Pelegrinët largohen, mbetjet mbeten në Parkun Kombëtar të Tomorrit
Pelegrinazhi pesëditor në Malin e Tomorrit mblodhi mijëra besimtarë, por pas përfundimit të tij mbetje të shumta mbetën të shpërndara në territorin e Parkut Kombëtar. Situata rikthen në vëmendje masat për menaxhimin e mbetjeve gjatë një aktiviteti masiv në një zonë të mbrojtur dhe përgjegjësinë qytetare.
Pastrimi i mbetjeve në Malin e Tomorrit. Foto: AdZM Berat
Mbetjet e lëna gjatë pelegrinazhit në Malin e Tomorrit po mblidhen pas përfundimit të aktivitetit fetar që solli mijëra besimtarë në Teqenë e Kulmakut, ndërsa situata e krijuar ka sjellë reagime për mënyrën se si trajtohen mbetjet gjatë një prej grumbullimeve më të mëdha në këtë zonë të mbrojtur.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat njoftoi se ka nisur pastrimin e territorit në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Bashkinë Skrapar, në kuadër të nismës “Male të Pastra”.
“Pas përfundimit të pelegrinazhit, puna në terren është përqendruar në mbledhjen dhe largimin e mbetjeve të lëna në zonë gjatë ditëve të aktivitetit”, bëri të ditur AdZM Berat në 26 gusht.
Pelegrinazhi në Teqenë e Kulmakut zhvillohet çdo vit në muajin gusht, ndërsa ceremonia zyrtare kulmoi më 22 gusht. Kryegjyshata Botërore Bektashiane bëri të ditur se në ceremoni morën pjesë mijëra pelegrinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, vende të Europës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia.
Edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit e rendit pelegrinazhin fetar të periudhës 20-25 gusht ndër aktivitetet kryesore që tërheqin vizitorë në Malin e Tomorrit.
Gjatë pelegrinazhit, Media Amfora konstatoi mbetje të hedhura në pjesë të territorit, ndërsa në disa prej hapësirave të frekuentuara nga vizitorët mungonin pika të posaçme për grumbullimin e tyre.
Situata ka sjellë reagime edhe për përgjegjësinë e institucioneve dhe atë të qytetarëve për mbrojtjen e territorit. Gazetari dhe aktivisti Mentor Kikia reagoi për mbetjet e lëna pas pelegrinazhit.
“Qeveria zero. Asnjë kosh mbetjesh. Qytetaria zero”, shkroi Kikia në një postim në rrjetet sociale.
AdZM Berat nuk bëri të ditur sasinë e mbetjeve të mbledhura pas pelegrinazhit apo kohën që do të nevojitet për pastrimin e plotë të territorit.
“Aksioni synon të rikthejë pastërtinë në hapësirat e parkut dhe të kontribuojë në mirëmbajtjen e territorit pas përfundimit të pelegrinazhit”, shkoi administrata në një postim në rrjetet sociale.
Problemet mjedisore në Malin e Tomorrit nuk kufizohen te mbetjet e krijuara gjatë aktivitetit masiv. Prej vitesh territori është përballur edhe me nxjerrjen e gurit dekorativ dhe ndërhyrjet në masivin malor.

Në mars të vitit 2025, Gjykata e Beratit caktoi masa sigurie ndaj tre zyrtarëve të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe një punonjësi policie, të dyshuar se kishin lejuar persona të paautorizuar të shfrytëzonin Malin e Tomorrit për nxjerrjen e gurëve dekorativë.
Pastrimi pas pelegrinazhit nxjerr sërish në pah sfidën e ruajtjes së Parkut Kombëtar “Mali i Tomorrit”, ku për disa ditë të gushtit përqendrohen mijëra vizitorë, ndërsa territori përballet prej vitesh edhe me forma të tjera të presionit njerëzor.