Përmbytjet: 340 banorë ende nuk janë kthyer në banesa
Përmbytjet e 6 janarit në Durrës kanë lënë ende 340 banorë larg banesave, ndërsa vijon evidentimi i dëmeve në shtëpitë e prekura. Prokuroria ka nisur hetimet për shkaqet e ndërkohë që situata ka prekur edhe bashki të tjera të qarkut.
Zonë e përmbytyr nga reshjet në qytetin e Durrësit. Foto: Media Amfora
Në Bashkinë Durrës, grupet e punës vijojnë evidentimin e dëmeve në banesat e përmbytura nga reshjet e 6 janarit, ndërsa 340 banorë mbeten ende të strehuar, ndërkohë që Prokuroria ka njoftuar vijimin e hetimeve lidhur me shkaqet e kësaj përmbytjeje të paprecedentë.
“Ju bëjmë me dije se institucioni ka regjistruar më 8 janar 2026, kryesisht, një procedim penal për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, ‘Shkatërrimi i pronës me përmbytje’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia’”, tha Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Hetimet e organit të akuzës kanë të bëjnë me rrethanat që çuan në përmbytjen e 6 janarit dhe me përgjegjësitë për dëmet e shkaktuara, ndërsa problematika e funksionimit të hidrovoreve dhe kanaleve të larta ka nxjerrë banorët në disa protesta.
Sipas të dhënave zyrtare, 340 banorë vijojnë të jenë të strehuar në Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes, ambientet e Ministrisë së Brendshme dhe në hotele, ndërsa rreth 200 persona janë rikthyer në banesat e tyre, ndërkohë që procesi i evidentimit dhe plotësimit të akte-konstatimeve vijon në banesat e përmbytura.
Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen ka vijuar rënien e nivelit të ujit dhe po monitorohet, ndërsa lumi Ishëm paraqitet në kuota normale. Strukturat operacionale ndodhen në terren në koordinim me Shtabin e Emergjencave Civile.
Situata e përmbytjeve ka prekur edhe bashki të tjera të qarkut. Në Krujë, janë evidentuar 18 banesa të dëmtuara në zonat Dukagjin, Borizanë, Sukë, Vendas dhe Derven, ndërsa nga inspektimi i 30 banesave në fshatin Miliskaje, 7 kanë pësuar dëmtime. Sipas të dhënave, rreth 250 hektarë tokë janë mbuluar nga uji. Në Njësinë Administrative Cudhi vijon pastrimi i rrugës Nojë–Qafështamë, ndërsa lumenjtë Gjolë dhe Zezë janë në kuota normale.
Ndërkohë, në Shijak, gjatë ditës së hënë janë plotësuar 43 akte-konstatime në banesa, ndërsa sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur arrin rreth 600 hektarë. Strukturat e bashkisë vijojnë ndjekjen e situatës në zonat më problematike, kryesisht në lagjen Erzen dhe Njësinë Administrative Xhafzotaj, ku lumi Erzen paraqitet në rënie të nivelit të ujit dhe mbahet nën monitorim.
Më 6 janar, pas reshjeve intensive që nisën gjatë natës dhe vijuan për disa orë, Durrësi u përfshi nga përmbytje të përhapura në zona urbane dhe periferike. Uji u grumbullua brenda pak orësh, kryesisht në territore të ulëta dhe historikisht problematike për kullimin, duke depërtuar në qindra banesa përdhese, oborre, ambiente ekonomike dhe rrugë. Gjatë situatës u raportua edhe humbja e jetës së një punonjësi të komunales.
Në vijim, përmbytjet u konstatuan në disa zona të qytetit, përfshirë Ish – Kënetën, Porto -Romanon, Shkozetin, ish-Nishtullën dhe Lagjen nr. 13, ku u raportuan dëme në banesa, automjete dhe ambiente biznesi. Uji hyri edhe në parkime nëntokësore, ndërsa në disa zona qëndroi për një kohë të gjatë pa u tërhequr, duke pamundësuar rikthimin e menjëhershëm të banorëve në banesat e tyre.
Situata preku gjithashtu zona funksionale dhe tregtare të qytetit, përfshirë Velierën, Tregun Industrial dhe tregun e rrobave të përdorura, duke ndikuar në aktivitetin ekonomik dhe qarkullimin rrugor. Si pasojë, qindra familje u detyruan të largohen nga banesat dhe të strehohen përkohësisht, ndërkohë që procesi i evidentimit të dëmeve vijoi edhe në ditët pasuese.
Në ditët pas përmbytjeve, grupet e punës vijuan verifikimet në terren dhe plotësimin e akte-konstatimeve në banesat e prekura, ndërsa një pjesë e banorëve nuk janë rikthyer ende në shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve të shkaktuara.