Protestat studentore, qeveria kufizon tubimet dhe rrit gjobat deri në 500 mijë lekë
Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në ligjin për tubimet, duke zgjeruar mundësinë e kufizimit të protestave pranë institucioneve publike dhe duke rritur gjobat për shkelje të caktuara deri në 500 mijë lekë. Vendimi vjen pas më shumë se dy javësh protestash të studentëve dhe të rinjve, të shoqëruara me arrestime, persona të lënduar dhe denoncime për dhunë policore.
Gjatë protestave studentore në Tiranë. Foto: Media Amfora
Këshilli i Ministrave miratoi më 28 tetor një akt normativ që ndryshon ligjin “Për tubimet”, duke vendosur rregulla të reja për zhvillimin e protestave në Shqipëri. Ndryshimet parashikojnë kufizimin e tubimeve pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, largimin e personave nga zona të caktuara, si dhe rritjen e gjobave.
Sipas aktit të publikuar nga Kryeministria, drejtuesi i policisë vendore, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë protestat në një zonë të caktuar pranë këtyre institucioneve për një periudhë deri në 72 orë. Vendimi mund të zgjatet vetëm një herë, duke e çuar kufizimin deri në gjashtë ditë.
Ky kufizim lejohet vetëm kur ka një rrezik të rëndë dhe të afërt për dhunë ose dëmtim të pronës, të mbështetur në fakte konkrete.
“Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës”, përcakton akti normativ për rastet kur mund të kufizohen tubimet.
Vendimi duhet të publikohet dhe të shpjegojë arsyet, kohëzgjatjen dhe zonën ku zbatohet. Qytetarët mund ta kundërshtojnë në gjykatën administrative, por ankimi nuk e pezullon automatikisht kufizimin.
Ndryshimet i japin gjithashtu policisë mundësinë të urdhërojë largimin e një personi deri në 48 orë nga zona të caktuara, përfshirë hapësirat pranë shkollave, spitaleve, terminaleve të transportit dhe monumenteve të kulturës. Kjo masë lidhet me sjellje konkrete, si ushtrimi i dhunës, kërcënimet ose dëmtimi i pronës. Akti përcakton se largimi nuk mund të urdhërohet vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një protestë paqësore.
Një tjetër ndryshim është rritja e gjobave për shkeljet e ligjit për tubimet. Për disa prej tyre, gjobat nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë bëhen nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Në raste të caktuara të mosbindjes ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit, gjoba mund të arrijë në 200 mijë lekë. Ndërsa gjoba më e lartë, deri në 500 mijë lekë, parashikohet kur një person nuk i bindet një urdhri të caktuar shpërndarjeje dhe njëkohësisht ka fshehur identitetin.
Për bllokimin e rrugëve gjatë protestave parashikohet një gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo person dhe për çdo ditë bllokimi, kur veprimi nuk përbën vepër penale.
Ndryshimet vijnë pas protestave të nisura më 13 tetor nga studentë dhe të rinj, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim, kundërshtojnë korrupsionin dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit në Tiranë, 23 persona morën trajtim mjekësor, mes tyre 13 protestues, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 23 personave. Një protestues 28-vjeçar pësoi dëmtim të rëndë në sy dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërhyrjet e policisë gjatë protestave kanë sjellë edhe denoncime nga organizatat e shoqërisë civile. Qendra “Res Publica”, organizata të tjera, avokatë dhe studentë kallëzuan në SPAK drejtues të Policisë së Shtetit, duke kërkuar hetimin e mbi 180 rasteve të pretenduara të përdorimit të paligjshëm të forcës.
Në një reagim të përbashkët, 18 organizata të shoqërisë civile kishin kërkuar më herët ndalimin e dhunës dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore.
Akti normativ i miratuar nga qeveria parashikon hyrjen në fuqi menjëherë dhe botimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa duhet ti paraqitet Kuvendit brenda pesë ditëve.