Rrjeti në mbrojtje të gazetarëve: Siguria u rrezikua gjatë protestës së 24 janarit
Një reagim publik ngriti shqetësimin për rrezikimin e gazetarëve gjatë protestës së 24 janarit në Tiranë, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet dhe masa konkrete nga redaksitë për mbrojtjen e stafit në terren.
Ilustrim nga një transmetim mediatik. Foto: Media Amfora
Siguria e gazetarëve që raportuan nga protesta e 24 janarit në Tiranë u vu në rrezik për shkak të përdorimit të mjeteve të shpërndarjes së turmës në zonat ku ata po kryenin detyrën profesionale, sipas një deklarate të publikuar nga Rrjeti “SafeJournalists” të hënën.
“Përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion në hapësira ku ndodheshin gazetarë dhe kameramanë përbën rrezik serioz për sigurinë e tyre dhe pengon ushtrimin e lirë të profesionit”, thuhet në deklaratën e rrjetit shpërndarë për mediat mesditën e 26 janarit.
Sipas rrjetit, këto veprime krijojnë kushte të pasigurta për raportim dhe cenojnë të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
“Autoritetet duhet të sqarojnë nëse protokollet për mbrojtjen e gazetarëve janë respektuar dhe të marrin masa për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen”, sqaron deklarata.
Protesta e 24 janarit në Tiranë, e organizuar nga opozita dhe e thirrur nga Partia Demokratike, u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës. Gazetarë dhe kameramanë raportuan nga afër zhvillimet në terren, ndërsa në disa raste mjetet e ndërhyrjes u përdorën në zona ku ndodheshin edhe përfaqësues të mediave.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se përgjegjësi për sigurinë e gazetarëve kanë edhe redaksitë, të cilat duhet të sigurojnë pajisje mbrojtëse, trajnime dhe vlerësim paraprak të rrezikut për stafin që raporton nga protesta dhe ngjarje të tjera me rrezik të lartë.
Sipas deklaratës, raportimet në media për përdorimin e spray-t ndaj një fotoreporteri dhe përdorimin e ujit me presion ndaj një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës ilustrojnë rreziqet me të cilat përballen gazetarët gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Rrjeti nënvizon se çdo rrezikim i gazetarëve përbën kërcënim për lirinë e medias dhe funksionimin e demokracisë.
Deklarata është publikuar nga Rrjeti SafeJournalists dhe është firmosur nga organizatat anëtare të rrjetit në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.