Ekzekutohen 20 masa sigurie për mbetjet e rrezikshme në Durrës  

Nga 33 masa sigurie të kërkuara nga Prokuroria e Durrësit për çështjen e mbetjeve të rrezikshme janë ekzekutuar 20, ndërsa 13 persona u shpallën në kërkim. Arrestimet tregojnë se hetimi nuk prek një hallkë të izoluar, por të gjithë sistemin e menaxhimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së mbetjeve, nga vendimmarrja te zbatimi.

Policia e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka ekzekutuar 20 masa sigurie, nga 33 të kërkuara nga Prokuroria e Durrësit, në kuadër të hetimeve për çështjen e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme.

“Ekzekutohen 20 masa sigurie, të caktuara për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, ndërsa vijon puna për kapjen e 13 personave të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit”, tha policia në njoftimin për shtyp. 

Masat e sigurisë janë ekzekutuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të policisë në Tiranë dhe Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Ndër personat e shpallur në kërkim ka administratorë dhe drejtues të kompanive private, si edhe funksionarë publikë të përfshirë në zinxhirin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së mbetjeve.

Hetimet lidhen me çështjen e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme të sekuestruara në portin e Durrësit, për të cilat autoritetet italiane kanë vlerësuar se duhet të trajtohen si mbetje dhe se rrezikshmëria mjedisore nuk mund të përjashtohet. Personat e përfshirë dyshohen për vepra penale që lidhen me kontrabandën, menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve, falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e detyrës.  

Çështja lidhet me mbetje industriale të prodhuara nga “Kurum International”  të nisura nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe të deklaruara si materiale jo të rrezikshme. Ngarkesa u kthye pas ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare, pasi vendi pritës nuk kishte dhënë miratimin dhe u ngritën dyshime mbi përmbajtjen reale të saj. Pas kthimit, mbetjet u vendosën nën sekuestro në Durrës, ndërsa hetimet po përqendrohen në dyshimet për kontrabandë, shkelje të procedurave mjedisore dhe falsifikim dokumentesh. 

Emrat e personave për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest në burg”:

Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO (arrest në burg)

Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO (arrest në burg)

Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore Joti Spedition (arrest në burg)

Julian Kapedani – Punonjës pranë Degës së Doganës Durrës (arrest në burg)

Indrit Likaj – Punonjës pranë Degës së Doganës Durrës (arrest në burg)

Helidon Lila – Punonjës pranë Degës së Doganës Durrës (arrest në burg)

Edmond Voda – Punonjës pranë Degës së Doganës Durrës (arrest në burg)

Shkëlqim Jakupi – Punonjës pranë Degës së Doganës Durrës (arrest në burg)

Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në kompaninë Kurum International (arrest në burg)

Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit të shitjeve në Kurum International (arrest në burg)

Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë Bajrami N (arrest në burg)

Andon Prifti – Administrator i kompanisë Bajrami N (arrest në burg)

Kejdi Ahmetaj – Punonjëse pranë Drejtorisë së Inspektimit, AKM (arrest në burg)

 Emrat e personave për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurisë  “arrest në shtëpi”:

Iva Musa – Inspektore pranë Autoritetit Portual Durrës (arrest në shtëpi)

Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë Sokolaj (arrest në shtëpi)

Arta Dollani – Ish-drejtoreshë e Përgjithshme e AKM (arrest në shtëpi)

Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM (arrest në shtëpi)

Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM (arrest në shtëpi)

Bujana Tonçiça – Sektori i lejeve mjedisore, AKM (arrest në shtëpi)

Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM (arrest në shtëpi)

Emrat e personave të shpallur në kërkim

Erdal Demir – Administrator i Kurum International
Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i Kurum International
Harun Sarica – Drejtor i prodhimit të çelikut në Kurum International
Mujo Ilazaj – Drejtor i Transportit në Kurum International
Arif Shkalla – Drejtues në Kurum International
Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë Alliance Resource
Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve
Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës
Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim–Kontrollit, AKM
Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals
Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë Sokolaj
Olizana Pemati – Ish-administratore e kompanisë Sokolaj
Ingo Hesse – Administrator i kompanisë EMS APO