Pavarësisht protestave, qeveria i hap rrugë projektit strategjik të grupit turk RAMS në Vlorë
Vetëm pak javë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin e tij, qeveria miratoi transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”. Projekti me vlerë 100 milionë dollarë kishte marrë statusin e investimit strategjik në shkurt 2026 dhe do të zhvillohet nga “RAMS Albania”, kompani e kontrolluar nga Mehmet Faruk Bülbül, CEO i grupit turk RAMS Global.
Pamje nga qyteti i Vlorës. Foto ilustruese Media Amfora
Teksa një grup aktivistësh dorëzuan të mërkurën në SPAK librin “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, duke kërkuar hetimin e vendimmarrjeve që sipas tyre kanë favorizuar projekte të mëdha ndërtimi, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim tjetër me ndikim në territor. Bëhet fjalë për transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në funksion të një projekti në qytetin e Vlorës, një investim që ka marrë statusin e investimit strategjik dhe fokusohet kryesisht tek metalurgjia e lehtë dhe energjia.
Projekti “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone” mori statusin investim strategjik me procedurë të veçantë më 11 shkurt 2026, me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike. Rreth katër muaj e gjysmë më pas, më 30 qershor 2026, Këshilli i Ministrave i hapi rrugë zbatimit të projektit, duke miratuar transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, me qëllim vënien e tyre në dispozicion të projektit në Vlorë.
“Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), i cili administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 m² (…)”, shkruhet në vendimin e Këshillit të Ministrave, të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Vendimi ka ngjallur reagime edhe nga ekspertë të transparencës dhe qeverisjes. Aranita Brahaj, drejtuese e “Open Data Albania”, e pa me shqetësim faktin që ndërsa ligji për investimet strategjike është vënë në qendër të debatit publik dhe të kërkesave të protestuesve, qeveria vijon të përdorë mekanizmat e parashikuar prej tij.
“Qeveria vazhdon të përdorë mekanizmat e ligjit për investimet strategjike për të transferuar prona shtetërore në funksion të projekteve të miratuara”, shkroi Brahaj në një postim në faqen e saj në “Facebook”.
Vendimi që mban datën 30 qershor nuk ndalet vetëm te transferimi i tokës shtetërore. Ai përcakton gjithashtu se pasuritë e transferuara do të vihen në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, ndërsa e drejta e përdorimit të tyre do të ushtrohet nga subjekti investues “Rams Albania” sh.p.k., sipas kushteve të përcaktuara në një vendim të mëparshëm të Komitetit të Investimeve Strategjike.
Kompania zotërohet nga shtetasi turk Mehmet Faruk Bülbül – një 31 vjecar që mban edhe nënshtetësinë shqiptare dhe adiminstrohet nga ai, së bashku me shtetasit e tjerë turq Ahmet Metin Tasdemir, Artyom Sidelkovskiy dhe Rufat Mammadov.
Në Tiranë u krijua nga Vahit Emir Seydaoglu kompania “RAMS ALBANIA” që e regjistroi më 26 dhjetor 2024 dhe më vonë kompania “RAMS ADRIATIC GROUP”, më 2 mars të këtij viti – me seli në Vlorë dhe që sot zotërohen nga Mehmet Faruk Bülbül. Pasi mori statusin e investimit strategjik më 11 shkurt, qeveria shqiptare për më pak se 5 muaj i hapi rrugë zbatimit të projektit, përmes vendimit të 30 qershorit.
Projekti i investimit propozohet të zhvillohet si një ekosistem industrial, logjistik dhe inovativ, i cili do të përfshijë teknologjinë industriale, automatizimin dhe inteligjencën artificiale, si dhe përpunimin mekanik të lehtë të metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jo-ndotëse, të mbështetura nga energjia e rinovueshme.
Qëllimi i projektit sipas vendimit është tërheqja e investimeve të huaja dhe teknologjive të reja, të krijojë vende të reja pune dhe të nxisë zhvillimin ekonomik të qytetit të Vlorës. Dokumenti parashikon gjithashtu që aktivitetetet që do të zhvillohen në këtë zonë duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kriteret mjedisore të përcaktuara për zonën.
Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 158.2 hektarësh dhe sipas vendimit e gjitha kjo sipërfaqe do të funksionojë si një zonë e vetme dhe e integruar. Vendimi i jep zhvilluesit të drejtën ta realizojë projektin me faza (lote), duke përgatitur truallin, duke ndërtuar infrastrukturën bazë dhe duke krijuar kushtet e nevojshme për vendosjen dhe funksionimin e aktiviteteve ekonomike.
Përtej projektit në vetvete, vendimi ngre edhe çështje që lidhen me mënyrën se si do të funksionojë kjo zonë ekonomike dhe të drejtat që fiton zhvilluesi i saj në raport me detyrimet fiskale ndaj shtetit shqiptar.
“Për shkak se projekti zhvillohet si TEDA (Zonë Teknologjike dhe Ekonomike), ai do të funksionojë me një regjim të veçantë fiskal dhe doganor, duke përfituar nga lehtësitë që parashikon ligji për këto zona”, shkroi Aranita Brahaj, që drejton projektin “OpenCorporates.al” – me qëllim nxitjen e transparencës për prokurimet publike.
Brahaj ndalet edhe te një dispozitë tjetër e vendimit, e cila lidhet me administrimin e zonës dhe mundësinë e dhënies me qira të hapësirave për operatorë të tjerë ekonomikë.
“Në vijim, ai do të mundësojë dhënien me qira të ambienteve dhe hapësirave përkatëse tek përdoruesit, me qëllim ushtrimin e veprimtarive ekonomike brenda zonës, në përputhje me aktivitetet e parashikuara në ligjin për zonat teknologjike dhe ekonomike”, thuhet në vendim.
Sipas Brahajt, kjo do të thotë se zhvilluesi i projektit mund të japë me qira hapësirat për subjekte të shumta ekonomike që do të operojnë brenda zonës, duke krijuar një qendër të madhe aktiviteti ekonomik me regjim fiskal preferencial.
Projekti duket se lidhet me një konglomerat të biznesit turk, me “RAMS Global”, një grup ndërkombëtar me origjinë nga Gaziantepi i Turqisë, i themeluar në vitin 1988 dhe me qendër operacionale në Almaty të Kazakistanit që prej vitit 1993. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë kompania, grupi operon në shtatë sektorë, me fokus kryesor ndërtimin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme, por edhe në shëndetësi, turizëm, miniera, mobilie dhe industri ushqimore. RAMS Global deklaron se ka mbi 25 mijë punonjës, ka zhvilluar afro 100 projekte në gjashtë vende dhe 11 qytete, ndërsa aktivitetin e realizon përmes kompanive si “RAMS Kazakhstan” dhe “RAMS Türkiye”.
Mehmet Faruk Bülbül, i cili sipas regjistrit tregtar shqiptar është pronari i vetëm i “RAMS Albania” sh.p.k., identifikohet në faqet zyrtare të grupit si CEO i RAMS Global. Në këtë rol, ai drejton strategjinë ndërkombëtare të grupit dhe ka deklaruar publikisht se RAMS Global ka sjellë mbi 300 milionë dollarë kapital në Turqi, duke financuar projektet e saj me kapital të vet dhe duke synuar zgjerimin e investimeve në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.
Për promovimin e markës së saj, grupi “RAMS Global” përdor si imazh publik aktorin turk Burak Özçivit, i njohur për publikun shqiptar si “Osmani”, personazhi kryesor i serialit turk “Kuruluş: Osman”.
Në qershor 2025, aktori Burak Özçivit vizitoi Vlorën, ku u prit nga kryebashkiaku i atëhershëm, Ermal Dredha. Vizita u prezantua publikisht si pjesë e promovimit të qytetit si destinacion turistik.
“Deri sot, nuk kisha parë kaq shumë njerëz në Vlorë, të prisnin në radhë, për të bërë një fotografi me Burak Özçivit. Kënaqësi ta prisja sot në zyrë, bashkë me stafin e bashkisë, dhe të kalonim kohë në Vlorën që i la mbresa të shkëlqyera! Na bënë bashkë projektet që kanë qëllim promovomin e Vlorës si destinacion turistik dhe jo vetëm”, shkroi Dredha krah fotove të publikuara në qershor të vitit 2025. Por duket se vizitat e personazheve të njohur ndërkombëtarisht po fshehin planet e tyre dhe të qeverisë shqiptare për investime strategjike.
Në mars 2025, RAMS Global zyrtarizoi bashkëpunimin me aktorin turk Burak Özçivit, duke e zgjedhur si fytyrën e markës për promovimin e projekteve të saj ndërkombëtare. Sipas njoftimeve zyrtare të kompanisë, bashkëpunimi përfshin promovimin e projektit Pavilion by RAMS në Erbil të Irakut dhe RAMS Beyond Almaty në Kazakistan. Marrëveshja u prezantua nga vetë kompania si pjesë e strategjisë për forcimin e pranisë së saj në tregjet ndërkombëtare dhe promovimin e projekteve të zhvillimit imobiliar.
Projekti në Vlorë parashikon një investim prej 100 milionë dollarësh dhe krijimin e rreth 10 mijë vendeve të punës. Zhvillimi do të shtrihet në një sipërfaqe prej 158.2 hektarësh në zonat kadastrale 2765 dhe 8604 të Bashkisë Vlorë, ku 86.5 hektarë janë pasuri shtetërore, 65.4 hektarë janë prona private, ndërsa për 6.3 hektarë nuk rezulton informacion kadastral.
Ndërsa procedurat për këtë projekt vijonin të zbatoheshin mbi bazën e ligjit për investimet strategjike, vetë e ardhmja e këtij ligji ishte vënë në diskutim nga opinioni publik, pasi protestat qytetare dhe zëra të politikës dhe organizatave mjedisore evropiane kishin kërkuara shfuqizimin e tij.
Vendimi për transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore u miratua vetëm pak javë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon për një ligj të ri dhe se ligji aktual për investimet strategjike e ka përmbushur misionin e tij.
Më 9 qershor 2026, gjatë një konference për shtyp me gazetarë të mediave evropiane, Rama u shpreh se ligji aktual nuk është më i nevojshëm dhe se qeveria po punon me Bashkimin Evropian për një kuadër të ri ligjor.
“Tashmë nuk na duhet më një ligj për investime strategjike sepse kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë dhe në fakt, nuk duan t’ia dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur e kështu me radhë, por nuk kemi probleme me këtë. Kam përshtypjen që është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë tashmë për një ligj të ri për investimet, kështu që po punojmë me Bashkimin Evropian për këtë”, deklaroi Rama.