyre”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Nëse qytetari hap lidhjen dhe plotëson të dhënat e kërkuara, ato mund të përfundojnë në duart e autorëve të mashtrimit. Bëhet fjalë për numrat e kartave bankare, fjalëkalimet dhe kodet e verifikimit që përdoren për të hyrë në llogari ose për të kryer pagesa.

Autorët përpiqen t’i bëjnë mesazhet të besueshme duke përdorur emrin e një banke dhe duke krijuar përshtypjen se qytetari duhet të veprojë menjëherë, për të mos humbur aksesin në shërbimet bankare.

Policia e Shtetit e cilëson këtë mënyrë mashtrimi si “Smishing”, një formë e vjedhjes së të dhënave përmes SMS-ve.

“Përdorimi i emrit të një institucioni bankar në një SMS nuk do të thotë se mesazhi është dërguar nga vetë banka”, sqaroi policia.

Për të shmangur rrezikun, qytetarëve u kërkohet të mos hapin lidhjet e dyshimta dhe të mos vendosin të dhënat e kartave, fjalëkalimet apo kodet e sigurisë në faqet që hapen përmes këtyre mesazheve.

Nëse marrin një SMS që u kërkon verifikimin urgjent të identitetit, qytetarët duhet të kontaktojnë drejtpërdrejt bankën përmes numrit të telefonit ose faqes së saj zyrtare, pa përdorur lidhjen e dërguar në mesazh.

“Nëse keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një lidhje të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës apo të aksesit në llogari dhe raportoni rastin në Polici”, shkruhet në paralajmërim.

Policia u kërkon qytetarëve që kanë marrë mesazhe të tilla ose kanë rënë viktimë e mashtrimit t’i denoncojnë rastet, duke ruajtur SMS-të, numrat e telefonit dhe lidhjet që u janë dërguar.

Strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik po vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe parandalimin e dëmeve financiare. Në njoftim nuk jepen shifra për numrin e rasteve të evidentuara apo shumën e parave që mund të jenë përvetësuar.