14 shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan në kufirin shqiptar
14 shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova u refuzuan në kufirin shqiptar në tre vitet e fundit. Raste të tjera në kufi dhe shpalljet “non grata” nxitën debat publik, duke u lidhur me protestat e “Revolucionit të Flamingove”, por asnjë prej 14 refuzimeve nuk kishte si shkak kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare apo rendit publik.
Policia Kufitare dhe e Migracionit në Rinas. Foto ilustruese: Media Amfora
Nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, autoritetet shqiptare refuzuan hyrjen e 14 shtetasve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se 11 prej tyre ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 3 të Kosovës, ndërsa arsyet e refuzimit lidhen me dëbime të mëparshme, mungesë të mjeteve financiare dhe probleme me dokumentacionin.
Pavarësisht debatit të muajve të fundit për ndalimin e hyrjes në Shqipëri të shtetasve nga këto vende, Policia e Shtetit konfirmoi se asnjë prej 14 rasteve nuk u regjistrua me arsyetimin se personi përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare apo rendin publik.
“Nuk ka pasur asnjë refuzim me arsyetimin se personi përbën kërcënim për sigurinë kombëtare ose rendin publik, si shtetas të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, bëri të ditur Policia e Shtetit në përgjigjen për Amforën.
Të dhënat tregojnë një rritje të rasteve për shtetasit e Maqedonisë së Veriut gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Në vitin 2023 u refuzua vetëm një shtetas, pasi rezultonte “i dëbuar më parë”, ndërsa nga Kosova nuk pati asnjë rast. Një vit më vonë u refuzuan 2 shtetas nga Maqedonia e Veriut për “mungesë mjetesh financiare” dhe 2 nga Kosova, përkatësisht për “dëbim të mëparshëm” dhe “mungesë mjetesh financiare”.
Në vitin 2025 u refuzuan 2 shtetas të Maqedonisë së Veriut për “vizë të dyshimtë” dhe “dëbim të mëparshëm”, si edhe një shtetas i Kosovës që rezultonte i dëbuar më parë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2026-s u regjistruan 6 shtetas të refuzuar nga Maqedonia e Veriut, 5 për “dokument të dyshimtë” dhe një për “dokument të pavlefshëm”. Nga Kosova nuk pati asnjë rast gjatë kësaj periudhe.
Debati për refuzimet në kufi u rikthye më 8 korrik, kur përfaqësues të koalicionit VLEN nga Maqedonia e Veriut u përballën me pengesa gjatë kalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës. Rasti u shoqërua me pretendime publike se ndalimi mund të lidhej me qëndrimet e tyre dhe protestat që prej fundit të majit zhvillohen në Shqipëri.
Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” nisën më 30 maj në Zvërnec, pas përplasjes së banorëve dhe aktivistëve me punonjësit e një kompanie private sigurie, ndërsa më pas u zhvendosën në Tiranë. Protesta vijon çdo mbrëmje në Tiranë dhe të premten, më 14 gusht, hyri në ditën e 76-të, me grumbullime dhe marshime që kanë pasur në qendër Kryeministrinë dhe zona të tjera të qytetit. E nisur nga kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec, protesta u zgjerua drejt kërkesave për transparencë, llogaridhënie dhe kundërshtimit të mënyrës së qeverisjes.
Një ditë pas rastit në Qafë Thanë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dha versionin zyrtar gjatë një konference për mediat. Ai nuk i identifikoi personat me emra, por konfirmoi se katër shtetas ishin paraqitur për të kaluar kufirin dhe se tre prej tyre mund të hynin në Shqipëri.
“Tre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u bë me dije që ata mund të vazhdojnë udhëtimin, por një person me ata, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Hita.
Sipas tij, tre personat që mund të vazhdonin udhëtimin zgjodhën të ktheheshin së bashku me personin të cilit iu pengua hyrja. Hita e cilësoi rastin pjesë të punës së zakonshme të Policisë Kufitare dhe jo një rast të veçuar.
Ngjarja e Qafë Thanës nuk përfshihet në 14 refuzimet e konfirmuara për Amforën, pasi të dhënat e kërkuara përfshijnë vetëm periudhën deri më 30 qershor 2026, ndërsa rasti ndodhi më 8 korrik.
Debati u zgjerua në fillim të gushtit, kur u bë publike shpallja “non grata” për 10 vjet në Shqipëri e shtetasve të Maqedonisë së Veriut Valon Bela dhe Bekir Halimi. Shpallja “non grata” përbën një masë të ndryshme nga refuzimi i hyrjes në kufi dhe nuk përfshihet në statistikat e siguruara nga Amfora.
Valon Bela e paraqiti shpalljen “non grata” si një vendim që, sipas tij, nuk prek kontributin e tij të mëparshëm dhe e vendosi reagimin në një kornizë të fortë politike e kombëtare. Ai e lidhi masën me qeverinë shqiptare dhe me raportin Rama-Vuçiç, ndërsa e trajtoi vendimin si përjashtues dhe të motivuar politikisht.
“Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik”, shkroi Bela më 4 gusht në rrjetet sociale.
Për refuzimet në kufi, Policia e Shtetit sqaroi se shtetasit e huaj pajisen me aktin përkatës, ku pasqyrohen arsyet e vendimit, si edhe mundësitë dhe afatet për ta kundërshtuar atë.
“Shtetasit e huaj pajisen dhe u komunikohet akti i refuzimit të hyrjes, në të cilin janë pasqyruar arsyet e refuzimit, si dhe mundësitë dhe afatet e ankimit”, sqaroi Policia e Shtetit.
Sipas përgjigjes zyrtare, rishikimi ose heqja e masës bëhet nga institucioni që e vendosi ose nga gjykata, në rast se shtetasi e ankimon atë. Policia nuk dha një përgjigje për kohëzgjatjen e ndalimit të hyrjes, megjithëse u pyet nëse masa vendoset për një periudhë të përcaktuar.