Sulmet ndaj gjykatave u shoqëruan me pretendime për kontroll politik dhe interesa të huaja
Pamjet e zjarrit në Gjykatën e Lartë u përhapën në rrjetet sociale me pretendime se institucioni ishte shkatërruar tërësisht ose ishte sulmuar për vendime në favor të Jared Kushnerit. Publikime të tjera vunë në shënjestër SPAK-un dhe pavarësinë e drejtësisë.
Majtas, Gjykata e Lartë para protestës; djathtas, pamje nga zjarri dhe dezinformimi në rrjetin “X”. Grafika: Media Amfora.
Gjatë protestave të të rinjve në Tiranë, incidentet që prekën institucionet e drejtësisë u shoqëruan me interpretime që shkuan përtej dëmeve në godina dhe u paraqitën kryesisht në rrjetin social “X” si dëshmi e një revolte kundër gjykatave që mbrojnë qeverinë, interesave të investitorëve të huaj dhe një sistemi të pretenduar si të kapur politikisht.
Më 18 tetor, llogaria me 62.600 ndjekës në “X” e Sarrah Bellus, e lidhi zjarrin me pretendimin se Gjykata e Lartë kishte lejuar Jared Kushnerin të blinte tokë në Shqipëri kundër vullnetit të qytetarëve.
Megjithëse publikimi nuk e identifikonte një vendim gjyqësor, postimi rreth dy milionë shikime dhe 24 mijë rishpërndarje.
Një ditë më vonë, “The Patriotic Blonde”, e paraqiti përplasjen si kundërshtim ndaj projektit të Kushnerit dhe pretendoi se qytetarët përballeshin me forca ushtarake të mbështetura nga Izraeli.
Kjo e dyta një narrativë që u përhap gjerësisht edhe nga kanale në Shqipëri, duke shënjestruar Forcat e Armatosura, NATO-n, Izraelin dhe SHBA-në, për të krijuar idenë e gabuar se ata po influencionin protestën dhe mund të bëhej pjesë e saj edhe ushtria.
Nga ana tjetër ekzistenca e kundërshtimeve ndaj projekteve të Jared Kushnerit dhe protesta spontane e të rinjve nuk provon se zjarri në një ambient që shërbente për aktivitet tregtar megjithëse në ndërtesën e gjykatës, të ishte shkaktuar nga një vendim në favor të Kushnerit.
Ndërsa në publikimet e shqyrtuara me target kryesor audiencën ndërkombëtare, kjo lidhje paraqitej si shpjegim i ngjarjes, pa dokumentacion mbështetës.
Nga zjarri në një pjesë të godinës te pretendimi për shkatërrimin e saj
Më 18 tetor, llogaria “Blade of the Sun” pretendoi se Gjykata e Lartë po digjej tërësisht, se kryeministri po fshihej dhe vendi ishte në duart e rebelëve. “X”shfaqte rreth 4.6 milionë shikime për këtë postim.
Ajo është një llogari me audiencë të gjerë dhe me përmbajtje politike që kritikon elitat ekonomike e politike. Ndërsa të tjera llogari të pozicionuara si anti-Trump e përdorën ngjarjen për të targetuar familjen e presidentit amerikan.
Një përshkrim të ngjashëm përdori më 19 tetor edhe Dr. Sam Youssef, që numëron 770 mijë ndjekës në “X”, duke e paraqitur institucionin si të djegur tërësisht dhe duke i lidhur protestat me korrupsionin dhe interesat e Kushnerit.
Raportimet nga vendngjarja përshkruanin një ngjarje më të kufizuar. Sipas mediave shqiptare, zjarri nisi në ambientet e një biznesi dhe u përhap në zyrat e katit të parë të Gjykatës së Lartë.
Ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve në ambientin komercial brenda ndërtesës së gjykatës, përbri Rrugës “Myslym Shyri”.
Megjithatë pasojat për institucionin ishin konkrete sepse flakët u përhapën gjerësisht në katin e parë dhe më 20 tetor Gjykata e Lartë në një njoftim shpjegoi se ishin dëmtuar edhe dosje gjyqësore. Seancat, përveç çështjeve urgjente, do të shtyheshin gjatë verifikimit të dëmeve dhe rikthimit të kushteve të punës.
Gjykata u paraqit si mbështetëse e kryeministrit, kritikat u shtrinë deri tek SPAK-u
Një interpretim tjetër që u publikua më 20 tetor nga “Muslim Mirror”, llogaria pretendonte se protestuesit e kishin djegur Gjykatën e Lartë sepse ajo mbështeste kryeministrin. Postimi nuk përmendte një vendim konkret apo prova për motivin që i atribuonte sulmit.
Pretendimi u shfaq edhe në debatin politik jashtë Shqipërisë, pasi politikani indian me 1.3 milion ndjekës, Sanjay Raut, përdori pamjet e ngjarjes për të pretenduar se gjykata ndihmonte kryeministra të korruptuar dhe për të nxjerrë një paralajmërim për Indinë.
Sipas medias NDTV, publikimi nxiti akuza nga kundërshtarët e tij se po kërcënonte institucionet kushtetuese. Raut më pas deklaroi se kishte besim te Gjykata Supreme.
Rasti tregon se pamjet nga Tirana u përdorën edhe për debate mbi besueshmërinë e drejtësisë në një kontekst tjetër politik.
Në hapësirën shqipfolëse, vëmendja nuk u kufizua vetëm tek godinat e dëmtuara. Më 14 tetor, llogaria “Albanian History” në Instagram, publikoi një tekst me titullin “SPAK, dështimi i drejtësisë shqiptare!”.
Publikimi pranonte se ishin zhvilluar hetime dhe dhënë dënime të rëndësishme, por argumentonte se korrupsioni sistemik vazhdonte. Ai ngrinte dyshime për ndikime politike e të huaja, kërkonte vlerësim të pavarur të rezultateve të SPAK-ut dhe përgjegjësi nga prokuroritë e gjykatat.
Teksti bënte thirrje për protestë, drejtësi të pavarur dhe largimin sipas ligjit të drejtuesve që kishin dështuar.
Në një drejtim tjetër, Pravda Shqipëri, pjëse e ekosistemit prorus ripublikoi më 19 tetor një material që shënonte si burim kanalin në Telegram “balkanar”.
Artikulli i përfshinte dëmtimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë në një rrëfim për përshkallëzim drejt revolucionit, duke përdorur cilësime për qeverisje autoritare.
Materiali e trajtonte drejtësinë si pjesë të krizës së përgjithshme politike, pa sjellë prova të veçanta për motivet e sulmeve ndaj saj.
Incidentet me zjarret gjatë protestave prekën disa institucione. Më 14 tetor u raportuan sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe zjarr në Ministrinë e Drejtësisë.
Pas zjarrit në Gjykatën e Lartë më 17 tetor, ndërsa më 19 tetor A2 raportoi hyrjen e disa protestuesve në Gjykatën e Apelit, thyerjen e xhamave dhe ndezjen e zjarrit në hyrje.
Më 20 tetor, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve sipas deklaratës së përcjellë nga mediat, kërkoi mbrojtje më të mirë të gjykatave dhe personelit.
Ajo kundërshtoi gjithashtu gjuhën e kryeministrit ndaj gjyqtarëve që shqyrtonin masat e sigurisë për protestuesit, duke paralajmëruar rrezikun e presionit mbi vendimmarrjen.
Dëmet reale në institucionet e drejtësisë u ndërthurën me akuza për mbështetje të qeverisë, kontroll politik dhe interesa të huaja, në valën e disa postimeve dezinformuese që kryesisht targetuan audiencat ndërkombëtare.