Tyrbja e Nuses, monumenti i heshtur i një legjende
Katër kolona, një kupolë e vjetër dhe një legjendë që i mbijetoi shekujve. Tyrbja e Nuses në Mullet mbetet një nga monumentet më misterioze dhe më tërheqëse të trashëgimisë tiranase.
Pamje e Tyrbes së Nuses në fshatin Mullet. Foto: Media Amfora
Në fshatin Mullet, në periferi të Tiranës, mes vilave të reja dhe kodrave që zbresin drejt luginës së Erzenit, qëndron prej shekujsh Tyrbja e Nuses. Monumenti i vogël me harqe guri dhe kupolë osmane duket pothuajse i fshehur nga urbanizimi i zonës, por vazhdon të mbajë gjallë një nga legjendat më të njohura të trashëgimisë tiranase.

Sipas të dhënave të publikuara në databazën e monumenteve të kulturës për Qarkun Tiranë, Tyrbja e Nuses është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë më 8 janar 1977. Monumenti ndodhet në fshatin Mullet, pranë Kishës së Maxharës, dhe mendohet t’i përkasë shekullit XVII, duke ruajtur tiparet e arkitekturës funerare të periudhës osmane.

Godina e Tyrbes së Nuses paraqet një kompozim të thjeshtë arkitekturor, tipik për ndërtimet funerare të përdorura gjatë periudhës osmane. Mbi një bazament të ngritur lehtë nga terreni ngrihen katër kolona që lidhen përmes harqeve të ndërtuara me tulla të kuqe, ndërsa mbi to qëndron një kupolë e vogël e mbuluar me tjegulla tradicionale. Në pjesët e jashtme dallohen detaje dekorative me motive gjeometrike dhe përdorimi i alternuar i gurit, tullës dhe llaçit gëlqeror, elemente që i japin monumentit tiparet karakteristike të arkitekturës osmane rurale në Shqipërinë e Mesme.

Sipas informacionit të vendosur në tabelën informuese pranë monumentit, Tyrbja e Nuses lidhet me dy variante të së njëjtës legjendë tragjike. Në versionin e parë thuhet se një nuse e re mbeti e vrarë nga një plumb qorr teksa po kalonte me dasmorët në hyrje të fshatit, ku dy palë kundërshtare po shkëmbenin të shtëna armësh. Ndërsa në variantin tjetër përmendet përplasja mes dy karvanëve të dasmorëve në një rrugë të ngushtë, konflikt që përfundoi me vrasjen e dy nuseve, në kujtim të të cilave u ngrit më vonë monumenti.

Përtej legjendës që e shoqëron prej shekujsh, Tyrbja e Nuses vlerësohet si pjesë e rëndësishme e historisë dhe identitetit kulturor të zonës së Tiranës. Monumenti është i përfshirë në databazat e institucioneve të kulturës, në guida turistike dhe në materiale promovuese, duke u konsideruar një nga atraksionet historike dhe kulturore që mund të vizitohen në zonën e Mulletit dhe Petrelës.