Qendra Amfora organizon forum publik për projektin TID në Durrës

Organizata Mediatike Amfora ju fton në një hapësirë dialogu, ku banorë, biznese, ekspertë dhe qytetarë të interesuar mund të ndajnë shqetësimet, përvojat dhe propozimet e tyre për projektin “TID Durrës”. Në përfundim, do të hartohet një dokument përmbledhës me konkluzionet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve, i cili do t’u përcillet institucioneve përgjegjëse dhe AADF-së.

 Qendra Amfora organizon një forum publik në formatin e një takimi të hapur me komunitetin lokal për të diskutuar zhvillimin, ecurinë dhe ndikimin e projektit “Tourism Improvement District – TID Durrës” (Zonë për Përmirësimin e Turizmit).

Aktiviteti synon të krijojë një hapësirë informimi dhe dialogu të drejtpërdrejtë mes banorëve, përfaqësuesve të bizneseve, ekspertëve, mediave dhe aktorëve institucionalë, duke trajtuar problematikat dhe shqetësimet që projekti po ngre për komunitetin lokal, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin urban të zonës historike.

Gjatë forumit do të prezantohen investimet dhe ndërhyrjet e planifikuara në kuadër të projektit, ndërsa pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndajnë përvojat, qëndrimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me ndikimin e projektit në jetën e përditshme, të drejtat e pronës, restaurimin dhe identitetin historik të qytetit.

Takimi synon të nxisë komunikim të hapur, transparencë dhe dëgjim të ndërsjellë, duke reflektuar perspektiva të ndryshme mbi procesin e transformimit urban në Durrës. Aktiviteti do të shërbejë jo vetëm për evidentimin e problematikave, por edhe për diskutimin e alternativave dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete.

Në përfundim të forumit do të hartohet një dokument përmbledhës me konkluzionet dhe kërkesat e  pjesëmarrësve, i cili do t’u përcillet institucioneve përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, si

edhe Albanian-American Development Foundation (AADF), me qëllim adresimin transparent dhe të përgjegjshëm të shqetësimeve të komunitetit.

Qëllimi i aktivitetit

  • Informimi mbi ecurinë aktuale të projektit TID Durrës;
  • Krijimi i një hapësire dialogu të hapur mes komunitetit dhe aktorëve të përfshirë;
  • Dëgjimi i përvojave, shqetësimeve dhe pretendimeve të banorëve dhe bizneseve lokale;
  • Nxitja e një diskutimi publik të balancuar mbi zhvillimin urban dhe trashëgiminë kulturore;
  • Forcimi i pjesëmarrjes qytetare dhe përfshirjes së komunitetit në proceset vendimmarrëse.

Programi:

11:00 – Mirëseardhje dhe prezantimi i forumit

11:10 – Prezantim mbi projektin TID Durrës

• Objektivat dhe ndërhyrjet e planifikuara

• Ecuria e deritanishme e projektit

11:30 – Analiza e ekspertëve urbanistë dhe të trashëgimisë kulturore

11:50 – Diskutim i hapur me komunitetin

• Perspektivat e banorëve

• Shqetësime dhe kundërshti të ngritura nga banorët

• Pyetje dhe ndërveprim me pjesëmarrësit

12:50 – Përmbledhje dhe mbyllja

Qasja e aktivitetit

Forumi zhvillohet si një hapësirë dialogu publik dhe nuk ka karakter promovues apo protestues. Synimi është paraqitja e realitetit të projektit përmes dëgjimit aktiv, shkëmbimit të pikëpamjeve dhe ndërtimit të një diskutimi konstruktiv mbi të ardhmen e qytetit.

  • Pjesëmarrës
  • Banorë të zonës dhe përfaqësues të komunitetit lokal
  • Pronarë dhe përfaqësues biznesesh
  • Media dhe organizata të shoqërisë civile
  • Ekspertë të urbanistikës dhe trashëgimisë kulturore
  • Aktorë institucionalë dhe publik i interesuar

Shënime organizative

  • Aktivitet i hapur për publikun;
  • Takimi mund të dokumentohet me foto dhe video;
  • Respektohen parimet e komunikimit etik dhe dialogut konstruktiv.

Organizatori

Qendra Amfora është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Durrës, që punon për fuqizimin e medias, kulturës dhe zhvillimit komunitar përmes edukimit, inovacionit dhe angazhimit qytetar. Organizata mbështet gazetarinë me interes publik, promovon dialogun shoqëror dhe krijon hapësira bashkëpunimi mes të rinjve, institucioneve dhe komuniteteve lokale, duke kontribuar në një shoqëri më të informuar, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Konteksti i projektit TID Durrës

Projekti Tourism Improvement District – TID Durrës, i ndërmarrë nga Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF) në bashkëpunim me institucionet vendore dhe qendrore, synon

rigjallërimin e qendrës historike të qytetit përmes restaurimit të trashëgimisë kulturore dhe nxitjes së zhvillimit turistik.

Deri më tani projekti ka avancuar kryesisht në fazën e planifikimit strategjik dhe hartimit të projekteve arkitekturore, ndërsa procesi është shoqëruar me diskutime publike dhe kundërshti nga një pjesë e banorëve, veçanërisht lidhur me çështjet e pronësisë dhe procedurat e shpronësimit. Në këtë kontekst, diskutimi publik dhe përfshirja e komunitetit konsiderohen thelbësore për garantimin e transparencës dhe respektimin e të drejtave qytetare.

Ftohen të marrin pjesë qytetarë, përfaqësues të komunitetit lokal, organizata të shoqërisë civile dhe të gjithë të interesuarit për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin urban të Durrësit.

Ju mirëpresim!