Arrestohen 19 persona pas protestës para Kuvendit, AGSH kërkon hetim për dhunën ndaj gazetarëve

Policia njoftoi arrestimin e 19 personave pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke i akuzuar për dhunë ndaj punonjësve të policisë, dëmtim të një automjeti policor dhe sulm ndaj deputetëve, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) kërkoi hetim për rastet e dhunës ndaj punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestës.

Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestoi 19 persona dhe procedoi penalisht 12 të tjerë pas protestës së zhvilluar më 2 korrik para Kuvendit, ku sipas autoriteteve, disa protestues kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjës të policisë, dëmtuan një automjet policie dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa një protestues dyshohet se ka goditur edhe një gazetar gjatë ushtrimit të detyrës.

“Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje, arrestohen 19 shtetas”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas policisë, mes të arrestuarve është edhe një 35-vjeçar, i cili dyshohet se ka goditur një gazetar. Autoritetet njoftuan gjithashtu se 12 persona u proceduan penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për një sërë veprash penale që lidhen me dëmtimin e pronës, kundërshtimin e punonjësve të policisë dhe prishjen e rendit publik.

Policia bëri të ditur gjithashtu se gjatë protestës u dëmtuan 15 punonjës policie dhe një automjet policie.

“Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje”, njoftoi policia.

Protesta u zhvillua pasditen e 2 korrikut jashtë godinës së Kuvendit, ndërsa brenda saj po mbahej seanca plenare. Protestuesit hodhën vezë në drejtim të godinës së Parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Përplasjet u shoqëruan me tensione në zonën përreth Kuvendit.

Pas protestës reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili dënoi aktet e dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë raportimit, duke theksuar se incidentet kanë ardhur si nga punonjës të Policisë së Shtetit ashtu edhe nga protestues.

“AGSH i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të nisë pa vonesë hetime të plota dhe të pavarura për sjelljen e efektivëve të Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe të mbajë përgjegjës çdo punonjës policie që ka ushtruar dhunë ose ka penguar punën e medias”, shkroi organizata në një njoftim për shtyp.

Sipas AGSH-së, gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, është dhunuar nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës. Organizata tha gjithashtu se fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha, dhe fotoreporteri i NurPhoto, Vlasov Sulaj, janë penguar gjatë punës së tyre. Po sipas AGSH-së, protestues kanë sulmuar gazetarin e Top Channel, Muhamet Veliu, kanë penguar gazetaren e Top News, Kleida Muka, si dhe ekipin e Ora News gjatë raportimit nga protesta.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë rithekson se siguria e gazetarëve, fotoreporterëve dhe punonjësve të medias dhe e drejta për të raportuar lirshëm janë elemente themelore të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar. Çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre është i papranueshëm dhe duhet të hetohet e të ndëshkohet pa asnjë përjashtim”, shkroi organizata.

Për zhvillimet reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili reagoi ndaj episodeve të dhunës gjatë protestës.

“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Protesta e së enjtes ishte pjesë e protestave që zhvillohen prej më shumë se një muaji në Tiranë. Organizatorët kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste mbarëkombëtare më 4 korrik.