Banorët nuk lejohen në Këshillin Bashkiak, protestojnë kundër “projektit TID”
Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës nuk u lejuan të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe protestuan jashtë godinës. Në mbështetje të tyre iu bashkuan edhe banorë nga Rrjolli i Lezhës.
Gjatë protestës së organizuar pranë Bashkisë Durrës. Foto: Media Amfora
Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës protestuan të enjten jashtë godinës së Bashkisë, pasi nuk u lejuan të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku kishin kërkuar të adresonin publikisht shqetësimet e tyre.
“Është kërkuar dy herë ngritja e një komisioni hetimor, por në momentet e fundit tërhiqen anëtarë dhe procesi bllokohet. Ne kërkojmë që këshilli bashkiak të na japë mundësinë të shprehemi për parregullsitë e projektit”, tha Entela Koja përfaqësuese e banorëve.
Një tjetër banor, Armando Rufa, i ardhur nga Belgjika, tha se pavarësisht kërkesës për të qenë i pranishëm në mbledhje, nuk u lejua të hynte në sallë.
“Kam ardhur posaçërisht nga Belgjika për të pasur një takim me këshillin bashkiak… polici më tha se nuk do të hyjmë fare”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se çështja mund të ndiqet edhe në rrugë të tjera ligjore.
Banorët kundërshtojnë projektin TID duke kërkuar transparencë, rishikim të vendimmarrjeve dhe garantimin e të drejtës së pronës. Ata kanë paraqitur kërkesa zyrtare dhe kanë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme, ndërsa paralajmërojnë se do të ndjekin edhe rrugën ligjore nëse nuk marrin përgjigje. Sipas tyre, procesi po vijon pa konsultim të plotë me komunitetin dhe me paqartësi mbi ndikimin në pronat e tyre.
Në mbështetje të tyre iu bashkuan në protestë edhe banorë nga Rrjolli i Lezhës. Ata nga ana e tyre protestojnë kundër ndërtimit të një resorti në zonë, duke ngritur zërin se projekti po zhvillohet mbi tokat e tyre të trashëguara dhe pa zgjidhur çështjet e pronësisë.
“Ne kemi ardhur nga Rrjolli për t’u treguar se jemi bashkë për pronën dhe nuk do të lejojmë që ajo të na merret”, tha Prek Molla.
“Uroj që institucionet të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të mos marrin vendime që dëmtojnë jetesën e tyre”, u shpreh Luçiana Koka-Shullani.
Ndërsa banorët protestonin jashtë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, përgjigjet për pyetjet e tyre u dhanë nga nënkryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi.
“Është ngritur një grup ndërinstitucional pune për vlerësimin e objekteve që preken nga projekti TID, me përfaqësues nga disa institucione qendrore”, tha Kallmi.
Ai sqaroi se procesi është ende në fazë shqyrtimi dhe se çdo rast do të trajtohet individualisht.
“Nuk ka një vendim për prishjen e objekteve, por vetëm njoftime për lirimin vullnetar”, shpreh nënkryetari i bashkisë. Sipas tij, të gjitha kërkesat e banorëve do të administrohen dhe do të verifikohet dokumentacioni përkatës për secilin rast.
“Do të shqyrtohen kërkesat, dokumentacioni i pronave dhe çështjet që lidhen me strehimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shtoi Kallmi.
Ndërkohë, banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe do të ndjekin edhe rrugën ligjore, nëse kërkesat e tyre për transparencë dhe rishikim të projektit nuk merren parasysh nga institucionet.