Kompania nuk paraqitet, gjykata pushon padinë ndaj banorëve të Zall-Gjoçajt
Gjykata e Lezhës pushoi padinë penale ndaj tre banorëve të Zall-Gjoçajt, pasi kompania paditëse nuk u paraqit në seancë. Padia ishte ngritur për deklaratat publike të banorëve kundër projekteve të hidrocentraleve.
Dhimitër Koleci, duke protestuar pranë digës në Lumin e Zall-Gjoçajt. Foto arkive nga aktivistët
Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë vendosi të mërkurën pushimin e padisë penale të ngritur nga kompania që operon hidrocentralet në Zall-Gjoçaj ndaj tre banorëve të zonës, për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse në seancë.
“E vërteta shkoi në vend. Ne jemi në të drejtën tonë dhe gjykata e dëshmoi këtë me vendimin e saj”, tha Dhimitër Koleci, një nga banorët e paditur, për Median Amfora.
Banorët e Zall-Gjoçajt u paditën në tetor 2025 nga kompania “Seka Hydropower” për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes, për shkak të deklaratave publike dhe qëndrimeve të tyre kundër projekteve të hidrocentraleve në zonë.
“Ne nuk kemi shpifur për askënd. Në seancën e kaluar kompania kërkoi që ne të kërkonim falje, por ne nuk e bëmë këtë sepse nuk kemi bërë asnjë faj. Duke parë që ne nuk u tërhoqëm, ishte kompania ajo që u tërhoq”, shtoi Koleci.
Banorët e Zall-Gjoçajt vijojnë përpjekjet për të mbrojtur lumin e Matit dhe pyjet e parkut kombëtar që mban emrin e zonës së tyre, duke kërkuar që zhvillimi energjetik të mos cënojë jetesën dhe ekosistemin që i mban gjallë.
Për këtë arsye, ata kanë ndjekur beteja të gjata administrative dhe gjyqësore, si dhe kanë organizuar protesta publike për të mbrojtur territorin e tyre. Padia penale e pushuar së fundmi u jep banorëve më shumë siguri për të vijuar betejat e tyre ligjore.
“Kjo fitore e vogël na bën më të sigurt për të ecur përpara”, tha Koleci.
Përveç çështjes penale të fundit, aktivistët dhe banorët vijojnë një betejë të gjatë ligjore për të sfiduar lejet dhe ndërtimin e hidrocentraleve në zonë, duke kërkuar anulimin e licencave dhe pezullimin e projekteve që prekin lumin e Matit dhe zonën përreth. Për çështjen e hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj, banorët janë ende në procese gjyqësore, për të cilat deklarojnë se nuk do të tërhiqen.
“Çdo padi ka kosto për ne dhe sjell sfida, pasi jemi familjarë dhe kemi fëmijë për të mbajtur, por nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë”, përfundoi Koleci.
Vendimi i gjykatës për pushimin e padisë vlerësohet nga komuniteti si një hap i vogël drejt drejtësisë, ndërsa kompania nuk ka pasur asnjë koment në lidhje me vendimin e gjykatës deri në publikimin e këtij shkrimi.