“Na marrin punën dhe rrisin kriminalitetin”, narrativa kundër emigrantëve u përhap pa prova

Rritja e numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri u paraqit në rrjetet sociale dhe media si zëvendësim i punëtorëve shqiptarë dhe si burim kriminaliteti. Të dhënat zyrtare e konfirmojnë këtë rritje, por nuk provojnë se ardhja e tyre ka sjellë uljen e pagave, zëvendësimin e punëtorëve shqiptarë apo rritjen e kriminalitetit.

“A po kthehen në problem emigrantët e huaj në vendin tonë?” – ishte tituli i lajmit ku gazeta elektronike “Shekulli” bashkoi në një artikull gjatë muajit gusht tri ngjarje që lidheshin me shtetas indianë, përfshirë një tentativë vjedhjeje në Tiranë, vjedhjen e një telefoni dhe filmimin e dyshuar të grave e vajzave në Durrës. 

Duke i paraqitur këto ngjarje së bashku, artikulli ngrinte pyetjen nëse emigrantët e huaj po ktheheshin në problem për vendin, duke e lidhur sjelljen e disa individëve me vështirësitë e integrimit. Megjithëse nuk paraqiste të dhëna statistikore që të provonin se këto raste përfaqësonin një problem më të gjerë të kriminalitetit mes emigrantëve, një narrativë më e gjerë mori hov edhe përgjatë muajit shtator, ku video të punonjësve kryesisht nga India i targetonin ata si burim problemesh ekonomike dhe kriminaliteti.

Më 24 gusht, Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi se në fund të vitit 2025 në Shqipëri kishte 32.163 shtetas të huaj me leje qëndrimi, pra 46.6% më shumë se një vit më parë, ndërsa punësimi ishte arsyeja kryesore për 55.1% të lejeve të lëshuara.

Të dhënat dokumentojnë rritjen e shtetasve të huaj që punojnë në vendin tonë, por nuk tregojnë se shqiptarët janë larguar nga puna për t’u zëvendësuar prej të huajve dhe nuk krahasojnë pagat e dy grupeve.

Klodian Muço, profesor dhe kërkues shkencor, e lidhi këtë prirje me mungesën e fuqisë punëtore vendase.

“Ardhjen e punëtorëve të huaj nuk e shikoj si një kërcënim ekonomik apo shoqëror, përkundrazi, e shikoj si një oportunitet për biznesin shqiptar”, tha Muço për Amfora.al.

Robert Gajda, lektor i së Drejtës në Universitetin e Elbasanit, kundërshtoi përgjithësimin e veprimit të një personi mbi të tjerët me të njëjtën prejardhje.

“Është gjithmonë gabim përgjithësimi që bëhet për një grup të tërë etnie apo shtetësie, nisur nga një ngjarje negative apo kriminale që mund të ketë ndodhur”, tha Gajda për Amfora.al.

Më 6 shtator, narrativa për tregun e punës u zgjerua deri në thirrje për bojkot – “Bojkotojmë çdo kompani antishqiptare që ka sjellë të huaj dhe shtyp me këmbë shqiptarët”, shkruhej në një postim të llogarisë “Zgjidh Shqip” në Instagram. Në Facebook, faqja vetëpërshkruhet si media në internet. Megjithëse postimi mori rreth 3700 pëlqime dhe mbi 400 komente, por nuk identifikonte kompani apo shqiptarë të zëvendësuar në punë.

Ndërsa më 12 shtator, llogaria JOQ Albania publikoi një video të një konflikti në një resort në Radhimë, me titullin: “Afrikanëve u erdhi në majë të hundës në Shqipëri. Përleshje mes tyre”. Megjithëse rrethanat nuk diheshin, prejardhja u përcaktua nga pamja. Deri më 7 tetor, videoja mori rreth 9200 pëlqime dhe 410 komente, përfshirë etiketime raciste dhe thirrje për largim me forcë.

Statistikat e INSTAT-it tregojnë 17.4% më shumë vepra penale gjatë vitit 2025, por jo shtetësinë e autorëve të dyshuar dhe po ashtu këto të dhëna nuk ua atribuojnë të huajve rritjen e kriminalitetit në vend.

Punëtorët e huaj u paraqitën si “zëvendësues” të shqiptarëve

Në fund të gushtit nisi një valë videosh me thirrje në rrjetet sociale dhe që vijon ende, ku u kërkua bojkotimi i kompanive që sipas postimeve po zëvendësonin shqiptarët me punëtorë të huaj.

Më 26 gusht, llogaritë “Zgjidh Shqip” dhe “Histori Studentore” publikuan në Instagram një video, ku një burrë grindej me një punonjës të kompanisë së dërgesave “Wolt”. Mbi pamje shkruhej: “Çfarë po ndodh në Tiranë”, ndërsa ndjekësve u kërkohej të mos porositnin më dhe ta fshinin aplikacionin.

“2 vite në Shqipëri, përfitime nga bujaria dhe tregu shqiptar dhe sot shqiptarët lihen pas dore, hiqen nga puna dhe zëvendësohen nga indianë, pakistanezë”, shkruhej në postim.

Megjithatë pamjet rezulton se nuk ishin regjistruar në Tiranë, por në Athinë, teksa në sfond lexohet emri “Athens Tiare”, hotel në sheshin Omonia. Videoja nuk identifikonte personat apo shkakun e konfliktit dhe nuk tregonte ndonjë shqiptar të përfshirë në ngjarje.

Grafikë ilustruese me postimet në rrjetet sociale. Përpunoi Media Amfora

Dy ditë më pas, “Iliria Lajme”, publikoi në Instagram një postim, ku shfaqej një burrë me kufje në një qendër komunikimi telefonik dhe shkruhej: “Indiani ‘mëson’ shqip dhe fillon punë në qendrën e telefonatave në Tiranë”. Teksti pretendonte se bizneset punësonin të huaj për të ulur kostot. “Ata paguhen më pak se shqiptarët”, shkruhej pa u identifikuar burri, qendra e telefonatave apo ndonjë rast specifik.

Më 5 shtator, “Histori Studentore” pretendoi në një postim se gjatë vitit ishin dhënë 36 mijë leje qëndrimi për shtetas nga Bangladeshi, India, Pakistani dhe paralajmëroi se po “zhdukej Shqipëria”. Shifra nuk shoqërohej me burimin të dhënave, ndërsa INSTAT-i raportoi 32.163 të huaj me leje qëndrimi në fund të vitit 2025 dhe jo 36 mijë leje të reja. Kosova dhe Italia mbanin vendet kryesore të origjinës, të ndjekura nga India dhe Filipinet.

Për ekspertin e ekonomisë, Klodian Muço, pretendimi për zëvendësimin nuk ka lidhje me realitetin ekonomik që kanë krijuar punonjësit e huaj në vendin tonë.

“Marrja e punëtorëve nga jashtë nuk po zëvendëson shqiptarët dhe nuk po ul pagat, por përkundrazi, po ndodh e kundërta”, tha ai.

Muço shpjegoi se pagës shpesh i shtohen ushqimi dhe strehimi që punëdhënësi u siguron punëtorëve të ardhur nga jashtë. 

“Një punëtor i huaj, për disa arsye, kushton më tepër sesa një punëtor vendas”, tha ai.

Duke krahasuar rreth 26 mijë punëtorë të huaj me 1.2 milionë të punësuar, Muço vlerësoi se deri më tani ata përbëjnë një pjesë të vogël të tregut. Ndërsa Robert Gajda e ndau shqetësimin për punësimin vendas nga fajësimi i të huajve, si dy çështje të ndryshme.

“Nuk është e gabuar, në parim, që të kërkohet vëmendje e shtuar e autoriteteve për punësimin e shqiptarëve, por ta bësh këtë duke negativizuar forcën punëtore të huaj është e padrejtë”, tha ai.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i pyetur nga Amfora.al për thirrjet për bojkotimin e kompanive që punësojnë të huaj, sqaroi se çështje të tilla vlerësohen sipas rrethanave të secilit rast. Pa iu referuar postimeve konkrete të trajtuara në këtë analizë, institucioni shpjegoi se thirrjet për bojkot vetëm për shkak të punësimit të shtetasve të huaj mund të ngrenë çështje të nxitjes për diskriminim në punësim, veçanërisht kur synojnë të ndikojnë te punëdhënësit që të mos punësojnë ose të përjashtojnë persona për shkak të origjinës apo shtetësisë.

“Vlerësimi juridik bëhet rast pas rasti, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe legjislacionin e punës”, sqaroi Komisioneri.

Raste të veçuara u kthyen në akuzë ndaj të huajve

Më 2 tetor, “Zgjidh Shqip” dhe “Histori Studentore” publikuan në Instagram një video me mbishkrimin: “Hajduti indian i burgerave në Tiranë”. Korrieri në pamje paraqitej duke ngrënë ushqimin që duhej t’ia dorëzonte klientit, ndërsa postimi ngrinte alarmin për sigurinë ushqimore dhe kërkonte bojkotimin e “Wolt”-it.

Por videoja ishte publikuar më 26 tetor 2025 nga një llogari në TikTok, ku përshkrimi e vendoste ngjarjen në Tbilisi të Gjeorgjisë. Një video që qarkullonte prej rreth një viti u paraqit kështu si problem i sigurisë së konsumatorëve në Tiranë.

Dhjetë ditë më herët, të njëjtat llogari kishin publikuar një tjetër video të një korrieri që kryente nevojat personale në hyrjen e një ndërtese. Ai u paraqit si shtetas indian që punonte në Shqipëri dhe rasti u përdor për të kërkuar kontrolle, bojkot dhe punësimin e më shumë shqiptarëve.

Edhe kjo ngjarje nuk kishte ndodhur në Shqipëri. Pamjet ishin publikuar në një postim nga Gjeorgjia më 28 shtator 2025 dhe përshkrimi i vendoste në Tbilisi më 22 shtator. Personi mbante helmetë dhe nuk kishte prova që përcaktonin shtetësinë e tij.

Grafikë ilustruese me postimet në rrjetet sociale. Përpunoi Media Amfora

“Wolt” është një platformë digjitale për porositjen dhe shpërndarjen e ushqimeve dhe produkteve nga bizneset te klientët. Mbi pamje shkruhej “Çfarë po ndodh në Tiranë”, ndërsa ndjekësve u kërkohej të mos porositnin më nga kompania dhe ta fshinin aplikacionin.

Më herët, “Shekulli” kishte raportuar për një 31-vjeçar të arrestuar në Kombinat për tentativë vjedhjeje, pamje ku një shtetas indian pretendohej se i merrte telefonin një të moshuari në Durrës dhe denoncime se një tjetër filmonte gra. “Versus Albania” raportoi se policia e kishte shoqëruar personin e fundit, pa bërë të ditura veprimet e mëtejshme.

“Shekulli” shpjegonte se shumë shtetas indianë integrohen pa krijuar probleme, por i lidhte rastet me vështirësitë e punës, pa treguar nëse personat ishin punëtorë apo nëse këto rrethana kishin lidhje me veprimet e raportuara.

Për Gajdën, problemi nuk qëndron vetëm te përmendja e shtetësisë, por te çekuilibri që krijohet kur të huajt paraqiten kryesisht përmes rasteve negative.

“Nëse raportimi për të huajt lidhet vetëm me aspekte kriminale apo negative, natyrshëm për ta do të krijohet një përshtypje negative”, tha ai.

Paragjykimi, sipas tij, bëhet më i theksuar ndaj personave me prejardhje aziatike ose afrikane. “Kështu, një gjerman dhe një bangladeshas janë të huaj, por nuk perceptohen të dy në të njëjtën mënyrë”, tha Gajda.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi,  në lidhje me raportimin e ngjarjeve kriminale ku përfshihen shtetas të huaj, sqaroi se problemi lind kur veprimet e individëve përdoren për të përgjithësuar një komunitet të tërë. Institucioni dha një vlerësim mbi parimet e raportimit, pa iu referuar rasteve konkrete. 

“Problemi nuk qëndron te raportimi i faktit, por kur fakti individual shndërrohet në atribut të një grupi të tërë”, theksoi Komisioneri. 

Raste individuale, pamje të zhvendosura nga një shtet në tjetrin dhe shtetësi të paprovuara u përdorën për të krijuar një kërcënim kolektiv, pa të dhëna që të dëshmonin se të huajt përfshiheshin më shumë në kriminalitet.