Vjedhja në Muzeun e Luvrit, kambanë alarmi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore botërore
Bizhuteritë e Kurorës franceze u vodhën nga Galeria e Apollonit në Muzeun e Luvrit në Paris për vetëm shtatë minuta, në një operacion të mirëorganizuar që autoritetet e kanë cilësuar si ‘jashtëzakonisht të sofistikuar’. Sipas mediave franceze, hetimet vijojnë ndërsa ngrihen kritika për mangësitë në sigurinë muzeale dhe funksionimin e sistemeve të alarmit në muze.

Muzeu i Luvrit në Francë. Foto nga: Pixabay
Mëngjesin e 19 tetorit, një grup i përbërë nga katër persona të maskuar arriti të vidhte tetë bizhuteri nga koleksioni historik ‘Bizhuteritë e Kurorës’ të ekspozuara në Galerinë e Apollonit në Muzeun e Luvrit, institucionin muzeal më të vizituar në botë.
Ngjarja është cilësuar nga e përditshmja franceze Le Monde si ‘një ndër vjedhjet më të guximshme të viteve të fundit që trondit jo vetëm një muze, por vetë besimin te mbrojtja e trashëgimisë kulturore’.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat franceze, vjedhja ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit së të dielës, vetëm pak minuta pasi muzeu hapi dyert për vizitorët.
Autorët vepruan me një nivel të lartë organizimi dhe shpejtësie. Sipas televizionit francez BFMTV, “autorët, të maskuar dhe të pajisur me doreza, vepruan me shpejtësi kirurgjikale, duke çmontuar kasetat e xhamit ku ekspozoheshin bizhuteritë, pa aktivizuar menjëherë sistemin e alarmit”.
Detajet e para të hetimit tregojnë se autorët shfrytëzuan një zonë të jashtme të muzeut që nuk është e aksesueshme për vizitorët. Le Monde shkruan se ‘autorët kanë përdorur një akses të rrallë logjistik pranë Lumit Sena, duke vepruar në mënyrë të heshtur për të shmangur vëmendjen e rojeve’.
Objektet e vjedhura nuk janë thjesht bizhuteri me vlerë materiale, por pjesë e historisë së Francës.
Sipas revistës franceze La Tribune de l’Art, ‘koleksioni i marrë përfshin disa prej bizhuterive më të rëndësishme të periudhës perandorake, si një diademë me diamante, një gjerdan ceremonial dhe unaza që i përkisnin Eugénie de Montijo’. Eugénie de Montijo (1826–1920) ishte perandoresha e fundit e Francës dhe bashkëshortja e Napoleonit III, figura e cila luajti një rol të rëndësishëm në jetën kulturore dhe oborrtare të shekullit XIX.
Muzeu u mbyll menjëherë, ndërsa policia franceze nisi hetimet me pjesëmarrjen e njësisë speciale për krime ndaj artit.
Presidenti francez reagoi menjëherë pas ngjarjes duke dënuar vjedhjen dhe duke kërkuar masa urgjente sigurie. Në një postim në platformën X, Emmanuel Macron deklaroi se “kjo është një goditje ndaj historisë sonë të përbashkët dhe trashëgimisë kulturore që duhet mbrojtur me çdo kusht”.
Ngjarja ka ngritur dyshime serioze mbi sigurinë e trashëgimisë kulturore në Francë dhe masat e mbrojtjes së muzeve kombëtare. Ky incident është përkufizuar nga Le Monde si ‘vjedhja që theu iluzionin e paprekshmërisë së Luvrit’-një paralajmërim se as institucionet më prestigjioze botërore nuk janë të mbrojtura.
Një ditë pas ngjarjes, sipas mediave franzece Luvri mbetet i mbyllur për vizitorët, ndërsa hetimet vazhdojnë. Bizhuteritë e Kurorës, që dikur ndriçonin sallën dedikuar perandorisë, tani përfaqësojnë një plagë të hapur në kujtesën kulturore të Evropës si një kujtesë se pasuria më e madhe e një kombi nuk është ari, por historia që di ta mbrojë.
Përtej kufijve francezë, rasti i Luvrit ka rikthyer vëmendjen te vlera e sigurisë kulturore si pjesë e trashëgimisë njerëzore. Në vende si Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku muzetë publikë shpesh përballen me mungesë fondesh dhe teknologjie, kjo ngjarje shërben si kambanë paralajmëruese.
Në Shqipëri, pasuritë muzeale kanë qenë shpesh të pambrojtura, dhe vjedhjet e objekteve me vlerë historike kanë mbetur të pazbardhura. Media Amfora ka raportuar më herët për zhdukjen e mbi një mijë artefakteve në muzetë e vendit, një fenomen që dëshmon se mungesa e sigurisë kulturore është problem i përbashkët evropian.