Anija e “flotës hije” ruse nuk lejohet në Portin e Durrësit
Anija “HANUMAN”, e listuar nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës si pjesë e “flotës hije” ruse, nuk u lejua të hynte në Portin e Durrësit. Anija vinte bosh nga Turqia dhe kërkonte të ndalonte për furnizime dhe inspektim teknik.
Anija “HANUMAN”. Foto: Sakis Antoniou / MarineTraffic
Kapiteneria e Portit të Durrësit ndaloi të premten, më 28 gusht, hyrjen në radë të anijes “HANUMAN”, e identifikuar nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (GUR) si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” ruse, për shkak të historikut të transportit të produkteve ruse të naftës.
Sipas informacionit të shpërndarë për mediat, anija mban numrin IMO 9295048 dhe lundron me flamurin e Sierra Leones.
Anija vinte nga Turqia dhe në momentin kur kërkoi të hynte në Portin e Durrësit ishte pa ngarkesë.
“Anija ishte bosh. Do të ndalonte për ujë, ushqime, furnizime bordi dhe inspektim teknik”, tha kapiteni Taulant Allkaj për Media Amfora.
“HANUMAN” është një tanker për transportin e produkteve të naftës, i ndërtuar në vitin 2004, që aktualisht lundron me flamurin e Sierra Leones. Anija ka mbajtur më parë emrat “Arin” dhe “Skylark”. Sipas të dhënave publike detare, ajo është rreth 171 metra e gjatë dhe ka kapacitet mbajtës rreth 34.6 mijë tonë.
“HANUMAN” është përfshirë në listën e anijeve që autoritetet ukrainase i konsiderojnë pjesë të “flotës hije”, për shkak të transportit të naftës dhe produkteve ruse të naftës drejt vendeve të tjera, në kushtet e kufizimeve të vendosura ndaj Rusisë.
Me termin “flotë hije” u referohen anijeve që përdoren për transportin e naftës dhe produkteve ruse të naftës, duke synuar shmangien e sanksioneve dhe kufizimeve të vendosura ndaj Rusisë.
“Sipas GUR-it, në shtator 2025 ‘HANUMAN’ transportoi mbi 30 mijë tonë produkte ruse të naftës nga Novorossiysku drejt Turqisë”, vijoi informacioni i shpërndarë nga Kapiteneria.
Të dhënat për anijen publikohen në “War & Sanctions”, portal i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës që evidenton individë, kompani dhe mjete që, sipas autoriteteve ukrainase, lidhen me Rusinë dhe anashkalimin e sanksioneve të vendosura ndaj saj.
Në skedën e “HANUMAN” evidentohen gjithashtu raste të fikjes së sistemit automatik të identifikimit (AIS), që transmeton të dhëna për identitetin dhe pozicionin e anijes, si edhe hyrje në porte ruse.
Mes porteve të vizituara nga “HANUMAN”, sipas të dhënave të GUR-it, figuron edhe Durrësi.