Plantacione kanabisi në Shkodër: 5 kryepleq nën hetim, asnjë autor i identifikuar
Në zona të thella malore të Shkodrës u gjetën mijëra rrënjë kanabis dhe lëndë narkotike e përpunuar. Pesë kryepleq u proceduan penalisht për moskallëzim krimi, ndërsa autorët e kultivimit mbeten të paidentifikuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Qarku Shkodër. Foto: Policia e Shtetit
Policia e Shkodrës të hënën bëri me dijse ka zhvilluar kontrolle antikanabis në zona të thella malore të qarkut, ku janë konstatuar parcela të mbjella me kanabis.
“Në territoret e njësive administrative Pult, Ana e Malit, Shosh dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4002 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe 510 gramë lëndë të dyshuar narkotike në formën e boçes”, tha policia në një njoftim të shpërndarë për mediat paraditen e 13 tetorit.
Nga pamjet e bëra publike nga Policia, kontrollet janë zhvilluar në terrene të vështira malore, ku bimët e kanabisit shihen të kultivuara në parcela të izoluara dhe larg zonave të banuara. Bimët janë gjetur të shpërndara në sipërfaqe të ndryshme toke, ndërsa efektivët kanë bërë të mundur identifikimin e tyre me anë të kontrollit tokësor. Në video shihen forcat e rendit duke lëvizur në terrene të pjerrëta e të paasfaltuara, ndërsa plantacionet janë ngritur në taraca të improvizuara toke, sera, në zona të paarritshme me mjete.
Sipas Policisë, gjatë operacionit janë zbuluar sasi të konsiderueshme kanabisi në faza të ndryshme rritjeje.
“Gjenden 4002 bimë të dyshuara narkotike ‘Cannabis Sativa’ dhe 510 gramë të kësaj lënde në formën e boçes”, thuhet në njoftim.
Ndërsa sasia e bimëve të zbuluara ka qenë e madhe, policia nuk ka mundur të identifikojë, ndalojë apo të vërë përpara përgjegjësisë penale autorët e kultivimit.
Ndërkohë që autorët e kultivimit të kanabisit vijojnë të jenë të paidentifikuar dhe në kërkim, policia ka proceduar penalisht pesë kryepleq fshatrash, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Policia njoftoi se materialet hetimore janë dërguar në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pesë kryepleq fshatrash. Katër prej tyre, kryepleqtë e fshatrave Nënmavriq, Leknikaj, Kuje dhe Vuksanaj, akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa kryeplaku i fshatit Palaj procedohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim të krimit”.
Terreni i thyer malor dhe fragmentimi i zonave të thella administrative e kanë bërë Shkodrën një territor të vështirë për t’u patrulluar, duke e favorizuar kultivimin e paligjshëm të kanabisit.
Operacioni pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa policia është në kërkim të personave të përfshirë në kultivimin e kanabisit në zonat malore të qarkut.