Ambientalistët kërkojnë masa urgjente për ndërhyrjet në lumin Shkumbin
Një rrjet prej 26 organizatash mjedisore kombëtare dhe lokale ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme institucionale për të ndalur dëmtimet mjedisore në lumin Shkumbin, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e punimeve për segmentin rrugor Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII.
Grykëderdhja e lumit Shkumbin. Foto: Media Amfora
Të martën, 26 organizata mjedisore kërkuan masa urgjente institucionale për ndërhyrjet e raportuara në shtratin e lumit Shkumbin përgjatë segmentit rrugor Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pasi sipas tyre punimet infrastrukturore të lidhura me Korridorin VIII po rrezikojnë ekosistemin lumor dhe sigurinë e komuniteteve përreth.
“Ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin po cenojnë ekosistemin lumor dhe mund të sjellin pasoja të rënda për komunitetet përreth”, thuhet në letrën e hapur të publikuar nga organizatat nënshkruese.
Letra vjen pas vëzhgimeve në terren dhe raportimeve nga banorë lokalë përgjatë zonës ku po zhvillohen punimet rrugore, ndërsa organizatat argumentojnë se aktivitetet ndërtimore pranë lumit kanë sjellë ndryshime të dukshme në strukturën natyrore të tij.
“Janë konstatuar ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje materialesh inerte nga shtrati dhe depozitime materialesh gërmimi pranë tij”, theksohet në dokument, duke paralajmëruar ndikim të mundshëm në cilësinë e ujit, biodiversitetin dhe stabilitetin e brigjeve.
Sipas organizatave, ndërhyrjet në lumenjtë natyrorë gjatë projekteve infrastrukturore kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe respektim strikt të standardeve mjedisore për të shmangur dëme afatgjata në territor.
“Kërkojmë inspektim të menjëhershëm në terren, verifikim të ligjshmërisë së ndërhyrjeve dhe transparencë të plotë mbi lejet dhe dokumentacionin përkatës”, thuhet më tej në letrën e hapur.
Letra i është dërguar Kryeministrit të Shqipërisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor. Rrëshqitjet e fundit të dheut në aksin nacional Librazhd-Bushtricë dhe ndërprerjeve të qarkullimit në juglindje të vendit, kanë bërë që shqetësimet e organizatave mjedisore të lidhen të jenë edhe më të mëdha dhe të kërkohet me këto ndërhyrje e menjëhershme.
Letra është firmosur nga 26 organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mbrojtjes së natyrës, planifikimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit territorial, mes tyre AlbNatyra, PPNEA, EcoAlbania, INCA Albania, Milieukontakt Albania, REC Albania, GO2Albania dhe Co-PLAN. Organizatat nënshkruese përfaqësojnë rrjete kombëtare dhe lokale të mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.