Antiterrori heton postimet rreth protestave në rrjetet sociale, 17 të proceduar penalisht

Hetimet për protestat e studentëve dhe të rinjve janë shtrirë edhe te publikimet në rrjetet sociale, ku 17 persona janë proceduar penalisht për veprime që autoritetet i konsiderojnë të kundërligjshme. Drejtoria e Antiterrorit po kërkon gjithashtu identifikimin e personave që administrojnë tetë llogari të tjera, ku dyshohet se janë bërë thirrje për dhunë gjatë tubimeve.

Drejtoria e Antiterrorit njoftoi të mërkurën për procedimin penal të 17 personave, në kuadër të hetimeve për protestat e nisura më 13 tetor në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duke u përqendruar kryesisht te postimet dhe komentet në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar dyshohen për thirrje publike për veprime të dhunshme, kërcënime dhe vepra të tjera penale që autoritetet i lidhin me protestat e javëve të fundit.

Mes rasteve të përmendura është ai i një 34-vjeçari, i cili dyshohet se ka bërë thirrje për dhunë në Instagram. Policia pretendon gjithashtu se ai kishte hapur një llogari për mbledhjen e fondeve në platformën “GoFundMe”, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta. 

Gjatë kontrollit, atij i është sekuestruar edhe një dokument me të cilin, sipas Policisë, prezantohej si gazetar për të shmangur kufizimet dhe shoqërimin nga efektivët. 

Një tjetër rast lidhet me një 37-vjeçar që dyshohet se ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me komente fyese dhe kërcënuese.

Sipas Policisë, publikimet mund të rrezikojnë sigurinë e efektivëve dhe familjarëve të tyre.

Në njoftim përmendet gjithashtu procedimi i një 51-vjeçari nga Shëngjini, i dyshuar se ka publikuar video ku ofronte para për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë.

Për 11 persona të tjerë, policia tha se ka referuar materialet në prokurori, pasi dyshohet se përmes postimeve, mesazheve dhe komenteve në platforma të ndryshme kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme gjatë protestave.

Në mesin e të proceduarve është edhe një 20-vjeçar, i dyshuar se ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën e Universitetit Politeknik gjatë një proteste.

Ndërkohë, autoritetet po punojnë për identifikimin e administratorëve të tetë llogarive të tjera në rrjetet sociale, për të cilat janë referuar materiale në prokurori lidhur me thirrje të dyshuara për dhunë.

Hetimet ndaj publikimeve në internet zhvillohen në një kohë kur protestat studentore janë shoqëruar me arrestime, persona të lënduar dhe denoncime për përdorim të tepruar të forcës nga policia.

Gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit, 23 persona morën trajtim mjekësor, ndërsa policia njoftoi 23 arrestime. Një protestues 28-vjeçar pësoi dëmtim të rëndë në sy dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.

Ndërhyrjet policore janë bërë edhe objekt i një kallëzimi në SPAK nga organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe studentë, të cilët kërkojnë hetimin e mbi 180 rasteve të pretenduara të dhunës dhe shkeljeve gjatë protestave.

Për 17 personat e proceduar dhe llogaritë në verifikim, Policia njofton se materialet janë referuar në prokuroritë kompetente. Pretendimet e ngritura ndaj tyre mbeten objekt hetimi dhe nuk përbëjnë fajësi të provuar.