Studimi rajonal: Shqipëria kryeson degradimin e lumenjve në Ballkan

Një studim i ri rajonal tregon se Ballkani po humbet me ritme të shpejta lumenjtë pothuajse natyrorë për shkak të hidrocentraleve dhe ndërhyrjeve infrastrukturore. Shqipëria kryeson rajonin për degradimin e lumenjve gjatë dekadës së fundit.

Një vlerësim i ri mbi matjen e dëmtimeve fizike që u janë shkaktuar lumenjve nga veprimtaria njerëzore në 11 vende të Ballkanit tregon se presionet intensive gjatë dekadës së fundit kanë përshpejtuar degradimin e tyre, me Shqipërinë që shfaq rënien më të madhe të shtrirjeve pothuajse natyrore. 

“Tendencat afatgjata të dokumentuara në këtë studim tregojnë një tkurrje të vazhdueshme të shtrirjeve pothuajse natyrore të lumenjve në Ballkan, të nxitura kryesisht nga barrierat dhe ndërhyrjet e mëdha infrastrukturore”, thuhet në raportin e organizatave ndërkombëtare “Riverwatch” dhe “EuroNatur”. 

Raporti nënvizon se humbja e lumenjve pothuajse natyrorë në Ballkan nuk është më episodike, por rezultat i një modeli zhvillimi afatgjatë që po e tkurr me shpejtësi trashëgiminë natyrore ujore të rajonit. 

“Ky vlerësim dokumenton për herë të parë në mënyrë të krahasueshme se si ndërhyrjet e mëdha në lumenj po krijojnë një hendek gjithnjë e më të madh mes praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve mjedisore të kërkuara nga Bashkimi Evropian,” thuhet në raportin e përgatitur nga Ulrich Schwarz, ekspertnë kuadër të fushatës për mbrojtjen e lumenjve të egër të Ballkanit.  

Raporti tregon se që nga viti 2012, përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë në Ballkan ka rënë nga 30% në 23%, duke përfaqësuar një humbje prej rreth 2,450 kilometrash rrjedhë natyrore. Në të njëjtën periudhë, shtrirjet e lumenjve të modifikuar rëndë, kryesisht për shkak të digave dhe impianteve të grumbullimit të ujit, janë rritur me rreth 18%.

Në Shqipëri, raporti evidenton se asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk ka humbur aq shumë shtrirje lumenjsh pothuajse natyrorë ose pak të modifikuar në dekadën e fundit. “Studimi evidenton se asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk ka humbur aq shumë shtrirje lumenjsh pothuajse natyrorë ose pak të modifikuar në dekadën e fundit sa Shqipëria”, thekson raporti.

Ndërhyrjet kanë prekur veçanërisht lumenjtë malorë dhe degët e tyre, përmes devijimit të ujit, kanalizimit të shtratit dhe shkëputjes së zonave të përmbytjes, duke transformuar peizazhin lumor të vendit me ritmin më të shpejtë në rajon, pavarësisht mbrojtjes së disa rasteve të veçuara si Vjosa.

 Raporti evidenton se lumenjtë e mëdhenj janë më të prekurit, me vetëm 23% të tyre që mbeten pothuajse natyrorë, ndërsa 43% shfaqin modifikime të lehta dhe 34% janë të modifikuar nga mesatarisht deri në mënyrë të rëndë. Shtrirjet më të dëmtuara janë regjistruar në disa nga basenet kryesore lumore të rajonit, përfshirë Drini, Devolli, Neretva dhe Vardari.

Sipas të dhënave, që nga viti 2012 impianteve të grumbullimit të ujit (impoundments) u është shtuar një shtrirje prej rreth 18%, nga 2,224 km në 2,626 km lumenj, duke ndërprerë rrjedhën natyrore dhe transportin e sedimenteve. Presioni po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe te përrenjtë e vegjël malorë, të cilët deri vonë konsideroheshin në gjendje relativisht të mirë.

Raporti vë në dukje se përpjekjet për ruajtjen e mjedisit kanë arritur të mbrojnë rreth 900 km lumenj në Ballkan gjatë viteve të fundit, kryesisht përmes ndalimit të projekteve hidroenergjetike dhe shpalljes së zonave të mbrojtura. Në këtë kontekst, Vjosa përmendet si rasti më i rëndësishëm i ruajtjes së një lumi të egër në rajon, por raporti thekson se ky mbetet një përjashtim dhe jo rregull.

Me një rrjet të pasur lumenjsh dhe degësh malore nga jugu në veri, Shqipëria përballet me një rrezik të lartë të humbjes së shtrirjeve pothuajse natyrore, duke e vendosur mbrojtjen e lumenjve si një nga sfidat kryesore mjedisore të vendit.