Përmbytjet pasohen nga një valë protestash
Reshjet e javës së kaluar sollën përmbytje dhe situata emergjente në disa qarqe të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në ditët në vijim, u shënuan protesta në disa bashki, ku qytetarët shprehën pakënaqësi lidhur me menaxhimin e situatës dhe kërkuan zgjidhje e përgjegjësi institucionale.
Protesta e organizuar nga banorët e prekur nga përmbytjet në Durrës
Në disa bashki të vendit janë zhvilluar protesta nga qytetarë të prekur nga situata problematike e ditëve të fundit, konkretisht në Durrës, Kuçovë dhe Dimal, ndërsa reshjet intensive dhe tejmbushja e lumenjve e kanaleve kulluese kanë sjellë përmbytje në zona urbane dhe rurale.
“Jemi përmbytur tre e katër herë brenda një muaji dhe dëmet janë kolosale”, thanë banorë të disa fshatrave gjatë protestës së zhvilluar të hënën përpara Bashkisë Dimal.
Protestuesit, të ardhur nga fshatrat Çiflik, Arrëz, Banaj dhe Sheq, kërkuan ndërhyrje të menjëhershme dhe sqarime mbi funksionimin e infrastrukturës kulluese, duke theksuar se situata po përsëritet dhe se dëmet po rëndojnë gjithnjë e më shumë jetesën e tyre.
Protesta e zhvilluar në Dimal nuk ka qenë një rast i izoluar. Në Durrës, banorë të zonave të përmbytura dolën në protesta të njëpasnjëshme para Bashkisë që nga 7 janari, duke shprehur pakënaqësi për menaxhimin e situatës, duke kërkuar dëmshpërblim, hetim të dëmeve dhe masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të shiut.
Reagimi qytetar ka qenë i fortë edhe në Vlorë, ku banorë të prekur nga përmbytjet kanë dalë publikisht për të denoncuar gjendjen e krijuar, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë dhe duke shprehur shqetësim për sigurinë e banesave dhe pronave të tyre.
Edhe në Fier, fermerë të zonave të prekura kanë reaguar publikisht duke denoncuar përmbytjen e tokave bujqësore dhe dëmet e shkaktuara në të mbjella, duke shprehur shqetësim për humbjet dhe pasigurinë për ditët në vijim.
Situata problematike nga përmbytjet është raportuar në disa qarqe të vendit. Në Qarkun Shkodër dhe Qarkun Lezhë, rritja e nivelit të ujërave ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe vështirësi në kullimin e tyre, ndërsa në Qarkun Durrës janë evidentuar përmbytje urbane dhe rurale, me ndikim në banesa, biznese dhe infrastrukturë. Në Qarkun Fier dhe Qarkun Berat, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore, duke shkaktuar dëme në të mbjella dhe sera, ndërsa në Qarkun Elbasan dhe Qarkun Gjirokastër janë raportuar problematika lokale si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati dhe tejmbushjes së kanaleve kulluese.
Në këtë kontekst, situatat e përsëritura të përmbytjeve dhe pasojat e tyre sociale e ekonomike kanë krijuar një klimë të gjerë pakënaqësie, e cila në disa bashki është shprehur përmes protestave dhe reagimeve publike të qytetarëve.