Përplasje gjatë protestës para Kuvendit, policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion
Protesta e paralajmëruar përpara Kuvendit u përshkallëzua të enjten në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës. Protesta u shoqërua me persona të shoqëruar nga policia, protestues dhe efektivë policie të lënduar, reagime politike dhe shqetësime të ngritura nga organizatat e medias për sigurinë e gazetarëve.
Momenti i shoqërimit të një protestuesi nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestës para Kuvendit. Foto: "Screenshot" nga video e Reporter.al.
Të enjten, ashtu siç ishte paralajmëruar nga protestuesit, dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak para nisjes së seancës plenare, për të vijuar protestën e tyre kundër qeverisë dhe për të kërkuar, mes të tjerash, dorëheqje dhe hetime ndaj zyrtarëve të lartë. Përpara nisjes së protestës, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie, duke vendosur gardhe metalike, mjete të blinduara dhe autobotë me ujë në perimetrin e Parlamentit, ndërsa hyrja në zonë u kufizua dhe deputetët e mazhorancës hynë në godinë përpara mbërritjes së protestuesve.
Pjesëmarrësit hodhën vezë dhe miell në drejtim të godinës së Kuvendit dhe automjeteve zyrtare, ndërsa brohoritën slogane kundër qeverisë dhe disa zyrtarëve të saj. Në një moment, një grup protestuesish bllokoi daljen kryesore të Parlamentit duke u ulur në rrugë, me qëllim pengimin e daljes së deputetëve dhe ministrave nga godina. Automjeti i kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nuk arriti fillimisht të largohej për shkak të bllokimit të daljes.
Pas refuzimit të protestuesve për të liruar rrugën, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur fillimisht sprej lotsjellës dhe më pas autobotët me ujë me presion. Ndërhyrja u shoqërua me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ndërsa disa qytetarë u shtrinë në tokë gjatë shoqërimit të tyre nga forcat e rendit. Sipas informacionit paraprak, rreth 20 protestues u shoqëruan në komisariat. Nga ana tjetër, autoritetet raportuan se disa efektivë policie mbetën të lënduar gjatë përplasjeve dhe morën ndihmë mjekësore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dënoi sulmet ndaj efektivëve, duke deklaruar se tre punonjës policie mbetën të plagosur gjatë protestës. Ai i cilësoi sulmet ndaj policisë si “sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues”, ndërsa paralajmëroi se personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë dhe shprehu mbështetje për efektivët e lënduar.
Ndërkohë, Partia Demokratike bojkotoi seancën plenare. Në një deklaratë, grupi parlamentar i saj argumentoi se mazhoranca kishte refuzuar të përfshinte në rendin e ditës projektligjet dhe kërkesat që, sipas opozitës, lidhen me shqetësimet e protestuesve dhe me rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian. Demokratët deklaruan se pjesëmarrja në seancë do të legjitimonte, sipas tyre, një proces parlamentar që nuk garanton debat mbi çështjet me interes publik.
Gjatë protestës pati edhe reagime nga figura të opozitës. Ish-deputeti Ervin Salianji kritikoi kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar se u largua nga Kuvendi në vend që të mbështeste protestuesit. Ndërkohë, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u përball me kundërshtimin e një pjese të protestuesve, të cilët i kërkuan të largohej nga tubimi.
Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi për mediat se kishte mbetur e prekur nga spreji lotsjellës dhe pretendoi se nuk mori ndihmë mjekësore. “Ambulanca mori vetëm efektivët dhe mua më zbritën nga ambulanca dhe as ndihmën e parë nuk ma dhanë”, tha ajo për mediat. Pretendimet e saj nuk janë komentuar publikisht nga autoritetet shëndetësore apo Policia e Shtetit.
Për incidentet reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili njoftoi se kishte marrë raportime për dhunë ndaj gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve gjatë mbulimit të protestës. Organizata dënoi sulmet ndaj punonjësve të medias, duke i cilësuar ato si “një cenim të rëndë të lirisë së medias, të drejtës së publikut për t’u informuar dhe standardeve demokratike”, dhe u bëri thirrje autoriteteve të hetojnë rastet e raportuara.
Protesta e së enjtes ishte vazhdim i protestave të organizuara prej më shumë se një muaji në Tiranë. Organizatorët kanë njoftuar se ajo do të vijojë edhe në orët e mbrëmjes.