Shoqëria civile: Dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes rrezikon të mbetet i pazbatueshëm
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë rishikimin e kuadrit penal për shpifjen, por paralajmërojnë se ndryshimet e miratuara nuk garantojnë mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes. Ato i kërkojnë Kuvendit të rikthehet te dekriminalizimi i plotë për të gjithë individët.
Ilustrim nga një transmetim mediatik. Foto: Media Amfora
Pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal për shpifjen dhe mbrojtjen penale të gazetarëve, u ngritën shqetësime se procesi nuk sjell dekriminalizim të plotë, devijon nga konsultimet publike dhe mbetet problematik në një moment kyç për standardet e lirisë së shprehjes në kuadër të integrimit evropian.
“Ndonëse nisma parlamentare synonte shfuqizimin e plotë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, teksti i miratuar parashikon vetëm një përjashtim të kufizuar për gazetarët për veprën e shpifjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të organizatave të medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri, ku nënvizohet se kjo qasje nuk përputhet me kërkesën e kahershme për mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes, të bazuar në interesin publik dhe mirëbesimin.
Pas ndryshimeve më 21 janar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Kuvendin e Shqipërisë, organizatat vlerësojnë si hap përpara njohjen e parimit që raportimi në interes publik, i ushtruar në mirëbesim, nuk duhet t’i nënshtrohet ndëshkimit penal, si dhe përfshirjen e disa kritereve mbrojtëse, por theksojnë se këto elemente mbeten të pamjaftueshme për të garantuar siguri juridike reale.
“Dekriminalizimi i pjesshëm rrezikon të jetë i pazbatueshëm në praktikë, përfshirë edhe për vetë gazetarët”, theksohet më tej, duke u ndalur në faktin se fyerja mbetet vepër penale dhe se përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”, në një kontekst ku Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem të tillë regjistrimi. Sipas organizatave, një dispozitë e tillë krijon pasiguri ligjore dhe hap rrugë për interpretime arbitrare në zbatim.
Deklarata ngre gjithashtu shqetësimin se aktivistët, organizatat jofitimprurëse, studiuesit, sinjalizuesit dhe qytetarët e angazhuar në debat publik përjashtohen nga mbrojtja e parashikuar, ndonëse përballen shpesh me presione ligjore dhe padi që kanë efekt frenues mbi ushtrimin e lirisë së shprehjes.
Në të njëjtën kohë, organizatat mirëpresin forcimin e masave penale për mbrojtjen e gazetarëve në rastet e kërcënimit apo sulmit për shkak të ushtrimit të detyrës, duke theksuar se këto masa duhet të zbatohen mbi bazë funksionale dhe jo statusore.
“Reforma duhet të garantojë mbrojtje për çdo shprehje në interes publik, pavarësisht statusit profesional të folësit”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet që Kuvendi të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.
Sipas organizatave, një reformë e tillë është thelbësore për përputhjen me standardet e Bashkimi Evropian dhe të Këshilli i Europës, si dhe për garantimin real të lirisë së shprehjes. Pa një mbrojtje të tillë, paralajmërohet se debati publik dhe roli mbikëqyrës i qytetarëve dhe medias rrezikojnë të mbeten të ekspozuar ndaj presioneve dhe vetëcensurës.
Nënshkruesit e deklaratës:
▪ Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
▪ Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
▪ Amfora.al
▪ Qëndresa Qytetare
▪ Gruaja Shqiptare në Audiovisual (AWA)
▪ Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
▪ Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
▪ Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGMP)
▪ Qendra Faktoje
▪ Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” (APJ Albania)
▪ Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
▪ Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative Shqipëri (BIRN Albania)
▪ Partnerët Shqipëtar për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners Albania)
▪ Civil Rights Defenders Albania (CRD)
▪ Citizens.al
▪ Instituti i Studimeve Politike (ISP)
▪ Akademia e Studimeve Politike (ASP).