Zëri që mbështeti Kosovën në SHBA, Eliot Engel ndahet nga jeta
Ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të gjatë në politikën e jashtme amerikane dhe një lidhje të veçantë me Kosovën.
Eliot Engel. Foto: Samuel Corum/”Getty Images”
Eliot Engel, i njohur për angazhimin e tij në politikën e jashtme dhe mbështetjen ndaj Kosovës, ka ndërruar jetë më 10 prill në vendlindjen e tij, në Bronx, pas një karriere mbi tre dekada në Kongresin amerikan.
“Ndarja nga jeta u konfirmua nga familja e tij, e cila tha se ai ndërroi jetë në një spital në Bronx si pasojë e komplikacioneve nga sëmundja e Parkinsonit”, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press” në një artikull më 11 prill.
Eliot Engel ishte një nga figurat më jetëgjata të Partisë Demokratike në Kongresin amerikan, duke përfaqësuar shtetin e New York-ut për më shumë se tre dekada. Gjatë kësaj kohe, ai u përfshi gjerësisht në çështjet e politikës së jashtme, duke arritur kulmin e karrierës si kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve (House Foreign Affairs Committee).
Ai njihej si një nga mbështetësit më të zëshëm të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës gjatë dhe pas luftës.
Për ndarjen nga jeta e tij ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Washington, duke e cilësuar si një mik të afërt të vendit.
“Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i shquar i Kongresit, por si një mik i vërtetë që kujdesej për popullin dhe të ardhmen tonë. Zëri dhe mbështetja e tij erdhën në momentet kur kishin më shumë rëndësi dhe do të kujtohen gjithmonë”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Washington.

Eliot Engel lindi më 18 shkurt 1947 në Bronx, në një familje me origjinë hebraike nga Evropa Lindore. Ai ishte mësues dhe anëtar i Asamblesë së shtetit të New York-ut përpara se të hynte në Kongres në vitin 1988, ku ndërtoi një karrierë mbi tre dekada. Ai shërbeu për më shumë se 44 vite në jetën publike dhe u njoh për përfshirjen e tij në çështje ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në Ballkan dhe mbështetjen për Kosovën gjatë viteve ’90.
Gazetarja nga Kosova, Evliana Berani, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Kosova humbi një mik të madh dhe jam e sigurt se njerëzit do ta kujtojnë me respekt e dashuri”, shkroi gazetarja në postimin e saj, të shoqëruar me një fotografi me të.
Për ndarjen nga jeta të Eliot Engel kanë reaguar edhe liderë institucionalë dhe politikë në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të vendit në arenën ndërkombëtare.