Kozmosi i Pitagorës si shëmbëlltyra e rendit hyjnor
Ai ishte animalisti i parë. I pari që sugjeroi se shpirti mund të gjente paqe vetëm tek dija dhe udhëtimet. Ai ishte i parë që kërkoi nga shoqëria higjienën personale. I pari që na dha fjalën kozmos, filozofi dhe esoterizëm. Ai ishte njeriu më i famshëm në botën Antike përpara ardhjes së Jezus Krishtit.
Pitagora dhe filozofë të tjerë në Greqinë e lashtë. Foto: Pexels.
Në brigjet e ishullit Samos, rreth shekullit të gjashtë para Krishtit, lindi një djalë me emrin Pitagora, biri i një gdhendësi unazash, Mnesarku, dhe i një gruaje të mençur të quajtur Pythais. Që në moshë të re, ai nuk ishte si fëmijët e tjerë. Ai u rrit në një mjedis ku mitet e vjetra po përplaseshin me mendimin racional që po lindte në Greqinë e lashtë. Që në fëmijëri, Pitagora tregonte një ndjeshmëri të pazakontë ndaj rendit dhe formë-ai shihte harmoni në lëvizjen e yjeve dhe rregull në zhurmën e detit.
Në rininë e hershme, ai u tërhoq nga mësimet e Talesit dhe Anaksimandrit, por mendja e tij kërkonte më shumë se ligje natyrore: kërkonte kuptim shpirtëror që qëndronte pas mistereve të jetës. U nis kështu për një udhëtim të gjatë përmes të cilit shpresonte të gjente përgjigje për pyetjet e veta. U ndal fillimisht në Malin Karmel në Izrael. Më pas-për më shumë se 20 vjet-në Egjipt, ku mësoi gjeometri, astronomi dhe misteret e priftërinjve të Tebës, Memfis dhe Heliopolis. Nga egjiptianët ai kuptoi se numri nuk është vetëm mjete matje, por kishte vlerë reale.
I kapur rob gjatë një sulmi babilonas, Pitagora u transferua nga ushtarët e Kambisit për në Babiloni, ku në 12 vjet qëndrim studioi mitologjinë, kozmogoninë, astronominë, muzikën dhe matematikën e vjetër lindore. Autorë të mëvonshëm flasin për një udhëtim në Indi, ku ai përthithi idenë e rimishërimit të shpirtit (një mësim që do ta bënte pjesë të besimeve të veta), por kjo nuk është provuar kurrë.
Vëllazëria pitagoriane
Kur u kthye në Samos, pas plot 35 vitesh, ai e gjeti ishullin e tij nën sundimin e tiranit Polikrates. Ju caktua përkohësisht një funksion publik të cilin ai nuk e bëri kurrë me qejf. Njeriu që kërkonte lirinë e mendjes nuk mund të jetonte nën diktatin e pushtetit dhe të ligjeve. Ai e kuptoi se dija nuk mund të lulëzojë atje ku sundon frika dhe injoranca. Kështu, Pitagora braktisi politikën dhe vendlindjen e tij dhe u nis drejt Italisë së Jugut, në qytetin e Krotones, ku më në fund do të krijonte diçka që do të jetonte përtej tij-një shkollë e cila do të bëhej më shumë se një institucion edukimi: një mënyrë jetese.
Në Krotonë, Pitagora themeloi atë që njihet si shkolla pitagorike, një bashkësi që ishte njëherësh shkollë, vëllazëri dhe rend shpirtëror. Nuk ishte hapësirë për të gjithë. Në hyrje të saj shkruhej: “Askush që nuk është gjeometër nuk mund të hyjë këtu brenda”. Kjo nuk nënkuptonte përjashtim, por përkushtim-ai që nuk e kupton rregullin e formës, s’mund të kuptojë rregullin e shpirtit. Nxënësit jetonin në komunitet, ndanin ushqimin dhe kohën, flinin pak, dhe ditën e nisnin me heshtje për të dëgjuar harmoninë e natyrës. Për ata, heshtja nuk ishte mungesë fjale, por një mënyrë për të dëgjuar zërin e brendshëm dhe natyrën që i rrethonte.
Në këtë shkollë, mësimi nuk kufizohej tek matematika dhe astronomia. Pitagora i mësonte dishepujt të shihnin numrin si parim të ekzistencës. Gjithçka-tingulli, lëvizja, proporcioni, drita-mund të shprehej përmes raporteve numerike. Ai zbuloi për shembull se harmonia muzikore nuk është çështje ndjesie, por përpjesëtimi i saktë numerik midis tensioneve të një teli: 2:1, 3:2, 4:3. Nga kjo, ai kuptoi se bukuria është rend, dhe rendi është numër, matematikë.
Shkolla funksiononte me rregulla të qarta. Nxënësit ndaheshin në dy grupe: akusmatikët (dëgjuesit), që dëgjonin mësimet pa bërë pyetje për vite me radhë, dhe matematikët, që pasi fitonin besimin e mësuesit, lejoheshin të debatonin. Puna e tyre ishte e rreptë: ata duhej të pastronin shpirtin përmes disiplinës, të përmbanin dëshirat trupore, dhe të mësonin të jetonin në përputhje me natyrën. Pitagora besonte se shkenca pa moral është e verbër, dhe se çdo dije duhet të çojë në përmirësim shpirtëror, ndryshe është e kotë. Në këtë mënyrë, shkolla e tij u bë një vend ku matematika dhe mistika bashkëjetonin pa kundërshti.
Por suksesi solli edhe frikë. Ndjekësit e Pitagorës tashmë ishin më shumë se dy mijë. Dija, jeta e virtytshme dhe elokuenca me të cilën formulonin mendimet e tyre i bëri ata të respektuar kudo, dhe ndikimi i tyre politik filloi të rritet. Kjo shqetësoi aristokratët dhe sundimtarët vendas, të cilët e panë këtë bashkësi si kërcënim. Një natë, një turmë e zemëruar dogji ndërtesën e shkollës. Disa dishepuj vdiqën, të tjerë u shpëtuan duke u arratisur. Vetë Pitagora gjeti strehë në një tempull afër Metapontos duke medituar mbi rregullin e botës që kishte dashur ta shpjegonte përmes numrave. Megjithatë, trashëgimia e tij nuk u shua. Ajo u shndërrua në shkëncë dhe në filozofi.
Pitagora filozof
Shpesh në fakt ne jemi mësuar ta mendojmë Pitagorën si një matematikan apo gjeometër. Është e famshme për shembull “Teorema e Pitagorës”. Por ai ishte mbi të gjitha një filozof. Matematika, gjeometria dhe cdo shkencë tjetër ishin në fakt në shërbim të filozofisë. Instrumente përmes të cilave mund të matej harmonia. Për Pitagorën, harmonia nuk ishte vetëm në muzikë apo në yje, por mbi të gjitha në shpirtin njerëzor. Ai besonte se gjithçka në univers është e ndërtuar sipas një rendi të përkryer. Këtë strukturë ai e quajti Kozmos-fjalë të cilën ai e shpiku vetë, dhe që do të thotë “rregull, bukuri, harmoni”. Ai e kundërshtoi idenë e kaosit si themel të botës: për të, ekzistenca kishte një simfoni të brendshme që duhej dëgjuar dhe kuptuar.
Një tjetër fjalë që lindi nga mendja e tij ishte Filozofia. Pitagora ishte i pari që e quajti veten “filozof” pra “dashamirës i dijes”. Ai nuk pretendonte të ishte i urtë, sepse mençuria, sipas tij, i përkiste vetëm Zotit. Njeriu mund të ishte vetëm kërkues i saj, në përpjekje për t’u pastruar përmes njohjes. Kjo përpjekje, ky udhëtim drejt së vërtetës, ishte për të pastrimi i shpirtit. Ai besonte se filozofia nuk është një lojë mendjesh, por një rit shpëtimi, një mënyrë për ta çliruar shpirtin nga pasionet, injoranca dhe frika.
Në thelb, Pitagora, i ndikuar nga egjiptianët, e shihte njeriun si një pasqyrë të vogël të kozmosit-një mikrokozmos. Nëse universi ka rend, edhe njeriu duhet ta gjejë atë rend brenda vetes. Harmonia e shpirtit arrihet kur njeriu jeton sipas masës, kur ndalet përpara teprisë, dhe kur çdo mendim, fjalë e veprim ndjek ritmin e natyrës. Ndaj kishte përçmim për grykësin dhe luksin. Ai predikonte se shpirti është i pavdekshëm, dhe se pastrimi i tij ndodh përmes cikleve të përvojës-nga një jetë në tjetrën, derisa të arrijë bashkimin me “dritën e përjetshme”.
Në këtë kuptim, Pitagora është nga filozofët e parë ekzistencialë. Ai nuk kërkonte të shpëtonte botën përmes politikës apo fuqisë, por përmes kuptimit të vetvetes në raport me kozmosin. Për të, njohja e ligjeve të universit ishte një mënyrë për të kuptuar edhe ligjet e shpirtit. Ai i mësonte dishepujt të jetonin me masë, të ushqeheshin me maturi, të flisnin pak, të mendonin shumë, dhe mbi të gjitha, të kërkonin harmoninë në çdo gjë që bënin.
Pitagora mbetet një figurë që sfidon ndarjen mes shkencës dhe shpirtit. Ai i pa numrat jo si mjete të ftohta logjike, por si simbole të shenjtë të rendit hyjnor. Ai besoi se jeta e mirë është ajo që jeton sipas ligjeve të harmonisë, dhe se filozofia është arti i pastrimit të shpirtit nga rrëmuja e botës. Në fund, Pitagora nuk ishte thjesht gjeometër, por arkitekt i brendshëm i shpirtit njerëzor-njeriu që gjeti rendin në kaos dhe ia dha botës fjalën për ta përshkruar: kozmos.