I paraburgosuri arratiset nga Spitali i Durrësit
Altin Ndoci, i akuzuar për vrasje dhe përfshirje në organizatë kriminale, u arratis gjatë qëndrimit në Repartin Infektiv të Spitalit Rajonal në Durrës.
Foto Spitali Rajonal në Durrës. Foto: Media Amfora
Një i paraburgosur nën akuza për krime të rënda penale u arratis mesditën e të martës nga Spitali Rajonal i Durrësit, gjatë shoqërimit nga autoritetet e burgjeve për kryerjen e një vizite mjekësore.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB), në një njftim për shtyp.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk sqaroi më tej rrethanat e arratisjes. Institucioni bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve për kryerjen e disa vizitave dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve.
“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, shkruhet në njoftimin e DPB.
Altin Ndoci është në gjykim për një sërë veprash penale të rënda. DPB bën me dije se policia është vënë menjëherë në ndjekje të të arratisurit dhe se po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që mësohet se janë ngritur postoblloqe në të gjitha akset e qytetit.