Udhëzimi që përjashton mësuesit nga kualifikimi, paditet në Gjykatën Administrative  

Qindra mësues rrezikojnë të përjashtohen nga kualifikimi për shkak të një kriteri që kontestohet si i paligjshëm. Çështja ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Apelit, duke hapur debat mbi barazinë në sistemin arsimor.

Më 17 mars 2026, organizata “Drejtësi Sociale” dorëzoi në Gjykatën Administrative të Apelit një padi kundër një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit që vendos si kusht licencën për përfshirjen në procesin e kualifikimit.

“Provimi i kualifikimit në vetvete do të thotë që këta mësues të kualifikohen dhe të jenë më të aftë dhe me cilësi më të lartë për t’i dhënë mësim fëmijëve tanë. Por, me një udhëzim të Ministrisë së Arsimit vitin e kaluar është penguar dhe u është ndaluar mësuesve, të cilët kanë mbaruar studimet përpara vitit 2011, të japin provimin e kualifikimit edhe pse ata janë në të njëjtën pozitë me mësues të tjerë”, u shpreh avokat Gentian Sejrani, përfaqësues i “Drejtësi Sociale”.

Sipas përfaqësuesve ligjorë, kriteri i ri nuk mbështetet në ligj dhe krijon trajtim të pabarabartë mes mësuesve me të njëjtin formim.  “Ju duhet të jepni provimin e shtetit, të merrni licencën dhe më pas të futeni në provimin e kualifikimit. Kjo nuk përcaktohet në ligj dhe krijon një trajtim të pabarabartë për mësuesit”, citoi Sejrani. 

Shkolla 9-vjeçare, ‘Xhevdet Doda’ – Bulqizë. Foto ilustruese Media Amfora

Udhëzimi prek mësues që kanë përfunduar studimet para vitit 2011, por janë punësuar më vonë dhe aktualisht ushtrojnë profesionin në sistemin arsimor. Sipas padisë, kriteri i licencës është i paligjshëm, pasi ajo kërkohet vetëm në momentin e punësimit dhe jo në procesin e kualifikimit, duke krijuar kështu një pengesë që nuk parashikohet në ligj. Sipas palës paditësve kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe stres për qindra mësues, të cilët rrezikojnë të mbeten jashtë një procesi që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin profesional dhe cilësinë e mësimdhënies.

“Mësuesit janë sot në një situatë të vështirë dhe të pasigurt. Ata janë pjesë e sistemit, kanë diplomën dhe profesionin e tyre, por përballen me një pengesë që nuk mbështetet në ligj”,  tha Gentian Sejrani. 

“Drejtësi Sociale” është një organizatë që ofron ndihmë ligjore dhe advokon për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, duke ndjekur raste që lidhen me barazinë dhe aksesin në shërbime publike. 

Kualifikimi për mësuesit është një proces i rëndësishëm që ndikon si në zhvillimin e tyre profesional dhe nivelin e pagës, ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies për nxënësit. 

Padia pritet të shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Apelit dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në të drejtat profesionale të qindra mësuesve, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ende për këtë çështje.