Dorëheqja e Edi Ramës dhe formimi i një qeverie të Integrimit Evropian 

Pas më shumë se një dekade në pushtet të kryeministrit Rama, Shqipëria ka nevojë për një qasje të re politike për të përballuar sfidat e integrimit evropian. Dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie me këtë qëllim do të ndihmonte në uljen e polarizimit politik, avancimin e reformave dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.

Për të 20-ën ditë me radhë protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Foto: Media Amfora

Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të historisë së saj politike. Pas më shumë se 13 vite qeverisjeje nga Edi Rama, debati publik nuk kufizohet më vetëm te bilanci i arritjeve dhe dështimeve të një qeverie, por po përqendrohet gjithnjë e më shumë te nevoja për një model të ri drejtimi politik që t’i japë vendit një perspektivë të re zhvillimi dhe integrimi evropian.

Në këtë kontekst, dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një Qeverie të Integrimit Evropian mund të përbëjnë një zgjidhje politike për të kapërcyer polarizimin e thellë, për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Fundi i një cikli politik

Çdo qeveri apo individ pavarësisht fuqisë dhe mbështetjes që gëzon, ka një cikël politik. Pas 3 mandateve radhazi dhe 1 viti e kusur nga nisja e mandatit të katërt, i kontestuar nga të gjitha raportet ndërkombëtare, sfida kryesore nuk është më ruajtja e pushtetit, por aftësia për të sjellë energji dhe ide të reja, si edhe besim të ri tek qytetarët, gjë që dukshëm kryeministri Edi Rama është i paaftë t’jua serviri shqiptarëve. 

Shqipëria sot përballet me shumë probleme serioze, por më kryesoret për tu përmendur janë emigracioni masiv i të rinjve, korrupsioni, pabarazitë sociale, mungesa e besimit tek institucionet dhe politikanët.

Në këto kushte, vendi ka nevojë për një fazë të re politike që të vendosi interesin kombëtar mbi interesat partiake. Prandaj, dorëheqja e kryeministrit nuk duhet parë si humbje personale apo fitore e kundërshtarëve politikë, por si një akt përgjegjësie që hap rrugën për një tranzicion të qetë dhe demokratik.

Pse një Qeveri e Integrimit Evropian?

Një qeveri me këtë qëllim do të kishte një mision të qartë dhe të kufizuar në kohë: Përmbushjen e reformave prioritare që kërkohen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Një qeveri e tillë do të duhej të mbështetej në disa parime themelore, si konsensusi politik mes forcave kryesore parlamentare, pavarësi të institucioneve të drejtësisë dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit. 

E po ashtu në vijim me fokus tek reforma zgjedhore sipas standardeve evropiane, të tej me përfshirje të diasporës në proceset vendimmarrëse, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke ndihmuar edhe në përshpejtimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Qëllimi i saj nuk do të ishte administrimi afatgjatë i pushtetit, por krijimi i kushteve për një konkurrencë të drejtë politike dhe për afrimin e Shqipërisë me familjen evropiane.

Nevoja për një klimë të re politike

Shqipëria nuk mund të eci përpara duke mbetur peng i konflikteve të përhershme mes mazhorancës dhe opozitës. Vendi ka nevojë për një klimë të re bashkëpunimi, ku interesat kombëtare të jenë prioritet, sidomos rregullimi i problemeve me pronën private. 

Një Qeveri e Integrimit Evropian do të dërgonte një mesazh të fortë brenda dhe jashtë vendit, se klasa politike shqiptare është e gatshme të vendosi të ardhmen evropiane të Shqipërisë mbi interesat e ngushta partiake.

Ky do të ishte gjithashtu një sinjal pozitiv për partnerët tanë ndërkombëtarë, investitorët e huaj, që janë aq të pakët në vendin tonë dhe institucionet evropiane që presin prej kohësh më shumë stabilitet politik dhe më shumë rezultate konkrete në reforma, dy prej te cilave janë në agjendë, por kanë mbetur rrugëve: Reforma teritoriale dhe ajo zgjedhore.

Një mundësi historike

Historia politike e vendeve evropiane tregon se në momente të veçanta janë krijuar qeveri konsensuale për të kapërcyer kriza të thella dhe për të garantuar objektiva strategjike kombëtare. Këtu mund të përmendim qeverinë e Mario Montit në vitin 2011 në Itali, apo ajo e Lucas Papademos në Greqi, për të menaxhuar krizën e borxhit publik.

Ne fundin e vitit 2025 borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 53 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vlerë absolute ai llogaritet reth 14.5 miliardë euro. Ajo e financon këtë borxh me norma të larta interesi për shkak të vlerësimit spekulativ BB/B (Borxhi afatgjatë me BB dhe afatshkurtër me B) të “S&P Global” dhe B1 të “Moody’s’, vlerësime që e vendosin Shqipërië nën pragun e investimeve institucionale. Çdo herë që shteti merr hua, siç ndodhi me eurobondin 650 milionë euro të shkurtit 2025, paguan një “prime” rreziku që një vend me trajektore të qartë evropiane nuk do ta paguante.

Një ngritje edhe vetëm me një shkallë, nga BB në BB+, do të komprimonte ndjeshëm shpenzimin e shërbimit të borxhit dhe do të çlironte burime të rëndësishme buxhetore vit pas viti. “S&P” ka deklaruar shprehimisht se ky përmirësim varet nga forcimi institucional nëpërmjet reformave të lidhura me BE-në dhe ajo ka vënë në dispozicion deri në 1 miliard euro për Shqipërinë për periudhën 2024 deri në 2027-ën përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, fonde që aktivizohen pikërisht nga reformat që protestat i kërkojnë. Ajo çfarë kërkojnë të rinjtë në rrugë dhe ajo çfarë kërkon tregu ndërkombëtar janë sot e njëjta gjë.

Qëllimi i këtyre qeverive zakonisht nuk është zëvendësimi i konkurrencës politike, por krijimi i kushteve për stabilitet, reforma të rëndësishme, organizimin e zgjedhjeve të besueshme ose përballimin e krizave të jashtëzakonshme.

Shqipëria ka nevojë për një moment të tillë. Jo për të zëvendësuar një parti me një tjetër, por për të hapur një kapitull të ri, ku prioritet të jetë integrimi evropian, forcimi i demokracisë dhe rikthimi i shpresës tek qytetarët.

Nëse klasa politike shqiptare arrin të vendosi interesin kombëtar mbi interesat e momentit, atëherë formimi i një Qeverie të Integrimit Europian mund të shndërrohet në hapin më të rëndësishëm drejt Shqipërisë evropiane, që qytetarët po e presin prej dekadash. Koha kërkon vizion, përgjegjësi dhe guxim politik, e tashmë Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri.