Kontrabanda e naftës, SPAK dërgon për gjykim 11 të pandehur shqiptarë dhe të huaj
SPAK ka dërguar për gjykim 11 persona, mes tyre shtetas shqiptarë, sirianë dhe egjiptianë, të përfshirë në kontrabandimin e 200 tonëve naftë në Porto Romano. Të pandehurit akuzohen për kontrabandë, korrupsion dhe vjedhje, ndërsa në skemë ishte përfshirë edhe një punonjës policie.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të hënën, më 13 tetor, përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të 11 të pandehurve për kontrabandimin e 200 tonëve naftë përmes një anijeje me flamur tunizian në janar të këtij viti.
“Në kuadër të hetimeve janë marrë të pandehur Armand Marvataj, punonjës policie në Komisariatin e Durrësit, Juxhin Koka, Drilon Malluta, Mohammad Sallit, kapiten i anijes, Nedio Mejdani, oficer i parë, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom, marinarë, si dhe Samir Bayoumy dhe Abdoulmohaimen Shanata,” njoftoi SPAK.
Sipas dosjes hetimore, Juxhin Koka, në bashkëpunim me kapitenin e anijes me flamur tunizian “Aya Zanoybya” dhe katër marinarët e saj, kanë planifikuar dhe realizuar kontrabandimin e 200 tonëve naftë të depozituar në anijen e ankoruar në Porto Romano, më 7 janar 2025. Anija “Aya Zanoybya” dhe sasia e naftës u sekuestruan nga policia e Durrësit më 12 janar.
Hetimet kanë zbuluar se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i kanë ofruar 10 mijë euro ryshfet punonjësit të policisë Armand Marvataj, i cili ishte caktuar për ruajtjen e anijes së sekuestruar, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e naftës. Vjedhja është realizuar më 27 janar, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes.
Gjatë kontrollit në banesën e policit Armand Marvataj, hetuesit gjetën dhe sekuestruan shumën prej 10 mijë euro, e cila dyshohet se është marrë si ryshfet. Marvataj akuzohet për korrupsion pasiv. Ndërsa Juxhin Koka dhe Drilon Malluta akuzohen për korrupsion aktiv. Koka akuzohet gjithashtu për kontrabandë të naftës, ndërsa shtetasit sirianë dhe egjiptianë për kontrabandë dhe vjedhje në bashkëpunim.
Çështja do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.