Protesta e studentëve, Tirana mes përplasjeve dhe kaosit
Protestat studentore në Tiranë u shoqëruan me përplasje me policinë, dhjetëra arrestime dhe persona të lënduar, ndërsa kërkohet dorëheqja e qeverisë. Protestat u përshkallëzuan edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa në Durrës protestuesit ndezën zjarre në hapësirën përpara godinës së bashkisë.
Gjatë protestës në Tiranë. Foto: Media Amfora
Policia e Tiranës njoftoi të enjten arrestimin e 55 personave, mes tyre dy të mitur, dhe procedimin penal të 98 të tjerëve, pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës studentore të 14 tetorit në kryeqytet.
Sipas bilancit policor gjatë tubimit kanë mbetur të dëmtuar 51 punonjës policie, ndërsa janë regjistruar dëmtime në institucione shtetërore, biznese, automjete dhe prona të tjera publike e private.
“Gjatë protestës grupe pjesëmarrësish të maskuar dyshohet se kanë hedhur gurë, sende metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private”, shkroi Policia e Shtetit në njoftimin për shtyp.
Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe u zhvendos në disa akse të Tiranës, duke përfshirë rrugën e Durrësit, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Gjergj Fishta” dhe rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Nga kërkesat për arsim cilësor te përplasjet me policinë
Protestat nisën më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentë dhe qytetarë kërkuan përmirësimin e kushteve në universitete, mbështetje financiare, uljen e kostove të arsimit dhe mundësi më të mira punësimi.
Tubimet u shoqëruan edhe me kërkesa politike për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi ndaj qeverisjes dhe korrupsionit.
Më 14 tetor, protesta vijoi përpara Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera. Gjatë tubimit pati dëmtime të godinave, zjarrvënie dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës.
Zhvillimet morën vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Associated Press, të cilat raportuan për kërkesat e studentëve, përhapjen e protestave dhe përshkallëzimin e incidenteve.
Delegacioni i BE-së kërkon ndalimin e dhunës dhe dialog mes palëve
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi të enjten, më 15 tetor, duke dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë protestave.
Në deklaratën e shpërndarë publikisht, Delegacioni u bëri thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin veprimet e dhunshme.
Hetime edhe për veprimet e policisë ndaj protestuesve
Përplasjet kanë ngritur shqetësime edhe mbi mënyrën e përdorimit të forcës nga punonjësit e policisë.
Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin nr. 1, pas publikimit të pamjeve ku një 19-vjeçar shfaqej i dëmtuar gjatë shoqërimit.
Për rastin nisi hetim disiplinor, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria u angazhuan në verifikimin e rrethanave të ngjarjes.
Edhe Avokati i Popullit njoftoi nisjen e një hetimi administrativ për të vlerësuar domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës, si dhe respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dënoi sulmet ndaj efektivëve dhe dëmtimin e pronës, por kërkoi edhe shqyrtimin e pretendimeve për përdorimin e paligjshëm ose të tepruar të forcës.
Denoncime për dhunë ndaj gazetarëve dhe persona të lënduar
Gjatë protestave janë raportuar edhe incidente ndaj punonjësve të medias.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë njoftoi se kishte marrë katër denoncime nga dy reportere dhe dy operatorë televizivë për goditje dhe lëndime gjatë mbulimit të protestës së 13 tetorit.
Organizata kërkoi identifikimin e autorëve dhe hetimin e incidenteve, duke theksuar rëndësinë e garantimit të sigurisë së gazetarëve në ushtrimin e detyrës.
Në përditësimin e mbrëmjes pas protestës së parë, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, raportoi se shtatë persona vijonin të trajtoheshin në Spitalin e Traumës, përfshirë katër protestues, dy kalimtarë dhe një punonjëse policie. Sipas saj, ata ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
Protestat shtrihen edhe jashtë Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, duke argumentuar se ndryshimi i qeverisë duhet të vijë përmes procesit demokratik zgjedhor. Ai ka dënuar aktet e dhunës dhe ka shprehur gatishmëri për të diskutuar shqetësimet që lidhen me arsimin.
Ndërkohë, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Në Durrës, studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe të rinj të tjerë bojkotuan mësimin dhe organizuan të enjten një marshim në mbështetje të protestave në Tiranë. Tubimi u shoqërua me incidente, zjarre në sheshin “Liria” dhe dëmtime në godinën e Prefekturës.